MENU
klinika

Një brezi i ri kuqezi po vjen

Nga Kumbulla te Broja, Kombëtarja e së ardhmes

11.05.2020 - 19:40

Nuk është momenti i Kombëtares, por ata mbeten në dritaren e parë të merkatos kur të hapet. Rey Manaj u stërvit përkrah Lionel Messit, Armando Broja së fundmi merr urdhra nga Frank Lampard te Chelsea. Giacomo Vrioni luajti ndeshje stërvitore kundër Cristiano Ronaldos, ndërsa për Thomas Strakoshën nuk ka nevojë për reklamë…

Marash Kumbulla rrëmben sytë e të gjithë Europës. Berat Gjimshiti është në cerekfinale të Champions League. Shqipëria po rrit brezin e artë. Pas Strakosha-Gjimshiti-Kumbulla, ka edhe sulm premtues.

Përkrah Mesi e CR7 – Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë dy lojtarët e jashtëzakonshëm të kësaj periudhe që i kanë dhënë futbollit një dimension johuman. Mirëpo, Shqipëria ka në skuadrën Kombëtare dy djaloshë, 22 dhe 21 vjeç të cilët po stërviten thuajse çdo ditë me të dy jashtëtokësorët.

Domethënie? Sigurisht, përveçse kuqezinjtë po prekin një ëndërr, kanë shansin e artë të karrierës që të mësojnë prej dy yjeve. Rey Manaj dhe Giacomo Vrioni janë të rinj, por eksperienca përkrah Messit dhe Ronaldos mund t’i përgatisë Shqipërisë një potencial të admirueshëm.

Chelsea e Rangers – Nuk mbaron me kaq. Armando Broja, vetëm 18 vjeç është protagonist me të gjitha ekipet deri në U-23, gjë e cila i rrëmben vëmendjen Frank Lapardit dhe e fton në stërvitje me Chelsea. Mrekulli! Bomberi ka shansin të rritet para kohe edhe për nga eksperienca.

Një 24-vjeçar u piketua nga Reja, por nuk pati shansin të luante. Tanimë, e stërvit Stiven Gerrard te Rangers. Florian Kamberi është një tjetër sulmues që mund të shërbejë shumë në Kombëtare. Talent dhe gjak i ri, i cili i projektuar në të ardhmen, mund ta rrisë shumë nivelin e kuqezinjve.

Mesfusha – Lindon Selahi, vetëm 20 vjeç, po bën mirë javë pas jave në kampionatin holandez. Mesfushori i cili debutoi me Shqipërinë, bashkë me Keidi Baren 22-vjeçar mund ta çojnë mesfushën kuqezi në dimensionet e një ekipi me teknikë të lartë, vizion në mesfushë, cilësi dhe kualitet të shumëkërkuar prej vitesh.

Për aktualitetin, Klaus Gjasula ofron tru, gjunjë të fortë, muskuj, vizion dhe qetësi. Statistikat thonë që një brez i artë po rritet nëpër Europë. Pastaj janë 3 emra që vetë Edy Reja i kishte piketuar për t’i afruar së fundmi. Qazim Laçi, Jon Mersinaj dhe Endri Çekiçi po bëjnë shumë me eskuadrat e tyre.

I pari luan në Francë, i dyti në Kroaci dhe i treti në Kroaci. Të tre pjesë e ekipit Shpresa dhe gati për hapin e madh te Kombëtarja. Një rritje graduale dhe duket se tani ka ardhur pjekuria e tyre. Mosha e tyre 21-22 vjecare duket se është garancia për të ardhmen si kuqezi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Habitem pse nuk rinis futbolli në Shqipëri”

Edy Reja tregon 5 prurjet e reja të Kombëtares

Edy Reja: Kumbullën ia sugjerova Napolit

“Italia nuk e grumbulloi, e mora te Shqipëria”