MENU
klinika

Karantina

“Falë zotit kemi njohur fqinjët”

10.05.2020 - 13:43

Pasi autoritetet bllokuan çdo aktivitet publik, duke detyruar pjesën dërrmuese të qytetarëve të qëndronin në shtëpi, papritur, fqinjët u kthyen në gjithçka që kemi. Pavarësisht krizës së rëndë shëndetësore, njerëzit janë parë duke biseduar, qeshur madje edhe duke ngritur dolli nga ballkonet në të gjithë Italinë fqinje, ku banorët kanë qëndruar të izoluar për gati tre muaj, më shumë se çdo vend tjetër në Europë.
Distancimi shoqëror duket se po ndihmon në bashkimin e komuniteteve, me mijëra qytetarë në të gjithë Europën apo SHBA-në që kanë rrëfyer duke thënë se kanë folur për herë të parë me fqinjët.

Një studim në Europë zbuloi se 64 për qind e qytetarëve besojnë se Covid-19 po i ndihmon të afrohen më shumë me fqinjët, përmes kujdesit për njeri tjetrit apo akteve të mirësisë. Gati një e katërta (23 për qind) e pjesëmarrësve në studim thanë se kishin pasur kontakte me një fqinj gjatë izolimit për t’i ofruar ndihmë dhe një e treta tha që ata kishin bërë blerje për ata që nuk mund të dilnin nga shtëpia.
Në Italinë e Jugut, komunitetet kanë treguar se distancimi shoqëror nuk do të thotë se nuk mund të kaloni një pasdite të bukur. Banorët në qytetin e Bellas gjetën një mënyrë për të pirë së bashku ndërkohë ishin në karantinë. Ata kanë përdoruar shkopinj të gjatë për të mbajtur gotat dhe për të ngritur dolli nga ballkonet e tyre.

Fqinjët mund të dëgjohen duke thënë: “Saluti!”
“Duke pasur parasysh situatën, ne menduam se do të ndjeheshim më pranë duke ngritur dolli në distancë,” thotë Ricigliano, një nga banorët që shihet në video. “Falë zotit kemi pasur fqinjët!”

Bisedat nëpër ballkone, lajmet e këqija që diskutohen me fqinjët dhe dëgjimi i muzikës apo këndimi i këngëve të vjetra së bashku është kthyer në një terapi jo vetëm në Itali por në mbarë botën.

“Kriza e koronavirusit mund të jetë duke shkaktuar stres dhe frikë, por gjithashtu ka nisur një valë mirësjelljeje në të gjithë Europën”, thekson Siobhan Freegard, themeluesi i kompanisë britanike që realizoi studimin. “Njerëzit po lënë pas politikën dhe ndasitë e tjera për t’u përqendruar tek njëri-tjetrit. Të qenit së bashku dhe të mbështeturit tek njerëzit që jetojnë rreth nesh, do t’i bëjë javët dhe muajt vazhdim më të lehtë”
“Unë jetoj në Boston prej 15 vjet dhe kam takuar fqinjë gjatë bllokimit që nuk e dija se jetonin në lagjen time” thotë Shameek Ray, një avokat amerikan. Ai dhe fqinjët e tij komunikojnë përmes grupit të tyre WhatsApp.

“Nëse se kam nevojë për patate. Unë postoj në grup, dhe dikush mund të më ofrojë, “thotë ai. “Kjo na mundëson të kemi atë që na nevojitet pa pasur nevojë të dalim gjatë bllokimit.”
Studimi tregoi gjithashtu se 49 për qind e pjesëmarrësve thonë se karantina i ka afruar edhe më shumë me partnerin e tyre. Ndërkohë që njerëzit shmangën baret dhe restorantet, 43 për qind e njerëzve të anketuar shtuan se kishin mësuar ta shijonin jetën “në shtëpi” me shikimin e një filmi apo gatimin me partnerët.