MENU
klinika

Nga Reuters tek Associated Press

Shembja e Teatrit jehonë në mediat ndërkombëtare

17.05.2020 - 14:32

Protesta që po zhvillohet prej 10 orësh në Tiranë për shkak të shembjes së Teatrit Kombëtar ka marrë rëndësi edhe në mediat ndërkombëtare.

Për zhvillimet në Tiranë, Associated Press shkruan se: “Policia shqiptare është përleshur me mbështetës të opozitës, të cilët po protestonin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar të vendit në kryeqytetin e Tiranës”.

Nw shkrim theksohet se:Policia largoi me forcë një grup artistësh dhe disa drejtues të opozitës nga ndërtesa e Teatrit mëngjesin e kësaj të diele para se makineritë e rënda të fillonin ta rrëzonin atë.

Vendimi i qeverisë për të shkatërruar Teatrin e vjetër Kombëtar, të ndërtuar nga italianët kur ata pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u kundërshtua nga artistë dhe të tjerë që e donin atë të rinovuar.

Një politikan i opozitës tha se 30 persona, përfshirë një gazetar, u arrestuan nga policia. Autoritetet nuk e kanë komentuar raportimin. Pamjet televizive treguan Monika Kryemadhin, drejtuese e një partie të vogël opozitare dhe bashkëshorte e Presidentit të vendit, duke u futur në një furgon policie. Pozita e presidentit në Shqipëri është kryesisht një post ceremonial. Drejtuesi i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, u kërkoi banorëve të rrëzonin qeverinë për shkatërrimin e teatrit”,– sqarohet ne shkrimin e AP.

“Reuters” ndër të tjera shkruante:

Autoritetet shqiptare filluan rrënimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, mëngjesin e kësaj të diele, pasi tërhoqën duzina aktorësh dhe aktivistësh, që e mbronin atë. Teksa i tërhiqnin ata brohorisnin “turp” dhe “diktaturë”.

Për më shumë se dy vjet aktorë, aktivistë dhe opozita kanë kundërshtuar planet e kryeministrit, Edi Rama për të ndërtuar një teatër të ri, duke thënë se ndërtesa ekzistuese ishte pjesë e trashëgimisë së vendit, dhe e akuzuan atë për praktika korruptive.

Protesta çoi në 37 arrestime dhe një polic u shtrua në spital pasi u godit nga protestuesit. Ndërsa një dëshmitar i ‘Reuters’ gjithashtu se kishte parë një protestues me lëndime në kokë.

Njëri nga të arrestuarit, analist i medieve, Alfred Lela, tha pas lirimit të tij se policia kishte përdorur dhunë të pajustifikuar dhe abuzim verbal. Policët shkelmuan protestuesit, të cilët hodhën shishe uji, sipas një dëshmitari të Reuters, por policia tha se akuzat për dhunë ishin të pavërteta.