MENU
klinika

“Një lajm i mirë për kurimin”

Identifikohet antitrupi që ndalon Covid-19 të infektojë qelizën

05.05.2020 - 09:12

Shkencëtarët shprehen se kanë zubluar një antitrup që bllokon infeksionin nga SARS-CoV-2 dhe ky do të ishte një lajm shumë i mirë për kurimin e këtij virusi. Antitrupi i njohur si 47D11, shënjestron proteinat famëkeqe në formë kurore të virusit të cilat kapen pas qelizave dhe fusin tek ato materialin gjenetik të tyre. Testimet në qelizat e minjve kanë treguar se 47D11 lidhet pas proteinës së virusit dhe e ndalon këtë të fundit të futet tek qelizat e shëndetshme, pra me fjalë të tjera realizon neutralizimin e virusit.

Kjo arritje jep shpresë për kurimin e sëmundjes respiratore COVID-19 e cila ka vrarë më shumë se 235,000 njerëz gjer më sot. Kërkuesit shprehen se antitrupat nëse injektohen tek njerëzit mund të evitojnë infeksionin e këtyreve të fundit nga virusi si dhe t’i mbrojë ata nëse ekspozohen nga dikush që është i sëmurë me koronavirus. Ilustrim konceptual për trajtimin, diagnostikimin dhe parandalimin e COVID-19. Këtu tregohen antitrupat që sulmojnë virusin SARS-CoV-2. Ekipi i kërkuesve europianë e ka identifikuar antitrupin nga 51 linjat e qelizës së minjve që janë modifikuar biologjikisht të mbartin gjenet e njerëzve.

Antitrupi shënjestron koronavirusin që shkaktoi shpërthimin e SARS-it gjatë 2003-shit, i njohur ndryshe me emërtimin SARS-CoV-1. Sidoqoftë shkencëtarët pretendojnë se ky antitrup mund të neutralizojë dhe SARS-CoV-2 që vjen nga e njëjta familje e koronaviruseve si ai i SARS-CoV-1

“Kërkimi ynë bazohet mbi punën që grupet tona kanë bërë në të shkuarën mbi shënjestrimin e SARS-CoV (që u shfaq në 2003-shin) nga antitrupat”, shprehet bashkëautori i këtij studimi profesori Berend-Jan Bosch në Universitetin e Utrehtit në Hollandë.

“Duke përdorur sasinë e akumuluar të antitrupave të SARS-CoV ne kemi mundur të identifikojmë një antitrup që neutralizon gjithashtu tek qelizat e kultivuara SARS-CoV-2shin (pra koronavirusin aktual).

Ky antitrup neutralizues ka potencialin për të ndryshuar rrjedhën e infeksionit tek pritësi (pra individi) i infektuar, të mbështesë eliminimin e virusit ose të mbrojë një individ të pa infektuar që është i ekspozuar ndaj virusit.”

Doktor Bosch shton së aftësia e antitrupave në neutralizimin e të dy llojeve të SARS-CoV sygjeron se ka potencial që të realizojë evitimin e sëmundjeve të shkaktuara nga koronaviruset e ardhshëm. SARS-CoV-2, i cili është përgjegjës për sëmundjen e njohur si COVID-19 përhapet përmes pikëzave të vogla (në terminologjinë angleze droplets) respiratore nga teshtimi apo kollitja. Virusi kapet pas qelizës njerëzore për të futur materialin e tij gjenetik e më pas bën disa kopje të vetes duke u përhapur kështu brenda gjithë trupit.

Në laborator, kërkuesit kanë injektuar qelizat e minjve me një varietet proteinash të koronaviruseve të ndryshëm, duke përfshirë këtu SARS-in dhe MERS-in. Ekipi më pas ka izoluar 51 antitrupat neutralizues të prodhuara nga qelizat e minjve që kanë shënjestruar proteinat famëkeqe në formë kurore të virusit, njëra prej këtyre antitrupave ishte dhe 47D11 e cila mund të ndalonte infeksionin e qelizave prej SARS-CoV-1. Antitrupi i suksesshëm 47D11 lidhet pas një enzime të quajtur ACE2 e cila gjithashtu është prezente në SARS-CoV-2 dhe shërben si një urë transmetimi për tek qelizat njerëzore.

“Kërkuesit në këtë studim kanë zhvilluar një antitrup që lidhet pas kurorës famëkeqe të virusit dhe bllokon virusin të hyjë brenda qelizave”, shprehet Doktor Simon Clarke, profesor i Mikrobiologjisë Qelizore në Universitetin e Reading, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë studim.

“Këto lloj antitrupash mund të krijohen në laboratorë në vend të prodhimit të tyre nga gjaku i njerëzve si dhe mund të përdoren fare lehtësisht si kurë për këtë sëmundje, por kjo nuk është demonstruar akoma”.

“Ndonëse ky përbën një zhvillim interesant, injektimi i antitrupave tek njerëzit nuk është pa rrezik dhe duhet që të kalojë disa faza testimesh e provash përpara se të dali në treg”.

Ndërkohë kërkuesit megjithëse kanë injektuar qelizat e minjve me proteinat e koronaviruseve që shkaktojnë SARS, MERS dhe gripin e zakonshëm, ata nuk kanë injektuar tek ato dhe SARS-CoV-2shin që shkakton COVID-19. Kërkimi gjithashtu është realizuar tek qelizat, por jashtë kafshëve (ndryshe njihet e me emërtimin “in vitro”) e jo brenda organizmit të gjallë (që njihet me emërtimin “in vivo”).

“Ka disa modele të infeksionit të covid-19 te kafshët dhe pa patur rezultate nga studimet in vivo nuk është e mundur të konkludohet se produkti do të jetë efektiv tek njerëzit në mënyrë in vivo”, shprehet doktor Penny Ward profesor në Shkollën e Farmacisë Medicinale të Kolegjit King në Londër.

“Ky potencial do të mund të zmadhohet ndjeshëm nëse efekti antiviral observohet në një model kafshe”.

Antitrupat natyrorë janë proteina të mëdha në formë Y, të ilustruara më lart, që patrullojnë trupin në kërkim të sëmundjeve. Përqëndrimet e larta të antitrupave mund gjithashtu të kërkohet që të jenë efektivë e në in vivo. Antitrupa është gjeneruar duke përdorur teknologjinë transgjenike të miut H2L2 (H2L2 transgenic mouse) nga kompania amerikane Harbour BioMed.

“Akoma e më shumë punë nevojitet për të vlerësuar nëse ky antitrup mund të mbrojë apo reduktojë ashpërsinë e sëmundjes tek njerëzit”, shprehet Doktor Jingsong Wang, themelues e drejtues ekzekutiv i Harbour BioMed.

“Por ne besojmë se teknologjia jonë mund të kontribuojë në adresimin e kësaj nevoje publike urgjente si dhe po ndjekim njëkohësisht disa rrugëtime të tjera kërkimi për ta mposhtur këtë virus.”/ Ky zbulim është publikuar online në Nature Communications.