Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti e cilëson një lloj ilaçi, kure stinën e verës për koronavirusin e ri COVID-19. Në një lidhje ‘skype’ në News24, Alimehmeti bëri apel për respektimin e masave dhe vitimin e grumbullimeve. Ai tha se deri tani Shqipëria është në një situatë të mirë duke iu referuar shifrave zyrtare.
“Grumbullimet e njerëzve janë me shumë risk. 90% e rasteve me COVID janë kontakteve të personave të prekur më parë.
Rritja thjesht e numrave, rasteve të reja por kapaciteti spitalor mbetet njësoj, është e qëndrueshme gjendja në spitale do të thotë që ne jemi relativisht të qetë. Nuk kemi vdekje. Kemi vetëm 3% të shtretërve të zënë, kemi kapacitet 97%. Jemi shumë mirë nga ky drejtim. Sëmundje të llojeve të ndryshme kalojnë në popullatë por bëhen serioze në momentin që kanë nevojë për kujdes spitalor apo intensiv”, deklaroi Alimehmeti.
Sa i përket hapjes së kufijve, ai tha se sipas direktivave të BE hapja mund të bëhet mes vendeve që kanë një situatë epidemiologjike të ngjashme.
“Hapja e kufijve sipas direktivave të BE duhet të bëhet mes vendeve që kanë një situatë të ngjashme. Situata epidemiologjike është e ngjashme me shtetet që na rrethojnë, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, me shtetet që jemi në kontakt direkt, kemi një ngjashmëri dhe risku nuk duket i lartë. Italia është shumë lartë. Serbia nuk është aq lartë, në Ballkan është më keq por i gjithë Ballkani është mirë”, tha ai.
Alimehmeti tha se rritja e temperaturave ul koeficientin e infektimit me COVID-19.
“Çdo rritje e temperaturës e ul me 3.8% koeficientin R dhe çdo përqindje lagështie e ul me 2.4% që do të thotë stina e verës është një ilaç por nuk e zhduk krejtësisht. Nëpër ambiente të jashtme, në sipërfaqe inerte është gjetur por është i paaftë për të infektuar njerëzit. Gjatë verës duhet të jemi relativisht të qetë por kyçi është evitimi i grumbullimeve”, tha ai.
Në lidhje me hapjen e bareve e restoranteve, Alimehmeti këshilloi të shmangen vendet ku ka mbipopullime.
“Gjithkush e sheh se sa njerëz ka një ambient. Nëse numri i personave është i qartë dhe shkon në linjë me predispozitat ligjore rreziku minimal. Nëse ambienti është i mbipopulluar duhet evituar”, tha ai.