MENU
klinika

"Nuk të takon të fyesh e shpifësh"

Bëri thirrje për mosbindje civile, Rama i përgjigjet Edmond Budinës

17.05.2020 - 14:07

Kryeministri Rama ka reaguar pak çaste për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe deklaratat e forta të bërë nga regjisorë e artistë të shumtë që vazhdojnë ende qëndresën.

Në reagimin e tij, Rama i ka kthyer përgjigje regjisorit Edmond Budina, i cili menjëherë pas lirimit nga Policia ka shkuar te Teatri dhe ka bërë thirrje për mosbindje civile. Rama i thotë Budinës se atij nuk i takon të shajë dhe të fyejë se fyerja nuk është art.

“Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës”, shkruan Rama nër të tjera.

REAGIMI I PLOTË:

Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika, Luftar Paja, Gëzim Kame, Viktor Zhusti, Ruzhdi Pulaha, Pirro Milkani, Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë, që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…

Je në të drejtën tënde të mendosh njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin, kulturën, teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre me bishtin kular në këmbët e Shqipërisë, ku çdo punë e jona përbaltet me fjalorin ekstrem të vulgaritetit..

Por ty nuk të takon të shash, fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë, bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd…

Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës!