MENU
klinika

Javë vendimtare në Kosovë

Partitë politike në pritje të vendimit të Kushtetueses

25.05.2020 - 08:49

Gjykata Kushtetuese këto ditë do të bëjë publike vendimin lidhur me dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për mandatarin për kryeministër Avdullah Hoti.

Gjykata Kushtetuese më 1 maj kishte vendosur si masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Pas dekretimit të Hotit nga Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje menjëherë i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

LDK kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë së re, që pritej të mbahej të shtunën e 2 majit, mirëpo pas pezullimit të dekretit seanca ishte anuluar.

Periudhën e fundit janë shtuar presionet ndaj Gjykatës Kushtetuese, tash kur kanë mbetur disa ditë që kjo Gjykatë të nxjerrë vendimin për dekretin e presidentit Hashim Thaçi rreth mandatarit për kryeministër. Kushtetuesja përmes një reagimi publik ka thënë se po ndjek me shqetësim diskursin publik që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike.

Në reagim thuhet se Thaçi dhe Kurti, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re.

Presionet ndaj Gjykatës Kushtetuese janë konsideruar të papranueshme, nga analisti politik, Mazllum Baraliu, ndërsa në anën tjetër Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kredibilitetin e kësaj Gjykate mund ta kontestojnë vetëm shoqëria civile dhe qytetarët.

Analisti politik, Mazllum Baraliu në një prononcim për Telegrafin kishte deklaruar se vet propozimi i një programi qeverisës nga një parti politike, madje qoftë edhe deklaratat se “nuk po përzihen në punët e Gjykatës”, nga liderët e institucioneve, janë në fakt ndikim në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ishte shprehur për Telegrafin se vazhdimisht kanë kritikuar politizimin e kësaj Gjykate, duke shtuar se aty më herët janë emëruar edhe gjykatës me të kaluar politike nga partitë në pushtet.

Ndërhyrje në vendimet e Gjykatës, siç është shprehur Miftaraj është secili komentim, deklaratë publike apo këshillë sesi duhet të vendosë kjo Gjykatë.

Ndryshe, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ditë më parë ka deklaruar se partia e tij do të respektojë çdo vendim që merr Kushtetuesja për këtë çështje.

“Në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese ne nuk do të lëvizim në Kuvend fare, por do ta presim që ajo ta marrë vendimin përfundimtar, ne nuk do ta shkelim asnjë rast as një procedurë të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Mustafa.

Ndërkaq, shefi i qeverisë në detyrë tha se Gjykata Kushtetuese nuk mund të shkruaj Kushtetutën, pasi ajo ndryshohet dhe amendamentohet në Kuvend.

“Unë dua të besoj që ata do të bëjnë vlerësimin në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme. Nuk bëhet fjalë për asnjë cenim nga ana ime. Përkundrazi unë jam i interesuar që ata të mbrohen maksimalisht… Ne do të respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përderisa ai është interpretim i kushtetues, siç është misioni i Gjykatës Kushtetues”, ka thënë Kurti pas vizitës që i kishte bërë Burgut të Dubravës.