MENU
klinika

Nga sot 14 bashki i shtohen “zonave të gjelbra”

Rinisin aktivitetin parukeritë, klinikat dentare e berberët. Rregullat e reja

11.05.2020 - 07:30

Nga sot numrit të bizneseve që do të lejohet të ushtrojnë aktivitetin e tyre do t’i shtohen edhe parukeritë, klinikat dentare, dyqanet në qendrat tregtare, teksa zonave të gjelbra do t’i shtohen dhe 14 bashki të tjera, veç atyre që ishin deri më sot. Një lajm tjetër i mirë është dhe qarkullimi automjeteve pa nevojën e lejes nga ora 05:00-17:30 minuta, duke nisur nga e hëna 11 maj.

Rregullat si distancimi, dezinfektimi i duarve, përdorimi i maskave, mosgrumbullimi do të vijojnë të zbatohen me rigorozitet. Nga sot zgjerohet dhe lëvizja e automjeteve pa autorizim brenda qarqeve, nga ora 5.00 deri në 17.30.

Për berberët, parukeritë dhe klinikat dentare janë vendosur disa rregulla. Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse. Kujdes duhet treguar në prekjen e mjeteve të punës pas shërbimit të klientit. Fillimisht duhen dezinfektuar dorezat.

Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Klienti që kryen trajtime të fytyrës mund të mos mbajë maskë, por duhet të sigurohet distanca më e madhe e mundshme klient-ofrues shërbimi dhe koha të reduktohet në maksimum. Rekomandohet përdorimi i maskave sa më profesionale apo mjekësore.

Në hyrje, jashtë ambientit, çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) njëpërdorimshe për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje. Veshje plastike për këpucët përdorin edhe ofruesit e shërbimit nëse nuk përdorin këpucë/ shapka të brendshme sterile.

Në hyrje drejtuar direkt për në dhomën e zhveshjes, çdo klient që kryen shërbime të trajtimit trupor duhet të pajiset me veshje njëpërdorimshe, e cila hidhet në kosh. Karriket, poltronat, krevatet ku ofrohen shërbimet duhet të vishen me mbështjellëse letre të tipit roll-on me njëpërdorim.

Peshqirët duhet të jenë të paketuar dhe të përdoren vetëm njëherë për çdo klient. Pas përdorimit hidhen në kosh të mbyllur të veçantë. Peshqirët duhen larë çdo ditë. Prekja e peshqirëve të papastër bëhet vetëm me doreza.

Subjekti duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis klientëve në çdo drejtim. Subjekti riorganizon vendosjen e vendeve të punës si karrige, poltrona, krevatë etj. Sipas një plani individual në mënyrë që të respektojë detyrimin e mësipërm. Në rast të pamjaftueshmërisë së hapësirës subjekti shërben aq klientë sa i lejon hapësira duke respektuar detyrimin e mësipërm. Në ambientet me hapësirë mbi 40 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti duke riorganizuar vendosjen për ruajtjen e distancës midis klientëve.

Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i rradhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij.

Siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të procesit të lehtësimit gradual të masave shtrënguese të diktuara nga pandemia COVID 19, nga dita e hënë data 11 maj, shtohen si zonat të gjelbra bashkitë: Lushnjë, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau i Dejës, Kavajë dhe Vorë me të njëjtat rregulla. Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbra me automjet privat (duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njejtës familje) deri në orën 21:00).

Ndërkohë që mbeten në fuqi rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore dhe sportive të çdo lloji dhe transporti publik si dhe njësitë ekonomike ende të mbyllura. Po kështu, nga data 11 maj lejohen të ushtrojnë veprimtari sipas protokolleve strikte të sigurisë, me të cilat bizneset janë njohur përgjatë kësaj kohe, aktivitetet si, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.

Po ashtu duke filluar nga data 11 Maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN