Teori të ndryshme janë hedhur edhe në Shqipëri teksa bëhen analizat për të zbuluar se kur ka mbërritur vërtetë Covid-19 në Shqipëri.
Disa vijojnë të mbështesin teorinë se Covid erdhi me të supozuarin pacienti Zero, në Mars, por ka edhe nga ato të cilët e hedhin poshtë këtë ide duke propozuar se Koronavirusi në Shqipëri ka qenë i pranishëm edhe me herët, se paku rreth 2 muaj.
Së fundmi, mjeku i njohur Gëzim Xhepa ka postuar disa imazhe të marra nga imazheristi Dr. Renato Osmenaj, prej ku edhe përmes shpjegimit të mjekut mund të vrojtoni se Covid-19 ka qenë i pranishëm në vend që në 15-20 Janar.
Më tej, mjeku Xhepa i kërkon Komitetit të Teknikës që këto të dhëna të merren seriozisht, pasi Shqipëria mund të konsiderohet edhe si një lagje e Milanos, fatkeqësisht, duke patur parasysh lidhjet e ngushta me fqinjët.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
“Të nderuar miq…!!! Ndonëse prej 6 javësh në median vizive dhe të shkruar, kam hedhur hipotezën dhe argumentet e tërthorta logjike për praninë e coronavirusit në Shqipëri që në muajin shkurt dhe kalimin e pikut të epidemisë para vendosjes së karantinës, gjithnjë më është kërkuar nga skeptikë argumenti faktik, për të cilin kam tre javë që i kërkoj departamentit të imazhërisë të fillojë hulumtimin e imazheve pulmonare të epidemisë Janar – Shkurt 2020…!
Sot, falë mikut dhe kolegut tim të nderuar Dr. Renato Osmenaj…, imazheristit që ishte i pari, që që javën e parë pas zbulimit të të ashtuquajturit rast 0, identifikoi fizionominë dhe identitetin imazherik pulmonar të COVID-19… dhe potencën e ekzaminimit CT ndër ekzaminimet e skemës bazë për diagnostikim dhe përcaktim prognose…, mu ofruan imazhe të pakundërshtueshme të prezencës së COVID-19 në datat 15 – 20 janar, në disa raste në Infektiv…!!!
Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur duam s’duam ne, për komunikimet e ngushta dhe lëvizjet e shumta njerëzore me Italinë e Veriut, Shqipëria mund të kosiderohet lagje e Milanos…!!! Tani i takon Komitetit të Teknikës të marrë seriozisht këto fakte, për përcaktimin e një strategjie të qartë dhe të shpejtë zhbllokuese, për kalimin nga izolimi në distancim, duke kthyer në normalitet brenda një edukate distancimi jetën sociale, ekonomike dhe shëndetësore në vend…!!!
Faleminderit Dr. Renato…, jo vetëm për menaxhimin pa panik, por me vigjilencë të situatës së karantinës, nëpërmjet centralizimit dhe koordinimit nacional imazherik për suspektim sa më të hershëm të sëmundjes dhe prevenimin e kaosit, që mund të kish shkaktuar strategjia e gabuar e numrit 127…, por edhe për ndihmën që po jep për Komitetin Teknik për konfuzionin në pritjen e pikut epidemiologjik…!!! Po ju ofroj pamjet imazhërike të pesë rasteve, duke ju kujtuar që janë pronë intelektuale e Dr. Renato Osmani dhe i publikoj me aprovimin e tij, duke mbrojtur të drejtën e tij të autorit…!!!”
Ndërkohë kujtojmë se, vetëm pak ditë më parë mjeku Tritan Kalo nuk e përjashtoi një mundësi të tillë, duke përmendur se virusi mund të ketë qarkulluar në vendin tonë që prej muajit janar, marrë shkas edhe nga numri i lartë i qytetarëve që kanë pasur shenja klinike të ngjashme me ato të Covid 19. Por gjithashtu mjeku Kalo shtoi se do të ishte testi serologjik ai i cili do të hedhë dritë edhe në këtë drejtim.
Kjo teori e dr. Kalos ka ardhur pas asaj çka Konica solli në vëmendje përmes një shkrimi të analistit Shpëtim Nazarko, i cili përmes një interpretimi të shifrave të marra nga ISHP (Instituti i Shëndetit Publik), ku realizohet një krahasim i aktivitetit të “Infeksioneve Respiratorë të Sipërme dhe të Poshtme”, si dhe pragu epidemik, arriti të hedhë arsyetimin, se Covid-19 në Shqipëri mund të ketë ardhur jo në Mars, por ndoshta edhe më herët.