MENU
klinika

Qeveria merr vendimin

Nesër nisin gjyqet por pa publik

27.05.2020 - 19:37

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e mbajtur sot ka bërë disa ndryshime në aktin normativ për masat ndaj covid-19.

Kështu, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave ka vendosur që të lejojë zhvillimin e sancave gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, duke zbatuar masat organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore.

Gjithashtu, në seancat gjyqësore do të kufizohet hyrja e publikut në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së covid-19, ndërsa të gjitha seancat gjyqësore publike do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe pjesëmarrjen në distancë të palëve të dyta ose të treta në seancë, nëpërmjet lidhjes kompjuterike.

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Maj 2020:

AKT NORMATIV

PËR

DISA NDRYSHIME NË AKTIN NORMATIV NR.9, DATË 25.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA NË FUSHËN E VEPRIMTARISË GJYQËSORE, GJATË KOHËZGJATJES SË GJENDJES SË EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, MIRATUAR ME LIGJIN NR.30/2020

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, gjykatat zhvillojnë seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, duke zbatuar masat organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore, sipas rregullave që miratohen në përputhje me parashikimet e pikës 4, të nenit 3, të këtij akti normativ.”.

2. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.

3. Në pikën 4 bëhen këto ndryshime:

a) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Kufizimin e hyrjes së publikut në ambientet e gjykatës, duke garantuar zbatimin e rregullave të vendosura për këtë qëllim;”.

b) Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç) zhvillimin me dyer të mbyllura të të gjitha seancave gjyqësore publike;”.

c) Në shkronjën “d”, fjalët “… të parashikuara në pikën 3, të këtij neni,” shfuqizohen.

Neni 2

Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 4

Pjesëmarrja në distancë në seanca gjyqësore

1. Pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, të pandehurit, të paraburgosurit, avokatit mbrojtës, viktimës, viktimës akuzuese, paditësit, të paditurit civil, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të përfshirë ose të interesuar, në të gjitha seancat përgatitore/gjyqësore sigurohet atje ku është e mundur dhe vetëm pasi palët kanë dhënë pëlqimin brenda një afati të caktuar nga gjykata, nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.

2. Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë, në çdo rast, shikueshmërinë e ndërsjellë të personave të pranishëm në të dyja vendet e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët. Nëse parashikohet pjesëmarrja e disa palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët.

3. Në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresore si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen, brenda të njëjtës ditë, nëpërmjet shërbimit postar, me dërgesë të porositur. Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet të ruhet nga palët deri në marrjen e vendimit të formës së prerë. Në rast se pala nuk i dërgon aktet, sipas kësaj pike, konsiderohet që ato nuk janë paraqitur.”.

Neni 3

Aktet nënligjore

Këshillat dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate miratojnë aktet nënligjore për masat organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 3, të aktit normativ nr.9, datë 25.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, miratuar me ligjin nr.30/2020, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.

Neni 4

Dispozitë tranzitore

Afatet që kishin filluar të llogariten sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin përkatës, por u pezulluan sipas pikës 2, të nenit 3, të aktit normativ nr.9, datë 25.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, vazhdojnë të llogariten nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ për pjesën e paplotësuar të afatit. Afatet që duhet të fillonin gjatë periudhës së pezullimit fillojnë të llogariten sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin përkatës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ.

Neni 5

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.