MENU
klinika

Homazhe në krah të njëri-tjetrit

Dita e Dëshmorëve bën bashkë Ramën e Metën

05.05.2020 - 09:23

Ndonëse ky 5 Maj u kujtua pa ceremonitë e zakonshme për shkak të pandemisë së COVID 19, në Varrezat e Dëshmorëve, krerët më të lartë të Shtetit zgjodhën të ishin bashkë.

Kështu, Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci janë përkulur bashkë përpara të rënëve për Atdheun.

Kohët e fundit në media është folur për një zbutje marrëdhëniesh mes Presidentit e Kryeministrit, nisur nga miratimi që Meta i bëri ndryshimeve në Kodin Penal.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nderoi dëshmorët e atdheut në ditën e veçantë të përkujtimit të tyre. Zoti Basha vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, tek Varrezat e Dëshmorëve”, si dhe u përkul me nderim përpara Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.

Edhe kreu i opozitës vendosi një kurorë me lule edhe në nderim të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish ambasadën sovjetike, në simbol të nderimit të opozitarizmit dhe shprehjes së lirë. Ky 5 maj, i kremtuar pa ceremonitë e zakonshme, ishte një rast që Kryetari i Partisë Demokratike të vendoste lule në nderim të kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan, në një mision të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO.

Kreu i opozitës bëri homazhe edhe para efektivëve të policisë të rënë në krye të detyrës në luftë kundër krimit, si dhe vendosi lule ne varrin e Dëshmorit te Atdheut Skerdilajd Llagami, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës.