MENU
klinika

Robert Bosch: Të veprohet kundër veprimeve serbe

“Çfarëdo qeverie të ketë Kosova, jepini fund kohës së mosveprimit”

28.05.2020 - 12:38

Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch ka bërë thirrje që të ndërmerren veprime konkrete drejt njohjeve për Kosovën, pavarësisht se çfarë qeverie do ta ketë vendi.

“Çfarëdo qeverie të ketë Kosova, kohës së mosveprimit duhet t’i jepet fund”, ka shkruar ai përmes Facebookut.

Bosch ka thënë se lypsen veprime për t’i bindur të gjitha shtetet për ta njohur Kosovën.

“Mbi të gjitha të veprohet kundër veprimeve serbe për çnjohje, bazuar në të pavërtetat dhe gënjeshtra. Një ‘ndihmë kujtese’ do të mund të krynte punë në këtë drejtim dhe duhet t’i dërgohet të gjitha anëtareve të OKB-së, si në Neë York, ashtu edhe përmes ambasadave kudo”, kërkon ai.

Sipas ish-ambasadorit, duhet pasur parasysh se një “ndihmesë” e tillë mund të jetë e re, pasi që shumë pak dijnë se çfarë po ndodh në rajon.

Lexojeni në vijim “aide memoire” të propozuar nga Boschi:

Republika e Kosovës me këtë dëshiron të reagojë ndaj fushatës së vazhdueshme të Serbisë dhe veçanërisht, shumë aktivisht, nga Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, për t’i bindur vendet që ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës si një shtet të pavarur mbi baza të diskutueshme.

Së pari, ky veprim bie në kundërshtim me pikën 14 të “Marrëveshjes së parë të principeve që rregullojnë marrëdhëniet e një normalizimi”, të prillit të vitit 2013, ku thuhet se “është rënë dakord që asnjëra palë nuk do ta bllokojë, apo të inkurajojë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”.

Së dyti, Serbia vazhdon të theksojë se shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, ishte kundër rregullave ndërkombëtare, derisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) në Hagë, më 22 korrik 2010 vendosi që “miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, sepse e drejta ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalim për shpalljen e pavarësisë dhe as miratimi i deklaratës së pavarësisë nuk ka shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi kjo nuk e përshkruan statusin përfundimtar të Kosovës.

Së treti, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, për dallim prej rezolutave tjera të të lidhura me deklaratat e pavarësisë, shtroi rrugën për statusin përfundimtar të Kosovës në paragrafin 11, në të cilin nuk e kërkoi pëlqimin e ish-Republikës së Jugosllavisë apo të Serbisë dhe as nuk e parapau ruajtjen e integritetit territorial të saj. Rrjedhimisht, Rezoluta 1244 e lartësoi statusin final politik të Kosovës, prej një çështjeje të brendshme, drejt një kontesti të rregulluar nga e drejta ndërkombëtare, duke e bërë “de facto” rast unik.

Së katërti, Serbia po ashtu pretendon se dialogu, që po vazhdon, i sponzorizuar nga BE-ja, midis Serbisë dhe Kosovës e ka hapur sërish tërë procesin, kështu që më mirë është që njohjet të mbahen pezull. Kjo s’ka të bëjë me të vërtetën pasi që dialogu i ndërprerë, ashtu si e bën të qartë edhe Marrëveshja e Parë e sipërpërmendur, synon “de facto” të normalizojë raportet midis dy shteteve, e jo ta rihapë çështjen kryesore.

Së pesti, Serbia pretendon të jetë “de facto” shteti i vetëm pasardhës i ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë, ndonëse është vetëm një prej tyre, teksa thërret për përkrahje në këtë çështje, në shumë raste duke iu referuar lidhjeve dhe miqësive të dikurshme, posaçërisht me Titon, që as që ishte serb.

Në fund, regjimi i Milosheviqit i RFJ-së dëboi më 1999 përmes forcës dhe kërcënimeve, më shumë se gjysmën e popullsisë së Kosovës prej shtëpive dhe pronave të tyre, gjë kjo e paparë në historinë më të re evropiane, duke krijuar në këtë mënyrë përçarje midis popullsisë shumicë shqiptare dhe asaj serbe, ashtu si edhe popullsive tjera. Këto plagë lëngojnë edhe sot, por përmes dialogut të përmendur po synohet normalizimi.

Për ta përmbyllur, Qeveria e Republikës së Kosovës u kërkon të gjitha shteteve anëtare të OKB-së ta njohin këtë shtet të ri, pasi që një gjë e tillë nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, nuk krijon precedent dhe është më shumë se fer në historinë më të re.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Publikon listën e shteteve që ndihmuan Shqipërinë

Ish-ambasadori i OSBE-së: Çfarë turpi! Hollanda e pasur nuk është aty!


“Rusia e Kina kanë zgjeruar ndikimin në rajon”

Kurti: Serbia do të jetë rrezik për sigurinë e Kosovës dhe…

Deri tani 13 persona kanë humbur jetën

Pamjet/ Shembet streha në stacionin hekurudhor në Serbi

"Projektligjet për serbët në Kosovë nuk i shkelin zotimet e dialogut"

U kritikua nga SHBA dhe BE, reagon Serbia