Mentor Nazarko
Kam lindur në 1966 në Lushnjë. Nuk e mbaj mend kur kam dëgjuar për herë të parë për Dritëro Agollin, por ende më vijnë në mend si tani debatet që bënim me shokët dhe shoqet nga tetëvjeçarja e deri në universitet se kush ishte shkrimtari më i madh i Shqipërisë, Dritëro Agolli apo Ismail Kadare. Kompromisi arrihej pas diskutimeve të gjata, të cilat përsëriteshin sa herë në debat përfshihej një zë i ri : Dritëroi ishte poet dhe tregimtar më i mirë, kurse Ismaili romancier më i mirë. Normalisht unë zgjidhja Dritëroin, mbase jo në mënyrë të vetëdijshme për cilësitë e tij si shkrimtar, apo tërësisht për to, sesa i ndikuar nga origjina e tij :nëna e tij Hatixhe ishte nga Nazarkot, e lindur në fshatin e babait tim, Helmës. Ai fliste publikisht për origjinën e nënës së tij, ndonëse jo njëlloj si për Devollin; shkonte në fshatin e Xhexhesë si e thërriste ai ; fshatarët e Helmësit e vizitonin në zyrë dhe në shtëpi, në shtëpinë time flitej për këtë gjë me krenari dhe ky ishte motiv i mjaftë për mua që të zgjidhja Dritëroin.Dhe këtu dua të kujtoj një detaj të mëvonshëm nga qindra bisedat e mëpastajme që kam bërë me të. Dritëroi kurrë nuk e ka sharë Ismailin, megjithë cytjet e vazhdueshme të atyre individëve, gazetave apo grupeve që synonin të prodhonin polemika prej përplasjes midis dy titanëve. Ai gjithmonë e ka vlerësuar atë dhe Ismaili gjithashtu ka bërë të njëjtën gjë, të paktën me mua !
Më pas shumë shpesh kam dëgjuar për të në kohën kur pasi mbarova gjimnazin e Lushnjës me të gjitha dhjeta, u përplasa me një mur të madh : nuk mund të shkoja në universitet për arsye të « biografisë së keqe ». Ishte kjo një shprehje që nënkuptonte se paraardhësit e mi ishin kundër regjimit. Konkretisht gjyshi im, babai i nënës ishte arratisur në Greqi, në Gjermani dhe kishte përfunduar në SHBA megjithë vëllain e vet, dhe nipin qënë vitin 1945. Një xhaxha tjetër i nënës ishte pushkatuar si xhandar që kishte rrahur një prift. Gjyshi i babait, stërgjyshi, njohës i disa gjuhëve, përkthyes i ushtrisë gjermane ishte pushkatuar si bashkëpunëtor i tyre. Nëna ime ishte internuar për këtë arsye (derisa ishte martuar me babain tim) dhe dajat e mi vijonin të jetonin në fshatrat e internimit pa ndërprerje prej 1945-ës.
E bëra këtë parantezë biografike jo për të ekzaltuar antikomunizmin tim gjenetik, por për të treguar se pse nevoja nga viti 1984 deri në 1989, na shtyu të trokisnim më në fund tek dera e Dritëroit, komunistit më të famshëm të fshatit tonë, që edhe ai kishte xanxat e veta. Kushërinj të tjerë shumë më të afërt, oficerë komunistë, nuk kishin guxuar dhe as mundur të na ndihmonin. Dritëroi ishte shpresa jonë e fundit, përveç letrave, apo telegrameve të gjata dhe që kushtonin shumë e që ne dërgonim në Komitetin Qendror në adresë të Enver Hoxhës, formuluar nga Shpëtimi, im vëlla. Sekretarët e parë rajonalë të partisë që u ndërruan, ata poshtë tyre, kryetarët e komitetit në ato vite nuk bënë asgjë, madje as nuk jepnin arsyen e vërtetë pse unë nuk lejohesha të shkoja në Universitet, derisa u shfaq ai… Dritëroi. Dritëroi ishte i famshëm se kishte ndihmuar shumë të rinj të talentuar jo thjesht në letërsi, jo thjesht nga zona e vet, por nga gjithë Shqipëria.
Dritëroi ju përgjigj lutjes sonëdhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, duke na frymëzuar një besim të jashtëzakonshëm dhe dalje nga trishtimi dhe dhimbja e atyre ditëve dhe viteve. Ai erdhi në Lushnjë, takoi tre vjet-nga 1987 deri në 1989- shefat lokalëtë partisë në qytet, por jo vetëm kaq. Ai fliste me ta dhe në mbledhje të Plenumeve të Komitetit Qendror ku këta sekretarë ishin automatikisht anëtarë të të udhëheqësisë komuniste. Dritëroi që ishte figurë mitike jo thjesht për provincën tonë, u shfaq në qytet së bashku me ne si shenjë mbështetje dhe solidariteti. Mjerisht dhe aiu përplas me të njëjtin mur, ndonëse shkolla bizantine e komunikimit zyrtar ne nukna jepte arsyet e dhunimit të një drejte themelore, kurse atij i thuhej. Shefat e partisë dhe të pushtetit vendor i vendosnin përpara tekstin e letrave zyrtare që vinin nga fshati i nënës sime- Barmash apo nga ai i babait –Helmës, në Kolonjë- ku biografia e paraardhësve të mi vinte
sterrë e zezë ».
I lodhur nga këto ecejake, Dritëroi shkroi një vjershë kushtuar mua – kështu m’u tha- ndonëse vjersha mund të ishte shkruar për dhjetra të rinj si unë që Dritëroi u përpoq të ndihmonte në të njëjtën mënyrë. Vjersha titullohej « Kënga e Zogut » të cilës i mbaj mend sot vetëm një strofë :
Këndon një zog në gjeth të shtogut,
Por një njeri kërkon ta vrasë ;
Se dikur gjyshi i lig i zogut,
Na paska bërë veç një glasë…
Asokohe e kam takuar Dritëroin dhe në mjediset e Lidhjes, në vitet 1985-1989, ku shkoja i tregoja për rezultatet e ecejakeve të mia të pafrytshme në udhëheqësit vendorë të partisë dhe ai serioz nuk më thoshte asgjë, por sigurisht trishtohej si unë. Shfaqesha i ndrojtur fatalisht përballë figurës së tij mitike, por e mbaj mend se gjithmonë më ka pritur dhe pa shumë fjalëështë informuar për situatën. « Do mundohemi prapë », thoshte. Dritëroi ja arriti në përpjekjen e tij ndihmonjëse për mua nëpërmjet dy lëvizjeve. Ai ngarkoi Preç Zogajn, si njëlloj korrespondenti i Zërit apo i Dritës në Kolonjë, në fshatrat e babait dhe nënës sime, për të marrë një tekst më të zbutur të biografisë së prindërve të mi. Komunistët e atyre fshatrave, plot urrejtje a zili për ne, që jetonim në qytet megjithatë ndërsa ata rropateshin në male, dërgonin në Lushnjë një tekst tmerrues, pa bërë dallim në zinxhirin biografik që vlente për të drejtën e studimit, dhe që ndalej deri tek të afërmit e rrethit të parë, apo vijës së parë : gjysh, gjyshe, dajë, xhaxha. « Familja e… Nazarkos është e përbërë nga armiq që janë arratisur jashtë vendit. Kështu, gjyshi, xhaxhai, nipi, etj, etj, për shkak të sjelljeve armiqësore, u detyruan të arratiseshin në vitin.. Një tjetër i afërm, xhaxhai… është pushkatuar. », e kështu me radhë. Ky tekst toptan ishte mur i lartë që askush nuk guxonte edhe sikur të donte, që ta largonte para meje. Pa folur që kjo hallkë e sistemit ishte konceptuar kësisoj nëpërmjet skemës bizantine që konstruktonin besnikët e regjimit në mënyrë biografike. Përpjekja e Preçit, (që me siguri kishte folur hollësisht dhe me Dritëroin, për të përdorur dhe emrin e tij tek komunistët vendorë të Kolonjës) synonte që raportimi biografik i kësaj letre të zezë të ndalej vetëm tek gjyshërit të paktën, dhe të mos përfshiheshin dhe « armiqtë e tjerë » sepse bëheshin shumë. « Këta armiq » i përkisnin biografisë së ngushtë të mamasë, sipas rregullave komuniste dhe jo mua. I njëjti arsyetim vlente dhe për babain tim, i cili kishte gjyshin e vet të pushkatuar, ndërsa kishte më anë tjetër të afërm të tjerë të respektuar në sistemin komunist. Ama gjyshi i tij Ali Agalliu ishte pushkatuar !!! Ky stërgjyshi im sipas rregullave të pashkruara nuk mund të quhej problem për mua, por komunistët e fshatit, donin t’ja nxinin babait dhe neve jetën, të përfshirë në një luftë të egër për ekzistencë, e cila kishte në themel dhe motive klasore. Edhe vetë Dritëroi, i vëllai i vet Tajari, kishte vuajtur njësoj, ndaj ai i kuptonte mirë gjithçka ndodhte. Gjithsesi, Preçi duhet t’ja ketë dalë në misionin e vet që ta zbuste sadopak këtë tekst, ndonëse ne nuk kishim si ta dinim përmbajtjen sepse për të kishte sekret të plotë. Teksti dikur gjatë vitit 1989, me të mbërritur në Lushnjë, ra në duart e sekretares së parë të partisë të asaj kohe, Themie Thomai, e cila e dha lejen që unë të shkoja në studime të larta. Dritëroi kishte folur sigurisht dhe me të dhe ajo i kishte premtuar se do më ndihmonte. Kjo ndodhi pas 6 vjetësh gjatë të cilëve mu desh të punoja në punë krahu, në bujqësi, fabrikë tullash, etj, etj.
Nga vizitat e tij në Lushnjë për këtë qëllim mbaj mend si episod të veçantë, ardhjen e tij në shtëpinë tonë. Kjo vizitë në vetëvete ishte një akt guximi, solidariteti që ai-supozoj tani- e bënte për të treguar para rrethit komunist të qytetit, apo strukturave të sigurimit që e ndiqnin, se për të e ashtuquajtura biografi e keqe jona nuk ishte problem. Pra, nëse nuk ishte problem për të që ishte lart, në udhëheqje, nuk do duhej të ishte as dhe poshtë në nivelet vendore të komunistëve. Erdhi një mbrëmje, i shoqëruar nga Nasi Lera, shkrimtar gjithashtu dhe ngjiti e zbriti shkallët e katër kateve ku ne banonim në një pallat punëtorësh të bonifikimeve. Dukej se kishte qenë dhe në ndonjë drekë a darkë shtruar në emër të tij, se kuptohej që kishte pirë pak, por kjo nuk ngjau se ishte problem për cilësinë e bisedës që unë e mbaj mend mu si tani. Si për të më treguar se ishte i qartë në arsyetim, Dritëroi më sfidoi me formulën e binomit matematik (a+b)në katror, të cilën e mbante mend përmendsh : a në katror+2ab+ b në katror, ndërsa të tjerët bisedonin me njeri tjetrin. Asokohe ne ishim të shumë të varfër, por nëna ime, një nikoqire e mirë kishte ruajtur disa nga arrat që jepeshin me listë, (një kilogram në vit për bakllavanë e fundvitit, një zakon i hershëm ky), dhe i kishte hequr mënjanë. I nxori nga vendi i fshehtëarrat për të gostitur mikun e rrallë, i cili nuk hëngri shumë megjithatë. Dhe nëna e gjorë që ndihej fajtore se babai i vet ishte arratisur diçka që na pengonte të gjithë për t’u shkolluar, ja dha në xhep arrat që kishin mbetur mysafirit të rrallë. Dritëroi refuzoi t’i merrte, por kur pa se nëna ime e prekur insistoi shumë, për të mos e fyer atë i pranoi. Dhe me seriozitet tha t’ja jepnim Nasit. Dhe Nasi u përgjigj me gjysmë humori, ndoshta si vijim i ndonjë shakaje të mëhershme të tyre: e di pse thotë të m’i jepni mua ? Sepse do që t’ja çaj unë dhe t’i hajë të çara! Më vonë e mora vesh se ata ishin miq dhe dija shumë mirë ndërkohë se Dritëroi nuk ishte as burokrat dhe as autoritar në marrëdhëniet e tij me njerëzit, përkundrazi, thjeshtësia e tij, mundësia për ta takuar pavarësisht statusit të tij shoqëror ishin të pashembullta. Pa folur për mikpritjen e tij : shtëpia e tij në pallatin e shkrimtarëve jo vetëm ishte han i krejt farefisit, por dhe në ndonjë rast dhe i udhëtarëve të pastrehë që Dritëroi i gjente rrugës.
######
Me Dritëroin jam takuar sërish kur kthehesha prej studimeve në Itali në vitet 1991-1996 dhe si çdo bashkëfshatar nga e ëma e tij (ai më quante dajo për këtë), i kam zënë shtëpinë me ditënetë të tëra, sigurisht me ftesë të tij dhe të zonjës së tij mikpritëse, Sadijes. Bënim biseda të gjata për çështje të ndryshme të tranzicionit, për fshatin tonë dhe ai mburrej (edhe publikisht) me armën e vet të automodestisë : jam budalla si nga Devolli dhe i mençur si nga Kolonja !E mbaj mend sesi prisja që ai të bënte ritualin e vet në mëngjes, apo të gjumit të shkurtër të pasdites dhe e shoqëroja dhe për ndonjë gotë me të cilën lezetonim rrjedhshëm muhabetin.
E kam shoqëruar pjesërisht Dritëroin në një udhëtim prezantues të librit të vet në jug të Italisë që u botua në italisht nga shtëpia botuese « Besa », e Livio Mucit. Nga takimet e tij të ndryshme me nxënës, me autoritete italiane më kujtohet sesi i pyetur për problemet e vendit, Dritëroi nuk ekspozohej kurrë në kritika për udhëheqësit e kohës (Sali Berishën përshembull), duke përdorur një shprehje të urtë : ne kemi një zakon, që rrobat e palara, i lajmë në shtëpinë tonë dhe jo jashtë saj ».
Me Dritëroin kam bashkëpunuar shumë si gazetar, në intervista të ndryshme, të cilat zakonisht vinin pas diskutimesh paraprake, ku si unë, ashtu dhe Shpëtimi i ofronim një optikë tjetër, ballafaquese me atë që ai thithte prej bashkëbiseduesve të tjerë socialistë duke qenë anëtar i forumeve të asaj Partie. Ishte një dialog i jashtëzakonshëm prej të cilit kemi mësuar shumë. Duke qenë të djathtë në origjinë ne i bënim thirrje përmasës së tij kombëtare, mbi palët, mbi partitë, thirrje që rezononte me madhështinë e tij shumëpërmasore edhe në pikëpamje sociale apo politike. Këto ballafaqime të gjata kishin sukses në prodhimin e një mendimi politik tëDritëroit që ishte shprehje e njehsuar e tërë shpirtrave që ngërthente në vete ai njeri i madh, krenar për rrënjët e veta si dukej veçanërisht me pasionin e vet kur këndonte. Në ndonjë rast ne arrinim t’ ja modifikonimpikëpamjet qëai mund të kishte shprehur brenda forumeve të partisë së vet dhe Dritëroi u shkëput kësisoj nga mendimi dominant i asaj partie për çështje të ndryshme, duke shërbyer tamam si patriarku, apo bariu i cili e orienton atë drejt grigjën e tij me largpamësinë e vet.Ai ishte pajtuesi i rrymave brenda forcës së tij politike, babai i partisë, figura identifikuese e saj së jashtmi, mirpo ai kurrë nuk zgjodhi pozicione sektare. Dritëroi i shërbeu pajtimit kombëtar, atij shoqëror, ndonëse u sulmua dhe u demonizua shumë mu për këtë. Ne e nxirrnim nga gjendja e trishtimit ku e fusnin sulmet e egra të partisë kundërshtare, të ideuara nga kreu i saj, Berisha dhe i luteshim që ai të nxirrte nga brenda vetes gjerësinë e tij shpirtërore, vizionin largpamës, moderimin, pragmatizmin prej fshatari pse jo, cilësi që i duheshin klasës sonë politike të ndarë në llogore armiqsh të egër. Dhe disa prej intervistave me gazetën Dita dhe më vonë me ABC-në, gazeta që kishin Dritëroin dhe Ismailin si nunë të tyre, shenjojnë epokën e tranzicionit. Kështu ndodhi kur ai ju përgjigj udhëheqësit të Partisë Socialiste, Fatos Nanos në burg asokohe me një letër të gjatë, letërkëmbim që ndikoi shumë në fatin e asaj partie, në zhvillime thelbësore për jetën e saj dhe të vendit, duke e përgatitur për të ardhur në pushtet. Supozoj se pikërisht për këtë arsye më kërkoi mua që t’ja redaktoja dhe të bëja parathënien e një përmbledhje intervistash që botoi me titullin « Teshtimat e lirisë », ku këtë kontribut tonin e njeh nominalisht. Nuk kishte moment më të bukur se kur na merrte në telefon në mëngjes dhe na tregonte dorëshkrimet të cilat i daktilografonte Sadija : suksesi i atij numri gazete ishte i garantuar ! Intervistat dhe shkrimet e tij për Ramiz Alinë, për Nanon, për kulturën politike, për bektashinjtë, etj, mbeten të paharruara dhe unike !
Dritëroi më tha shumë më vonë se në mënyrë krejt spontane pa ja kërkuar kush, gjatë një dreke me Presidentin e sapozgjedhur të Republikës, profesor Meidanin i kishte shkruar një pusullë ku i kishte propozuar emrin tim si këshilltar. Meidani i ishte përgjigjur atypëraty, se « propozimi yt përputhet plotësisht me idenëqë unë kam për Mentorin ».Kësisoj Dritëroi la gjurmë dhe në një moment tjetër të jetës sime, ndonëse pa ja kërkuar kurrë.
Dritëroi ishte dhe mbeti deri në fund mysafir i festave të mia familjare,dasmës sime veçanërisht, festa gjatë të cilave pati rastin të fliste shpesh me tim atë që e thërriste « Ndriti », dhe të kujtonin bashkëfshatarët e tyre, apo të diskutonin për këngët, folklorin, zakonet, historinë e Kolonjës, krahinës së përbashkët për të cilën Dritëroi ishte krenar. Supozoj se do të bënin një duet të mirë për këngët e Kolonjës të cilët që të dy i dinin përmendsh të gjitha !
Takoheshim me të dhe në Pogradec, ku ai veronte rregullisht, derisa nuk kishte më mundësi të lëvizte.Nga ato takime mbaj mend sesa ëmbëlsisht sillej me fëmijët tanë, si lozte me ta herë pas here, momente që kanë mbetur kujtime të bukura dhe për ta, e që sigurisht nuk kishin ndonjë hall që të mund t’jua zgjidhte Dritëroi zemërbardhë si bëri me babanë e tyre. Madje me Dritëroin dhe mbesën e vet, me gratë tona pas një dreke në Bunën, pjesë e Malit të Zi ku gjendeshim në Panairin e Ulqinit, shkuam me varkë për të parë nga larg plazhin e famshëm të nudistëve, i cili na krijoi momente të bukura humori.
E kujtoj Dritëroin e emocionuar kur bashkë me Rexhep Qosen morën titullin « Nderi i Kombit », një titull që presidenti Meidani e jepte me shumë përkorësi, titull që sigurisht e bëri të lumtur edhe për këto rrethana.
Kam reflektuar për cilësitë e tij komunikative, të cilat nuk shkëlqenin gjithnjë, kur vinte fjala tek disa lloj intervistash, apo një pjesë e fjalimeve pa letër. Dua të besoj se kjo vështirësi e Dritëroit për të nxjerrë jashtë me zë kulturën e tij të thellë edhe akademike- më ka impresionuar njëherë një bisedë e tij e jashtëzakonshme për sociologjinë dhe sociologët modernë të cilët ai i njihte shumë mirë- lidhej me një ndrojtje të tij karakteristike prej fëmijërisë, si dukej me faktin që Dritëroi nuk shihte në sy.Dritëroi me këtë cilësi madje ishte në fakt përjashtim i rrallë, ama i shkëlqyer i asaj aksiomës se njerëzit që nuk shohin në sy janë tinzarë. Jo, Dritëroi nuk ishte tinzar, sepse ishte i gjerë shpirtërisht, i drejtë dhe i drejtpërdrejtë. As në politikë dhe as në forume letrare apo artistike, nuk ka qenë dhe nuk rezulton pjesë e ndonjë kombinacioni, loje të fshehtë, apo dallimi të thellë midis asaj që thoshte dhe asaj që mendonte apo vepronte realisht. Ndonjë ngërç që i vije re në ndonjë prej këtyre intervistave apo fjalimeve pa kartë, mund të ishte pasojë e mungesës së përqëndrimit, apo pse jo dhe të frymëzimit që i vinte nga lloje të caktuara bisedash apo bashkëbiseduesish, por kurdoherë gjeje dëshirën për të folur thjesht si ishte stili i tij unik dhe identifikues. Dritëroi ishte dikush që lexonte shumë libra gjithfarësh në rusisht, frëngjisht, italisht, apo në ndonjë gjuhë tjetër, dhe kënaqej shumë mu si fëmijë kur i dhuroje libra, të cilave ja gjente vendin në kohë reale sipas tematikës në bibliotekën e tij. Personazhet e librave të tij ishin të ditur, ndonëse ai e komunikonte diturinë shumë thjesht si pasojë e tretjes së saj të shëndetshme. Dhe më kujtohet sa kur për të bërë dallimin midis atyre që e kishin nxënë kulturën me lexime dhe jo me dëgjim bisedash të kualifikuara në mjedise familjare, apo rreth shoqëror, ai përdori një shprehje të thukët për të përkufizuar një politikan elokuent, që vinte nga blloku komunist : « ai ka kulturë veshore dhe jo syjore » !!!
Takimi i fundit me të ishte dikur në vjeshtën e 2017, pak javë para se të vdiste, ku sërish së bashku me Shpëtimin diskutuam për diferencat midis kalit dhe gomarit, reflektime filozofike të tijat, që pasuroheshin nga episode të shumta të jetës së tij kaluar në Menkulas, përkthyer dhe në vjersha apo tregime të tij.Këto referenca nga natyra, nga kafshët për të cilat Dritëroi kishte lexuar shumë- më duket se donte të bëhej veteriner dikur- shpërfaqnin thjeshtësisht dhe qartësisht universalitetin e tij, filozofinë e tij jetësore, por jo vetëm : ai kuptonte thellësisht lidhjet universale midis subjekteve të botës së gjallë, jo njerëzore dhe njerëzore. Ai e njihte jetën shumë mirë dhe e donte atë, ndonëse frika për vdekjen supozoj se e shtynte të mendonte dhe formën që do të merrte në jetën e përtejme.
Përjetësia e Agollit nëpërmjet mediave sociale
Shënim i Konicës
Dritëro Agolli vdiq 86 vjeç, diçka qëështë mbi mesataren e jetës së kohës sonë dhe ai nuk mund dhe nuk duhej të jetonte sa mesatarja e shoqërisë. Ai e sfidoi mesataren e jetës, megjithë dashurinë e tij për disa vese njerëzore falë të cilave kënaqësia ta përshpejton vdekjen-alkooli dhe duhani.. Jetoi disa kohë, disa regjime, por nuk u identifikua kurrë me asnjerin prej tyre. Dhe përfshirja agresive e disa opinionbërësve kundër tij pas vdekjes është dëshmi e kapërcimit që ai i bëri kohërave që jetoi : vepra e Dritëroit, personaliteti i tij ishin aq të mëdha, sa prej kundërshtimit të veprës dhe personalitetit të tij, mund të përfitoje vëmendje ekstra. Kjo lloj kundërshtie njihet në të gjitha kohërat dhe fiton një tjetër përmasë në kohën e mediave sociale.
Sot në mungesë të tij, diçka mund ta themi lirisht në lidhje me veprën dhe personalitetin e tij. Mbështetur në disa elementë.
Dritëroi prodhoi konsensus të madh politik në vlerësimin e tij
Kurrë, askush si ai në botën e politikës apo të letërsisë deri më sot, nuk meritoi aq shumë nderime personale, krahinore, kombëtare. Askush si Dritëro Agolli nuk prodhoi kaq shumë konsensus vlerësues rreth figurës së tij, nga të gjithë krahët e politikës. Askush si ai,në të gjallë dhe i vdekur nuk po rezulton kaq i dashur nga popullsia rurale dhe urbane e kombit. Askush si Dritëro Agolli nuk po rezulton kaq i dashur nga të gjithë pjesët e kombit. Imagjinoni diçka : në Kosovën e robëruar para 1999, por dhe sot në kohën e lirisë, u krijua emri Dritëro, më saktë u fotokopiua emri Dritëro, që lindi në kokën e babait të tij Riza 86 vjet më parë. Askush si Dritëroi veçanërisht në këtë moshë nuk po rezulton kaq i dashur për të gjithë brezat. Do doja të veçoja këtu popullsinë e rrjetit, dmth të internetit dhe mediave sociale, që më së shumti është e re : poezitë e tij jetësore, vargjet e tij për jetën dhe vdekjen, fshatin dhe qytetin, bagëtinë dhe njerëzinë, dashurinë dhe tradhëtinë po bëhen virale nëkëtë popullsi, domethënë mes të rinjve. Sot të rinjtë duan të duken interesantë duke postuar statuse që ose i kërkojnë, ose i kopiojnë ose i qarkullojnë me truket e rrjeteve sociale.
Ky është triumfi i individit në kohë dhe në hapësirë. Nuk di a e shijoi Dritëroi, këtë triumf të veprës së tij, por besoj se po : duhet ta besojmë se ka vdekur i lumtur nga shenjat e pafundme të nderimit për të, nga të gjithë anët e shqiptarisë. Dikush kujtoi sesi fëmijët e Gjakovës i shkruan për të ditur përfundimin e fabulës së tij për ujkun. Më së fundi, në të gjallë të tij, presidenti i Kosovës e nderoi atë me dekoratën më të lartë të shtetit më të ri kombëtar. Dhe ai mori fuqi për të jetuar dhe pak prej nderimit të merituar për këtë poet të lindur në Devoll, që i këndoi aq bukur dhe Drinit.
Askush s’duhet të kujtojëse ndërsa po nderohej Dritëroi, thjesht po bëhej tributi i detyruar ndaj një figure me përmasa kaq të pamatshme si ai. Po bëhej dhe politikë. Por nuk ishte duke u bërë politika e ndarjes ku na shtyn sistematikisht e enjtja parlamentare, llogoret partiake, apo inatet personale për rivalin, apo penguesin e projektit tonë politik që gjendet përballë nesh, kundër nesh. Po bëhej politika e bashkimit.
A kujtoni dikë për të cilin të gjithë palët politike, sociale, krahinore, në këtë anë dhe në atë të kufirit, të gjithë brezat bien dakord se ishte njeri i madh ? Nuk është natyrale për një koment të citohen politikanë vendorë, por ja vlen të citohet presidenti Nishani që përveç konsideratave për të si poet dhe shkrimtar, e quante :mendimtarin e kthjellët dhe veprimtarin me impakt të pamatshëm publik, i cili me kontributet e tij tërralla në dy periudha historike la gjurmë të pashlyeshme si protagonist i lëvizjeve emancipuese përgjatë më shumë se një gjysmë shekulli si në art ashtu dhe në politikën shqiptarë të epokës së pluralizmit.
A njihni ndonjë personalitet kaq të madh të së majtës shqiptare, nëse doni dhe të majtës ballkanike për të cilin bëhet një nderim kaq i madh dhe nga kundërshtarët e tij politikë të së djathtës si Sali Berisha i cili mes të tjerash e quan atdhetari i flaktë ? Lulëzim Basha, kryetari i PD, thotë se pak shqiptarë kanë ndikuar në ndërgjegjen dhe emocionet tona si Dritëroi i madh.
Janë të rralla momentet kur i jepet të drejtë gjithë këtyre njerëzve që për më shumë kanë qenë në llogoren përballë Dritëroit për një pjesë kohe.
Vlerësuesit i ka bashkuar figura e këtij njeriu, që vdiq me portretin e një zogu, me mustaqet e shtuara në portretin e tij të viteve të pleqërisë, që me siguri i ka adhuruar në fëmijërinë e vet.
Është poezia e tij ku të gjithë gjejnë veten e tyre, momentet e tyre jetësore.
Është mesazhi i tij: ulni armët kapedanë, që sot bashkoi të gjithë.
Dritëroi, emblema e të mirave dhe veseve të tokësorëve të shoqërisë sonë
Dritëroi ishte,mbetet dhe do të mbetetpërfaqësuesi më i njëmendtë ipopullit, i tokësorëve, i tokës nëse do, për të cilën këndoi shumë, dhe populli, tokësorët kanë gjithmonë të drejtë mbi mëkatarët e politikës tradicionale.
Dritëro, me jetën e vet, me veprën e vet, ishe kritik i gjithçkaje penguese të shoqërisë sonë në emulacion të vrullshëm, por dhe alibia më perfekte për veset e bashkësisë sonë kombëtare në të gjithë kohërat.
Si bir i Naimit, si e quante një adhurues i padyshimtë, një viktimë në thonjëza, e bëmirësisë tënde kalorsiake dhe proverbiale, prejtë cilës përfituan pafundësisht shumë njerëz, Dritëroi ështëpasqyra ku kjo shoqëri sheh veten e vet, me të mirat dhe të këqiat e veta: me taksën që i ka paguar carit si Tolstoi, por dhe me veprën emancipuese të përhershme kundërshtuese. Dritëroi ishte përfaqsuesi më besnik i racës sonë. Kjo është arsyeja pse rrallëkush si ty, ka provokuar konsensus kaq të madh sa ai.
Njerëzit e stilit, që e duan vlerësimin për krijimet e përsosura në stil,janëziliqarë për Dritëroin, por dhe të lumtur për triumfin e veprës së tij. Kjo vepër po përhapet masivisht, megjithëse me strofa, dmth me porcione të vogla tipike për kohën e dembelizmit në të cilën jetojmë, në mënyrë virale po përhapet tek brezi iri. Ky brez, fatmirësisht po gjen veten empatikisht, po njëmendësohet, në gjithë ndijimet e tij të përhapura besnikërisht në vargjet e tua, për jetën, vdekjen, dështimin në dashuri, për kalin, për barin, për kamerierët dhe putanat e rrugës së Dibrës, për pijen dhe moralin.Pra në kohë të përtacisë së rrjeteve sociale, ka mundësi të reja për përjetësim të njeriut të librit.
A nuk është kjo përjetësia, e shumëfishuar prej të rinjve, që po zbulojnë tani Dritëroin?A nuk personifikohet përjetësia në këtë figurë që vdiq si një kalorës i të vërtetës, me dobësitë dhe pasionet e veta?
Dhe diçka në lidhje me të vërtetën: na ka impresionuar transparenca me të cilën ai përcolli ndër ne, momentet e fundit tëjetës së tij. Ngjante me njëzog qëpo tretej për të shkuar në amëshim, kur ndërsa mendja ishte në punë deri në çastet e fundit, trupi i drobitur nga mosha dhe veset e duhanit dhe alkoolit, anipse të shëndetshëmme tradhëtoi. Çka pamë prej Dritëroit, çfarëna treguan prej çasteve të fundit të jetës së tij fizike, ishte dinjiteti i tij për t’u përballur me vdekjen, por dhe frika natyrale për t’ju dorëzuar asaj, i vetëm, në errësirën e saj të pamëshirshme. A nuk ishte për gjithë këto arsye, bash për këto arsye, Dritëro Agolli, njeri ndër ne, njeri si ne, ndoshta më I miri se ne, që I mbijetoi me dinjtet, të gjithë kohërave, të gjitha regjimeve?
sot më shumë se kurrë Dritëroi ështëi të gjithëve.
Ka një shembull të triumfit të së mirës dhe së vërtetës në të gjithë kohërat dhe kymes nesh është Dritëroi.Jo të gjithë mund t’ja mbrrijnë, por edhe nëse jo, e kemi një shembull të këtij triumfi: ky është Dritëroi.
Për të rinjtë vlen diçka: Është për të ardhur mirë që ata po gjejnë një model frymëzimi prej Dritëroit që në të gjithë kohrat ka ndihmuar shumë, të rinjtë të kalojnëvështirësitë e jetës, të regjimeve. Mirë bëni, se kjo jetë nuk ka shumë si ai. Mbase ai ishte i vetmi Dritëronjës, me dritën e tij për të gjithë ne.