Organizata Botërore e Shëndetit ka pezulluar testimin e ilaçeve të malaries për hidroksi-klorokuinë tek pacientët me COVID-19 për shkak të shqetësimeve të sigurisë, tha të hënën Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Hidroksi-klorokuina është përmendur nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe të tjerë si një trajtim i mundshëm për sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi i ri. Presidenti amerikan ka thënë se po e merrte ilaçin për të ndihmuar në parandalimin e infeksionit.
“Grupi ekzekutiv i ka vendosur një pezullim të përkohshëm seksionit për hidroksi-klorokuinën, brenda procesit të testimit “Solidaritet”, ndërsa të dhënat e sigurisë janë duke u shqyrtuar“, tha zoti Ghebreyesus në një konferencë informimi në internet, duke shtuar se vazhdojnë punën degët e tjera të testimit – një iniciativë kryesore ndërkombëtare për të zhvilluar prova klinike të trajtimeve të mundshme për virusin.
OBSH-ja ka rekomanduar më parë mospërdorimin e hidroksi-klorokuinës për të trajtuar ose parandaluar rastet e personave që infektohen me koronavirusin, me përjashtim të provave klinike.
Duke folur së bashku me zotin Ghebreyesus, Mike Ryan, drejtues i programit të emergjencave të OBSH-së, tha se vendet duhej të punonin për t’u siguruar që të mos kishte kulmim të dytë të menjëhershëm të virusit. Ai tha se vendet do të duhej të krijonin strategji gjithëpërfshirëse për të siguruar një trajektore në rënie të rasteve me COVID-19./VOA