Ndonëse FSHF ka bërë gati gjithcka sa I përket rifillimit të futbollit apo sported e tjera kanë gati protokollet për të rinisur me aktivitetet, është Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë, që në një prononcim për “Procesi Sportiv” në “Top Chanel” ka frenuar edhe njëherë ristartin.
“Jam sportdashëse, kush nuk do të donte të ishte në normalitetin e mëparshëm. Virusi nuk ka ikur dhe për sa kohë nuk është gjetur vaksina, duhet që edhe sektori i sportit të përshtatet dhe duhet që të mendojmë disa faza të ngadalta për ritkhimin.
Nuk kemi data. Shumë vende europiane i kanë pezulluar garat. Jemi në diskutime me ekspertë të komitetit teknik që vlerësojnë se jemi në një fazë me risk të lartë dhe nuk mendojmë për rikthim të shpejtë të stërvitjeve, apo për të pasur aktivitete pa tifozë. Por, padyshim që do të kemi të reja edhe për sportin duke parë se si do të shkojë epidemia.
Ne bazohemi në komitete ekspertësh dhe sigurisht sporti ka një vlerësim maksimal. Sot nuk them dot nëse do të ndjekim shembullin e Francës apo Gjermanisë. Por, në dy javët e ardhshme, pasi të shohim se si do të ecë kurba epidemiologjike, do vendosim edhe për sportet dhe futbollin.
Kërkoj mirëkuptim nga të gjithë, sepse e di që vetë sportdashësit apo dhe sportistët duhet që të jenë pjesë e trajtimeve të vazhdueshme për të ruajtur formën e tyre. Nuk mund të them dot sot, që në maj apo qershor do të nisë gara, jemi në një fazë me risk të latë dhe ne duam që me vendimet që ne marrim, të ruajmë këtë kurbë që e kemi shumë më të mirë edhe se vendet e tjera.
Duhet mirëkuptuar që janë të gjitha vendime që bazohen te të dhënat epidemiologjike dhe situata në spitale. Duhet të presim. Maji erdhi shpejt, kampionatet duhet t’i shtyjmë ende. Unë jam tifoze e Tiranës, ndërsa nga ekipet e huaja që ndjek me familjen është Barcelona”, – tha Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.