MENU
klinika

Studiuesi: Investimi më i madh që u bë gjatë këtyre viteve ishte…

Nga malaria te tuberkulozi, si u luftuan epidemitë gjatë viteve ‘40-‘45

10.05.2020 - 15:12

Jemi në prag të vitit 1940, Shqipëria sapo është pushtuar nga Italia fqinje dhe sëmundjet, mes të cilave ato infektive si malaria apo tuberkulozi, ngusin nevojën për ngritjen e qendrave spitalore.

Studiuesi Hasan Bello sjell një panoramë të masave të menjëhershme që mori asokohe Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, në bazë të konventës së shkruar me Italinë.

Një fond i posaçëm për ndërtimin e 60 godinave spitalore e pas tij një punë e organizuar dhe e survejuar nga profesionistë të fushës, si dr.Jovan Basho apo dr.Hamdi Sulçebe. Problemi i malaries mbetej tejet shqetësues e Komuna e Zadrimës me afro 35 katunde konsiderohej si një zonë e kuqe, ku për më tepër qendrat shëndetësore ishin larg fshatrave. Zgjidhja për këtë çështje mbetej brenda skemës, ku nuk përjashtohej as kujdesi shëndetësor për të burgosurit.

Por krahas kësaj, paralelisht bëhej “lufta” për eliminimin e burimeve që gjeneronin këtë sëmundje, siç ishin kënetat, ndaj do të merreshim menjëherë masat që të bëhej bonifikimi i tyre. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohej edhe higjienës së qyteteve, dyqaneve, kontrollit të ujit të pijshëm përmes analizave laboratorike, ngritjes së farmacive që punonin 24 orë, sigurimit të ushqimeve dhe nevojave bazike për nënat dhe fëmijët e vegjël etj.

Por vështirësitë e mjekëve i kapërcenin sfidat brenda profesionit, sepse siç tregon Bello në studimin e tij, ata gjendeshin përballë presionit të palëve kundërshtare, ndërsa duhet t’u shërbenin si gjermanëve, partizanëve, legalistëve apo ballistëve.

Aneksimi i Shqipërisë nga Italia fashiste krijoi rrethana të reja për sistemin shëndetësor shqiptar. Ishte kohë lufte e kushtet dhe infrastruktura e spitaleve, si dhe ajo e qendrave shëndetësore nuk arrinin t’i përballonin nevojat e popullsisë, që rriteshin dita-ditës.

Megjithatë, drejtuesit e Drejtorisë së Shëndetësisë, si dr.Jovan Basho, dr.Hamdi Sulçebe etj., u përpoqën me të gjitha format të zgjeronin kapacitetet spitalore dhe të përgatisnin kuadro të kualifikuar për të përballuar të gjitha nevojat që kishte vendi. Në buxhetin e vitit 1939-1940, Drejtoria e Shëndetësisë parashikoi krijimin e qendrave shëndetësore rurale të bashkuara për çdo dy-tri komuna.

Në këto qendra do të qëndronte një mjek me personelin ndihmës. Caktimi i zonave shëndetësore dhe i qendrave të mjekëve u bë në bashkëpunim me prefekturat dhe nënprefekturat. Kështu, në bazë të këtij organizimi, Drejtoria e Shëndetësisë njoftonte Ministrinë e Brendshme se kishte filluar procedimin për emërimin e personelit mjekësor dhe hëpërhë, edhe të një infermieri.

Për shkak se në shumicën e qendrave shëndetësore mungonin ndërtesat për shërbimin ambulator dhe sistemimin e personelit, qeveria përcaktoi një fond të posaçëm për ndërtimin e 60 ndërtesave të reja. Këto ndërtesa ose më mirë shtëpi mjekësore, do të përbëheshin prej dy katesh me ambulatorë, një dhomë pritjeje, një për banesë të mjekut, një për infermierin, një kuzhinë, një banjë e magazinë.

Meqenëse nevoja e shërbimit shëndetësor e kërkonte që këto ndërtesa të ngriheshin sa më shpejt, drejtori i përgjithshëm i Shëndetësisë, dr.Jovan Basho, kërkonte nga Ministria e Brendshme që prefekturat dhe nënprefekturat të përcaktonin vendet se ku mund të ngriheshin këto ndërtesa.

Ai shpresonte, duke çmuar vlerën që ato kishin për popullin shqiptar, se nuk do të mungonin bamirës që do të dhuronin troje për ndërtimin e tyre. Në rast të kundërt, ai kërkonte shpronësimin dhe kompensimin monetar sipas ligjeve të shtetit shqiptar. Trojet për ndërtimin e qendrave shëndetësore duhej të ishin lehtësisht të frekuentueshme nga banorët e zonës dhe të pajisura me ujë të pijshëm ose puse.

Ministria e Brendshme kërkoi nga prefekturat dhe nënprefekturat të merrnin masa të menjëhershme, sipas kërkesës së parashtruar nga Drejtoria e Shëndetësisë.

Drejtoria e Shëndetësisë kishte si qëllim të krijonte një administratë të organizuar shëndetësore për mjekësinë kurative, e sidomos atë preventive, duke shtuar në mënyrë graduale kuadrin e specializuar deri sa çdo komunë të kishte mjekun e vet dhe përfundimisht, çdo 1500-2000 banorë mjekun e tyre.

Për të stimuluar mjekët shqiptarë që do të shërbenin në qendrat rurale, Drejtoria e Shëndetësisë propozonte hartimin e një dekretligji, i cili do të vlerësonte në aspektin ekonomik me një shumë suplementare të gjithë ata persona që do të shërbenin në fshat.

Për shkak të bombardimeve të qyteteve shqiptare, në këtë periudhë shpeshherë spitalet dhe shërbimi shëndetësor u transferua në zonat periferike dhe në objekte që nuk përputheshin me kushtet e domosdoshme për mjekimin e të sëmurëve.

Predha të pashpërthyera raportohej se gjendeshin pranë Spitalit të Durrësit, Spitalit Neuropsikiatrik të Vlorës etj. Prefekturat u angazhuan seriozisht për të siguruar troje për ndërtimin e qendrave shëndetësore në zonat rurale. Një pjesë e tyre u dhurua nga persona të ndryshëm për bashkëfshatarët, ndërsa pjesa tjetër u shpronësua në bazë të ligjit për vepra të shërbimit publik.

Kjo fushatë u shfrytëzua për një shpërndarje sa më efikase të shërbimit shëndetësor për fshatra me distancë të ndryshme nga njëri-tjetri. Kështu, prefektura e Peshkopisë propozonte që disa prej tyre të shkëputeshin nga qendrat e mëparshme për t’u bashkuar në bazë të afërsisë dhe lehtësisë së komunikimit. Për shkak të pellgjeve ujëmbajtëse, edhe në këtë periudhë malaria mbeti një problem i hapur për popullin shqiptar.

Kështu, Ministria e Brendshme i shkruante Drejtorisë së Shëndetësisë se Komuna e Zadrimës dhe e Vaut të Dejës, të cilat përfshinin 30-35 katunde, ishte një zonë malarike e larg qendrave shëndetësore të Shkodrës dhe Lezhës.

Prandaj, ajo kërkonte hapjen e një qendre shëndetësore në Dajç të Zadrimës, i cili ndodhej ndërmjet disa fshatrave, si dhe shpërndarje kinine. Një kujdes i veçantë u tregua edhe për të burgosurit. Ministria e Brendshme mori masa që në burgun e Tiranës të krijohej infermieria.

Kjo do të bënte që të burgosurit të merrnin shërbimin e duhur sa më shpejt dhe të shmangeshin dyndjet për gjëra krejtësisht të vogla në Spitalin Civil të Shtetit. Një kërkesë e tillë u mirëprit nga Drejtoria e Shëndetësisë, e cila shfaqi mendimin se nëse siguroheshin dhomat e nevojshme, ky shërbim të shtrihej në të gjitha burgjet e Shqipërisë.

Më 1 korrik 1940, mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane u nënshkrua një konventë për ngritjen e godinave spitalore. Kjo do të plotësonte nevojat emergjente që kishte sistemi shëndetësor shqiptar, duke pajisur disa spitale me teknologjinë bashkëkohore dhe zonat rurale me qendra të reja shëndetësore.

Për arsimimin e studentëve shqiptarë në universitetet italiane, Drejtoria e Shëndetësisë kërkoi nga Ministria e Financave që buxhetit të saj t’i shtohej një zë i veçantë “Mësime për mjekësi”. Për përzgjedhjen e maturantëve dhe studentëve që do të konkurronin si bursistë u ngrit një grup i posaçëm, i cili shqyrtoi në mënyrë rigoroze dokumentet e 17 kandidatëve, nga të cilët përzgjodhi 6 fitues.

Laboratori Kimik i Shtetit, i cili tashmë varej nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë, ushtroi një veprimtari aktive për certifikimin e të gjitha produkteve ushqimore që shiteshin në tregje dhe ndalimin e atyre të falsifikuara, që dëmtonin shëndetin publik.

Prefekturat u udhëzuan nga Ministria e Brendshme për të vizituar një herë në javë dhe për tërhequr kampionë nga fabrikat e ndryshme që merreshin me prodhimin e alkoolit, vajit, miellit e të çdo produkti tjetër dhe për t’i dërguar ato për ekspertizë pranë Laboratorit Kimik të Shtetit. Në këtë kuadër, një rëndësi më vete iu kushtua higjienës së qyteteve dhe pastërtisë së dyqaneve që ofronin shërbime të ndryshme.

Analizat e ujit të pijshëm për të luftuar malarien ishin një objekt tjetër i punës së Laboratorit Kimik të Shtetit, të cilave duhej t’i nënshtroheshin të gjitha vendburimet dhe puset që hapeshin në qytete dhe pranë shkollave. Drejtoria e Shëndetësisë mori masa duke kërkuar pranë prefekturave të sistemonin vendburimet e ujit, për të shmangur krijimin e moçaleve dhe vatrave të ndryshme infektive.

Analiza bakteriologjike e çezmave të Tiranës bëhej në mënyrë periodike dhe rezultatet e tyre u viheshin në dispozicion instancave përkatëse për të marrë masat e nevojshme. Sipas Laboratorit Kimik, disa nga këto çezme ishin të dyshimta për shkak të sasisë së pakët të ujit dhe faktit se në një pjesë të vitit ato thaheshin, duke krijuar rrezikun e kontaminimit sekondar nga jashtë. Laboratori hartoi edhe një promemorie me normat higjienike që duhej të mbanin parasysh prodhuesit e pijeve të gazuara, për t’u siguruar që këto pije të mos përmbanin metale toksike.

Nga kjo promemorie vihet re se ekzistonin rregulla strikte, të cilat ndikuan jo vetëm për rritjen e cilësisë së vlerave ushqimore, por edhe për evitimin e sëmundjeve infektive. Bonifikimi i kënetave mbeti një sfidë tjetër për sistemin shëndetësor shqiptar.

Ndonëse ky problem nuk ishte objekt i Drejtorisë së Shëndetësisë, ekzistenca e tyre ishte burimi kryesor i përhapjes së malaries. Prandaj, ekzistenca e tyre përbënte një problem të madh për zhdukjen e saj. Drejtori i Shërbimeve Antimalarike ndërhyri pranë Entit të Bonifikimeve për tharjen e kënetës, që ndodhej në afërsi të shoqërisë AGIP në Durrës.

Ndërsa në bregdetin e Vlorës u morën masa për të bonifikuar kënetat e krijuara, të cilat përbënin rrezik potencial për zhvillimin e sëmundjeve infektive dhe malaries. Për dezinfektimin e tyre, Drejtoria e Shëndetësisë vendosi të përdorte një aeroplan dhe caktoi si drejtues të kësaj fushate dr.Alberto Coluzzi-n të Institutit të Malariologjisë “Ettore Marchiafava”, që drejtonte Dispanserinë Antimalarike në Vlorë.

Qendra Higjienike, e cila drejtohej nga mjeku i njohur, dr.Hamdi Sulçebe, bëri përpjekje për të mbajtur nën kujdes nënat dhe foshnjat e tyre, të cilat përballeshin me vështirësi të ndryshme, ku më kryesorja mbetej mungesa e produkteve ushqimore për fëmijët.

Kjo qendër shpërndau një sasi të konsiderueshme qumështi pluhur, i cili për shkak të fondeve të limituara nuk i plotësonte nevojat e përgjithshme për nënat në nevojë. Ai blihej nga firmat italiane dhe shpërndahej nga infermieret që u mësonin nënave përdorimin e tyre në kushtet e shtëpisë.

Ankesave të qytetarëve të Tiranës për mungesën e farmacive të natës, Drejtoria e Shëndetësisë iu përgjigj menjëherë duke urdhëruar Seksionin e Shëndetësisë pranë bashkisë së kryeqytetit që të merrte masa për organizimin e këtij shërbimi përgjatë njëzet e katër orëve.

Për ngritjen e nivelit teoriko-shkencor të mjekëve shqiptarë, Drejtoria e Shëndetësisë vendosi botimin e një reviste dymujore. Kjo revistë do të përmbante artikuj origjinalë, lëndë sintetike, artikuj për zhvillimin e mjekësisë, shkencave mjekësore, biologjisë, higjienës etj., në vendet e zhvilluara. Ajo do të kishte karakterin e një buletini, duke botuar qarkore, udhëzime dhe rregullore të Drejtorisë së Shëndetësisë, për çështje të ndryshme të sistemit shëndetësor shqiptar.

Në funksion të përmirësimit të kushteve higjienike, Drejtoria e Shëndetësisë caktoi disa mjekë për të mbajtur konferenca lidhur me mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse dhe shëndetin publik. Drejtoria e Shëndetësisë, për shkak të vështirësive ekonomike që kishte shkaktuar lufta dhe abuzimit me çmimet e ilaçeve, mbante nën mbikëqyrje të gjitha farmacitë.

Madje, ajo i kishte imponuar shitjen e disa produkteve farmaceutike me 10% zbritje. Kjo i vuri disa prej tyre në pozitë të vështirë, çka bëri që pas një periudhe Drejtoria e Shëndetësisë ta anulonte këtë vendim dhe të lejonte shitjen e ilaçeve me çmimin e etiketës.

Pjesë e kësaj politike ishte hartimi i listës së çmimeve minimale të ekzaminimeve të ndryshme të institucioneve publike dhe mjekëve privatë. Kjo listë u botua në Fletoren Zyrtare nr.117 më 6 gusht 1941. Një problem i madh për sistemin shëndetësor shqiptar në këtë periudhë ishte lufta kundër tuberkulozit, të cilin Drejtoria e Shëndetësisë kishte arritur ta luftonte vetëm pjesërisht.

Kjo për shkak se asaj i mungonin mjetet e nevojshme për këtë qëllim. Problem mbetej edhe përcaktimi i numrit të saktë të atyre që kishte prekur kjo sëmundje. Të dhëna ekzistonin vetëm për pacientët e paraqitur pranë spitaleve dhe qendrave shëndetësore, i cili nuk përbënte shifrën reale të të prekurve.

Me përjashtim të një pavijoni me 50 shtretër në Spitalin Civil të Tiranës “Bruno Musolini”, nuk ekzistonte asnjë qendër tjetër mjekimi apo rehabilitimi për këtë kategori pacientësh. Megjithëse ekzistonte një projekt i detajuar për krijimin e disa pavijoneve në Spitalin e Korçës, Shkodrës dhe Vlorës, ato nuk kishin hyrë akoma në shërbim.

Tuberkulozi ishte sëmundja e dytë më e përhapur pas malaries dhe përbënte një çështje serioze për Drejtorinë e Shëndetësisë. E vetmja zgjidhje efikase për t’u ardhur në ndihmë pacientëve ishte ndihma e qeverisë italiane, e cila i kishte akorduar Drejtorisë së Shëndetësisë të drejtën për të dërguar në spitalet e specializuara italiane 100 pacientë në vit.

Një numër prej 50 pacientësh në sanatoriumet italiane dërgohej dhe nga Kryqi i Kuq Shqiptar. Në raportin justifikues për shpenzimet e sistemit shëndetësor për vitin financiar 1943-1944, Drejtoria e Shëndetësisë, për shkak të rrethanave që kishte krijuar lufta, kërkonte rritjen e buxhetit.

Por ai ishte tepër i limituar dhe nuk e lejonte qeverinë shqiptare t’i jepte prioritetet e duhura këtij sistemi. Klima politike për sistemin shëndetësor shqiptar vështirësohej jo vetëm për shkak të rrethanave që kishte krijuar lufta, por dhe nga përplasja mes palëve. Ushtrimi i profesionit të mjekut, i cili ishte i detyruar t’u shërbente të gjithëve, si gjermanëve, partizanëve, legalistëve dhe ballistëve binte ndesh me interesat e tyre.

Kështu, nuk ishin të rralla rastet kur përhapeshin fjalë se në filan spital apo se filan mjek kuronte komunistët, legalistët apo ballistët. Prandaj, sakrificat e bëra në këtë periudhë nga personalitete të njohura të mjekësisë shqiptare meritojnë mirënjohje dhe vlerësim. Përkthimi i literaturës dhe përcaktimi i terminologjisë mjekësore në gjuhën shqipe ishte një hap tjetër i rëndësishëm që Instituti i Studimeve Shqiptare ndërmori në këtë periudhë.

Pavarësisht kohës së pamjaftueshme për ta çuar deri në fund këtë proces, ai hodhi bazat e kësaj pune, e cila u vijua pas përfundimit të luftës. Për mjekët e posadiplomuar, qeveria përgatiti një dekretligj për shërbimin e detyrueshëm rural. Ai iu shpërnda për t’u zbatuar spitaleve, qendrave higjienike, zyrave shëndetësore të bashkive, qendrave rurale dhe laboratorëve. Sipas këtij dekretligji, të gjithë mjekët që ishin diplomuar nga 30 qershori 1943 e këndej, ishin të detyruar që për nevojat e shtetit të shërbenin në zonat rurale për 30 muaj.

Vendi i shërbimit do të caktohej nga Drejtoria e Shëndetësisë. Në rast se paraqiteshin më tepër mjekë të laureuar se vendet vakante, do të rekrutoheshin fillimisht ata që kishin studiuar me bursat e shtetit. Pa kryer këtë detyrim, shteti nuk i jepte leje për të ushtruar profesionin asnjë mjeku.

Çdo mjek që do të merrej në shërbim, 12 muajt e parë ishte i detyruar t’i kryente në Tokat e Liruara sipas nevojave që kishte Drejtoria e Shëndetësisë. Nga këto detyrime bënin përjashtim mjekët specialistë, që kishin së paku një përvojë trevjeçare dhe që për nevoja më të mëdha caktoheshin me propozim të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe miratimin e Këshillit të Ministrave për të shërbyer në qytet.

Më 19 maj 1944 u botua dekretligji mbi disiplinimin e shpalljeve të veprimtarive mjekësore, të ndërtesave dhe lëndëve sanitare, i cili merrte nën kontroll ushtrimin e çdo shërbimi që mund të kryhej nga mjekët privatë pa lejen e shtetit. Në vitet e LDB, sistemi shëndetësor shqiptar njohu disa arritje si në fushën e infrastrukturës spitalore, ashtu edhe për përgatitjen dhe kualifikimin e specialistëve të rinj.

Megjithatë, veprimtaria e këtij sistemi mbeti e lokalizuar kryesisht në qendrat urbane ose në fshatra të mëdha dhe afër qyteteve. Investimi më i madh që u bë gjatë këtyre viteve ishte mbështetja e mjekëve të rinj për të studiuar me bursat e shtetit në disa vende europiane.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin