MENU
klinika

Dëshmia e nipit të Sejfi Vllamasit

Nuk pranoi t’ia jepte Enverit nagantin: u shpall kulak, u burgos

15.05.2020 - 10:41

          Publikohet historia e panjohur e Ali Vllamasit me origjinë nga fshatrat e Kolonjës, vëllait të politikanit të njohur, Sejfi Vllamasit, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit, Avni Rustemit dhe Luigj Gurakuqit, si dhe vëlla i Muharrem Vllamasit, një nga miqtë e ngushtë të Enver Hoxhës që nga periudha kur ai ishte me studime në Francë, i cili gjatë periudhës së pushtimit italian të vendit, për disa kohë u bë dhe kryetar i Partisë Fashiste të Shqipërisë. Dëshmia e rrallë e nipit të tyre, Faslli Vllamasi, lidhur me raportet miqësore që kishte familja e tyre Vllamasi me Enver Hoxhën, i cili diku aty nga viti 1941, gjatë një dreke në shtëpinë e Mënikve në Tiranë, i kërkoi Ali Vllamasit që t’ia dhuronte nagantin e tij, por ai nuk ia dha, duke thënë se e kishte kujtim, por pas mbarimit të Luftës, u dënua me burg për “armëmbajtje pa leje”, pikërisht për atë nagant që s’ia kishte dhënë dikur Enverit!

“Për herë të parë Enver Hoxhën, babai im Aliu e ka takuar në vitin 1934 në Restorant “Turtulli” të Korçës, kur Enveri sapo kishte ardhur nga Franca për pushimet verore dhe i kishte sjellë babait një valixhe me plaçka, të cilën ia kishte dhënë xhaxhai jonë, Sejfi Vllamasi, që ishte emigrant politik në Paris. Herën e dytë, Babai e ka takuar Enverin aty nga viti 1942, kur xhaxhai im Muharrem Vllamasi që banonte si qeraxhi tek shtëpia e Mënikëve në Tiranë, kishte thirrur për drekë Enver Hoxhën dhe Dr. Ymer Dishnicën. Gjatë asaj dreke, Enver Hoxha i kërkoi babait një nagant të bukur që ai e mbante me vete, por Aliu nuk ia dha duke i thënë se atë e kishte kujtim nga i vëllai Muharremi. Pas kësaj Enveri i tha: Ali, mbaje nagantin, por ta përdorësh duke luftuar për ne”. Kështu e kujtonte Faslli Vllamasi, ish-inxhinier gjeolog, historinë e familjes Vllamasi dhe babait të tij Aliut, që ka qenë komandant i çetës territoriale të Novoselës në Kolonjë dhe pas lufte u shpall si kulak e përfundoi në burg, pasi nuk pranoi të dorëzonte nagantin që dikur i kishte kërkuar Enver Hoxha. Po cila është e kaluara e Ali Vllamasit dhe familjes së tij? Si e grisi Aliu flamurin turk në klubin e Halit Bej Gjirokastrës në Stamboll dhe cilët ishin bejlerët e Voshtimës që për të përfituar pensionet nga Turqia, e hoqën flamurin shqiptar nga ai klub? Përse Ali Vllamasi i doli në mbrojtje Avni Rustemit kur ai po gjykohej nga Drejtësia franceze për atentatin ndaj Esat Pash Toptanit? Cilat ishin mardhëniet e Aliut me Enver Hoxhën dhe përse në vitin 1942 ai nuk pranoi t’ja jepte nagantin e tij Enver Hoxhës kur ai ia kërkoi gjatë drekës në shtëpinë e Muharrem Vllamasit? Çfarë qëndrimi mbajti pas Luftës Ali Vllamasi, si e kundërshtoi ai Reformën Aagrare dhe përse u dënua me dy vjet burg?


Nga Vlora në Stamboll
Ali Vllamasi u lind në vitin 1883 në fshatin Novoselë të rrethit të Kolonjës, i cili ndodhet në perëndim të Malit të Rodomit dhe bëri vetëm tre vjet shkollë në gjuhën turke në fshatin e tij. Në vitin 1913 kur andartët grekë dogjën Kolonjën dhe familja Vllamasi ashtu si shumë kolonjarë të tjerë shkuan e u strehua në ullishtat e Vlorës fare pranë Nartës. Lidhur me këtë, i biri i tij, Faslliu dëshmon: “Aktiviteti patriotik i babait tim Aliut, fillon që me vajtjen e tij në çetat e Sali Butkës dhe Themistokli Gërmenjit ku ai u bë shumë i njohur në betejat që u zhvilluan në Melesin, Dhëmbel e Radom. Kur andartët grekë dogjën Kolonjën, babai Aliu ishte me çetën e Sali Butkës në Melesin dhe kur u kthye në fshat dhe e pa Novoselën të djegur e të bërë shkrumb e hi, e 150 shtëpitë që u dilte tymi, u ul në gjunjë dhe qau si fëmijë. Pas kësaj Aliu ndoqi rrugën e muhaxhirëve të tjerë kolonjarë, të cilët u vendosën në rrethinat e Vlorës ku ngritën dhe shtëpitë e tyre. Nga kushtet e vështira ku jetonin muhaxhirët kolonjarë në ullishtat e Vlorës, aty ra një epidemi kolere prej së cilës vdiqën pothuaj më shumë se gjysma e muhaxhirëve që ishin vendosur aty. Prej asaj epidemie vdiqën dhe shtatë pjestarë nga familja jonë e madhe e Vllamasëve.

Duke parë gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin, babai Aliu së bashku me kryefamiljarët e tjerë kolonjarë vendosën që të shpërnguleshin nga Vlora dhe u nisën për në Turqi, ku u vendosën në krahinën e Anadollit. Gjatë asaj kohe familjet kolonjare të cilat kishin si udhëheqës të tyre babanë Aliun, u gjendën nën terrorin e bandave kurde, të cilat i plaçkisnin pothuaj çdo ditë. Nisur nga kjo, babai u detyrua dhe ngriti një çetë të vogël dhe i pritën kurdët me pushkë, e pas kësaj ata nuk u dukën më aty. Pasi shpëtuan nga bandat e kurdëve, babai u fut në punë në një stacion hekurudhor që e administronte një kompani angleze dhe gjatë asaj kohe ai vazhdoi dhe mbaroi shkollën shtatëvjeçare dhe të mesmen të cilën e bëri natën në një kolegj britanik. Gjatë asaj periudhe të gjatë të emigracionit në Anadoll e Stamboll, babai pati një ndihmë të madhe nga patriotët dibran Said Najdeni e Fuat Bej Dibra, si dhe nga Shefi i Milicisë së Stambollit, Hasan Tasim Tetova, i cili i armatosi emigrantët kolonjarë për tu mbrojtur nga hajdutët kurdë”, kujton Faslliu atë kohë kur babai i tij Aliu në krye të 150 familjeve kolonjare të fshatit Novoselë u vendosën në Anadollin e largët të Turqisë aziatike.

Incidenti për flamurin shqiptar
Në ditën e 28 nëntorit 1924 kur Ali Vllamasi akoma ishte si emigrant në Turqi, atij i ndodhi një incident me disa emigrantë të tjerë shqiptarë dhe ajo ngjarje e cila asokohe bëri bujë të madhe, në krahinën e Kolonjës është kujtuar deri vonë. Lidhur me këtë, Faslliu dëshmonte: “Atë ngjarje babai Aliu e kujtonte dhe e tregonte vetëm atëhere kur i’a kërkonin me ngulm miqtë e tij. Në 28 nëntor të vitit 1924, babai së bashku me 12 kapedanë të tjerë kolonjarë shkoi në Stamboll, pasi ishin ftuar nga Halit Bej Gjirokastra, në klubin e tij ku çdo vit mblidheshin emigrantët shqiptarë dhe e festonin me ceremoni të mëdha ditën e Flamurit. Atë ditë aty ndodheshin dhe disa bejlerë nga Voshtima, të cilët nuk donin që të ngrihej aty flamuri shqiptar, pasi kishin frikë se Porta e Lartë nuk do t’ua aprovonte kërkesat që ata kishin bërë për pensione dhe ngritjen e pagave.

Babai Aliu, u revoltua nga kjo gjë dhe me revolver në dorë iu drejtua atyre duke i quajtur tradhëtarë dhe i goditi me grushta. Më pas ai mori dhe grisi flamurin turk që ishte aty në lokal dhe në vend të tij ngriti flamurin shqiptar. Pas kësaj ai nxorri në krye të lokalit, Nafus Bej Dibrën, duke thënë se atij i takonte që të mbante fjalën e rastit, meqënse ishte një nga familjet më të nderuara nga ata shqiptarë që gjendeshin aty. Kur erdhi pronari i lokalit, Halit Bej Gjirokastra dhe mori vesh incidentin e ndodhur aty, u shpreh: “I lumtë dora Ali Vllamasit që ngriti flamurin shqiptar në lokalin tim dhe i turpëroi bejlerët Voshtimas”, kujtonte Faslliu ngjarjen e Stambollit e cila është kujtuar gjithmonë në krahinën e Kolonjës.

Mbron Avni Rustemin
Atë kohë që Avni Rustemi i bëri atentat dhe vrau Esat Pashë Toptanin në Paris, një nga shqiptarët që i doli në mbrojtje të tij gjatë kohës që ai doli në gjyq, ishte dhe Ali Vllamasi. Lidhur me këtë, Faslliu dëshmonte: “Pas shumë vitesh qëndrimi në Anadoll dhe duke parë se jetesa aty ishte mjaft e vështirë, babai me disa emigrantë të tjerë nga paria kolonjare, vendosën që të ktheheshin në Stamboll. Për këtë gjë ata kërkuan ndihmën e Shefit të Milicisë së Stambollit, i cili i ndihmoi ata që të bënin pashaportizimet për në kryeqytetin e Turqisë.

Gjatë asaj kohë që babai po merrej me përgatitjen e dokumentave për pashaportizimet, atij i erdhi lajmi se Avni Rustemi kishte vrarë Esat Pashë Toptanin në Paris dhe ai ishte duke u gjykuar nga Drejtësia franceze. Pas kësaj babai Aliu mblodhi të gjithë kolonjarët dhe u tha që të nisnin secili nga një telegram në mbrojtje të Avni Rustemit dhe atë ditë në drejtim të Parisit u nisën 300 telegrame, kurse vetë Aliu atë ditë nisi tetë telegrame në mbrojtje të Avniut, të cilin ai e kishte shokun e ngushtë të vëllait, Muharremit, xhaxhait tim, i cili kishte qenë nënkryetar i Shoqërisë “Bashkimi” që e drejtonte Avniu. Gjatë viteve të Monarkisë, familja jonë pati konsekuenca nga njerzit e Zogut që na vinin taksa të rënda, për shkak të qëndrimit profanolist që kishin mbajtur dy xhaxhallarët, Sejfiu me Muharremin, të cilët në atë kohë kishin emigruar jashtë Shqipërisë si antizogistë”, kujtonte Faslliu për babanë Aliun i cili nga Stambolli i doli në mbrojtje Avni Rustemit.

Refuzon t’i japë nagantin Enverit
Po çfarë qëndrimi mbajti gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Ali Vllamasi dhe familja e tij, e cilat ishin mardhëniet e saj me Enver Hoxhën? Lidhur me këtë, Faslliu kujtonte: “Gjatë viteve të pushtimit fashist, shtëpia jonë Vllamasi në Kolonjë u bë një nga bazat e fuqishme të partizanëve të asaj krahine ku çdo natë aty strehoeshin nga 40-50 partizanë me komandantët e tyre, Qani Dumen, Muhamer Lekën etj., dhe vetë babai, Aliu, u bë komandant çetës territoriale të partizanëve të fshatit Novoselë dhe kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Gjatë viteve të Luftës, aty erdhi dhe vetë Mehmet Shehu, të cilin familja jonë e priti me të gjitha nderet dhe kalit të tij i hodhëm për të ngrënë 15 kg. grurë.

Po kështu përveç babait dhe xhaxhait Muharremit, që ishte partizan në Shtabin e Pezës, nga familja jonë, ne të katërt fëmijët e Aliut dolëm partizanë. Vëllai i madh Novruzi ishte në Brigadën e V-të, Fahriu në Batalionin “Hakmarrje” dhe Brigadën e IV-ët, motra Razija në Batalionin “Hakmarrje” dhe Brigadën e XV-të, kurse unë që nga debatikas u inkuadrova në Brigadën e II-të. Gjatë viteve të Luftës, familja jonë kishte mardhënie shumë të mira me Enver Hoxhën, i cili disa herë vinte tek shtëpia e xhaxhait tonë Muharremit, që në atë kohë banonte si qeraxhi tek Mënikët në Tiranë. Gjatë një dreke në atë shtëpi kur Enveri kishte ardhur së bashku me Dr. Ymer Dishnicën, ai i kërkoi babait Aliut, nagantin që ai mbante në brez, por babai nuk ia dha duke i thënë se atë e kishte kujtim nga i vëllai Muharremi. Pas kësaj Enveri i tha: Ali, mbaje nagantin, por ta përdorësh vetëm për ne”, kujtonte Faslliu atë kohë kur babai i tij nuk ia dha Enverit nagantin që ai i kërkoi.

Në burg për nagantin
Po si u trajtua pas Luftës familja Vllamasi? Lidhur me këtë Faslliu kujtonte: “Pas mbarimit të Luftës dhe me ardhjen e komunistëve në pushtet, menjëherë për familjen tonë filluan peripecitë. Në fakt ato kishin filluar që gjatë Luftës kur babai ishte kryeplak dhe partizanët donin ta dënonin duke e akuzuar se kishte përvetësuar 100 kg. sheqer, gjë për të cilën më vonë kërkuan falje. Në vitin 1964, kur Reforma Agrare i mori babait katër hektar tokë, ai shkoi në një miting në Ersekë dhe i tha Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Muço Strelcës: “Përse luftuam ne, që të na lëshosh ti rebelët si Ymer Lamçja, e të na i marrin tokat që i kam blerë me flori?” Pas kësaj Muço Strelca dha urdhër që të arrestohej Aliu, por nga turma pati mjaft reagime dhe njerzit bërtisnin, duke thënë se nuk mund të arrestohet komandanti trim Ali Vllamasi. Por atë që nuk e bënë dot në atë miting, regjimi komunist e bëri më vonë në dhjetorin e vitit 1966, kur babanë e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet burg, duke e akuzuar “për armëmbajtje pa leje”, se nuk kishte dorzuar nagantin që dikur ia kishte kërkuar Enver Hoxha dhe ai nuk ia kishte dhënë”, përfundonte rrëfimin e tij Faslli Vllamasi, duke shtuar se pas daljes nga burgu të Aliut, ata u shpallën kulakë dhe tre herë u tentua që t’i internonin, por ata mundën që të shpëtonin vetëm në saj të ndërhyrjes së gjeneral-major, Petrit Dumes, i cili ua lehtësoi disi persekutimin që u erdhi pas burgosjes së Sejfiut, njërit prej personaliteteve më të mëdha të politikës shqiptare të gjysëmës së parë të shekullit të kaluar.

Familja Vllamasi, të diplomuar në Turqi, Francë e Itali
Lidhur me origjinën dhe të kaluarën e familjes Vllamasi, Faslliu dëshmon: “Familja jonë Vllamasi është tepër e njohur në të të gjithë atë krahinë dhe babai im Aliu ka qenë djali i dytë nga pesë djem e dy vajza që ka pasur gjyshi, Myrteza Vllamasi, i cili nga vitet e fundit të shekullit të IX ka qenë si komandant i çetës së asaj krahine që njihej ndryshe dhe si çeta kundër “berihajt të turqëve”. I parë nga djemtë e familjes së babait tim, ka qenë Sejfiu, e pas tij ishin, Aliu, Avdyli, Ademi dhe Muharremi që ishte më i vogli i pesë vëllezërve. Sejfiu u lind më 15 shtator të vitit 1879 dhe pasi studjoi në Edrene të Tuerqisë u diplomua në Vjenë për Veterinari ku dhe fitoi gradën Doktor i Shkencave. Sejfiu është i njohur për pjesmarrjen e tij në jetën politike të Shqipërisë që nga vititi 1905, kur u kthye nga studimet dhe u emërua si kryeveteriner i Bashkisë së Tiranës. Gjatë karrierës së movonëshme politike Sejfiu u zgjodh disa herë si deputet i Parlamentit shqiptar dhe Ministër. Pas mbarimit të Luftës ai u dënua nga regjimi komunist me dhjetë vjet burg politik dhe disa vjet internim dhe vdiq në moshën 97 vjeçare në qytetin e Fierit.

Dy vëllezërit e tjerë të babait tim, Avdyli dhe Ademi pas emigrimit të familjes në Turqi, qëndruan aty dhe nuk u kthyen kurrë më në Shqipëri. Avdyli u shkollua në Universitetin e Stambollit për Histori-Filologji dhe vdiq fare i ri në moshën 29 vjeçare, pasi kishte punuar disa vjet si mësues. Xhaxhai tjetër, Ademi, nuk mbaroi asnjë shkollë të lartë, por punoi dhe u pasurua shumë, e vdiq po në Stamboll në moshën 76 vjeçare. I fundit nga vëllezërit Vllamasi, ka qenë Muharremi, i cili u shkollua në Itali duke u diplomuar dy herë: për Ekonomi në Bari dhe për Drejtësi në Romë. Gjatë viteve të pushtimit, (1939-1943) Muharremi për disa kohë u bë nënkryetar i Partisë Fashiste të Shqipërisë, por më pas ai kaloi me Lëvizjen Antifashiste dhe pasi i kishte ndihmuar shumë krërët kryesorë të Partisë Komuniste, duke u dhënë informata të ndryshme, ai u zgjodh në Shtabin e Pezës. Pas Luftës, Muharremi punoi në disa detyra të larta të administratës shtetërore dhe më pas u internua në qytetin e Durrësit, ku dhe vdiq në mjerim të thellë në vitin 1973./Memorie.al/