MENU
klinika

Dhunohet një efektiv

Policia prish ‘festën’ në Pogradec

03.05.2020 - 10:15

Dhunohet një punonjës i policisë nga 3 persona në Pogradec. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se tre të rinj, njëri prej tyre pronar, kanë qenë duke festuar në një lokal ndërsa policia ka ndërhyrë.

Por tre të rinjtë kanë kundërshtuar me forcë policinë duke rrahur njërin prej efektivëve të policisë. Njërit prej tyre i është gjetur edhe një armë e ftohtë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për zbatimin e masave me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si rezultat i kontrolleve të shtuara, në lagjen nr. 2, në katin e parë të banesës së shtetasit F. B., kanë konstatuar të hapur në kundërshtim me Aktin Normativ, një ambient të përshtatur si lokal, brenda të cilit ndodhej ky shtetas me dy shtetasit e tjerë K. T., dhe N. K.

Tre shtetasit e mësipërm, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, duke mos iu bindur urdhrave të tyre për kontrollin e lokalit dhe shoqërimin për në Komisariat. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik shtetasit K. T., iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë (thikë).

Në përfundim të veprimeve të para, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. B., 19 vjeç, ndaj të cilit u mor edhe masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7, shtetasit K. T., 20 vjeç, si dhe N. K., 19 vjeç, (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”), banues në Pogradec.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.