MENU
klinika

Cili do të jetë roli i SHBA-së dhe BE-së në këtë proces?

Mentor Nazarko zbulon skenarin e mundshëm të marrëveshjes Kosovë-Serbi

29.05.2020 - 08:53

Analisti i njohur, Mentor Nazarko, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë, ku palët atje janë përplasur për çështjen e krijimit të qeverisë së re dhe dialogut më Serbinë. Ai tha në “Ilva Now” se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për vijimin e legjislaturës duke përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Analisti u shpreh se, fragmentarizimi dhe ndarja e politikës në Kosovë për dialogun me Serbinë nuk janë tregues të mirë, pasi siç thekson ai, këto skenarë i shërbejnë palës kundërshtare.

“Ajo që po luhet është shumë e rëndësishme, sepse e kapërcen polemikën e brendshme, sepse ka vlera ndërkombëtare. Dialogu Kosovë-Serbi është tashmë një çështje që po përplasen fuqitë e mëdha SHBA-BE. Praktikisht ky rivalitet i fuqive të mëdha po projektohet në thellimin e rivaliteti të brendshëm, në Kosovë, ku Kurti ngjan sikur është rreshtuar krah BE-së, ndërkohë Thaçi është rreshtuar qartazi kundër rrymës europiane. Ajo që duhet të ndodhte në këtë moment të rëndësishëm është që palët të ishin bashkë jo thjesht si faktor politik, por edhe si faktor kombëtar. Duhet të ishin të dy (Thaçi e Kurti) si negociatorë. Serbia nuk ka rivalitet të brendshëm, sepse Vuçiç njihet si një nga regjimet më të kontrolluara të Evropës”, tha ai.

Z. Nazarko zbuloi për herë të parë skenarin e mundshëm të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë dhe rolin që do ketë SHBA dhe BE-ja në këtë proces. Sipas tij, marrëveshja mes dy vendeve do të jetë një marrëveshje maksimale parimesh, ku Serbia do detyrohet në fund ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Unë supozoj se do të jetë një marrëveshje maksimale parimesh, e shkurtër në të cilën do të ketë disa parime ku pranohen të dy subjekte. Praktikisht Serbia e njeh Kosovën, marrëveshja e Brukselit është një marrëveshje ku palët nuk kanë firmosur përballë njëra tjetrës. Marrëveshja që pritet të nënshkruhet do të jetë një marrëveshje në të cilën Serbia do duhet ta njohë Kosovën dhe ta pranojë atë. Një marrëveshje me anekse si ajo e Deitonit apo Ohrit, supozohet që do të negociohet nga BE-ja. Ky është një skenar, i cili nuk është folur dhe këtë doja ta thoja këtu tek ju”, shtoi ai.

I pyetur rreth debatit të krijuar pas rrëzimit të qeverisë dhe dekretit të Thaçit për qeverinë e re, analisti Nazarko theksoi se në këtë plan të gjithë palët kanë gabuar.

“Kurti është personaliet i madh i politikës kosovare, që ka krijuar një shpresë të madhe për ndryshim. Ai ka respektuar parimet e veta. Ka një rrafsh diskutim që është rrafshi kushtetues. Këtu kanë gabuar nga pak të gjitha palët. Është krijuar keqkuptim në lidhje me atë se sa do të ishte koha e pritjes. Në pikëpamjen kushtetuese shkohet në zgjedhje nëse Kuvendi vendos për një gjë të tillë, Kuvendi nuk ka vendosur për një gjë të tillë. Mund të shkohet nëse Kurti imponohet përmes protestave”, theksoi ai.

Më tej Nazarko komentoi edhe protestën e sotme të VV-së dhe mesazhin që ajo përcolli për zhvillimet politike atje. Gjithsesi ai beson se përplasjet e brendshme dhe ndarja e qëndrimeve mes SHBA dhe BE-së për dialogun po i shërbejnë Serbisë, e cila sipas Nazarkos në këtë moment po tenton të blejë kohën e nevojshme.

“Testi i sotëm është një mesazh jo thjesht për Gjykatën Kushtetuese, por edhe për atë që nuk do lejohet një tranzicion. Fuqitë e mëdha po presin një tranzicion të pushtetit. Serbia unë imagjinoj se është e interesuar që mos të ketë marrëveshje tani, ajo është e interesuar të blejë kohë. Interesi kombëtar i Kosovës është që partitë politike duhen të jenë bashkë. Jemi në një situatë ku klasa politike aktuale nuk i ka marrëdhëniet e mira me Shqipërinë dhe as me perëndimi. Serbia është duke përfituar pasi ka një konjukturë ndërkombëtare të favorshme. BE dhe SHBA nuk kanë asnjë interes që zgjedhjet në Ballkan të jenë në të njëjtën kohë” shtoi ai.