MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Shpeshherë më krijohen zhurma në vesh. Si t’i trajtoj?

10.05.2020 - 13:18

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Shpeshherë më krijohen zhurma në vesh. Si t’i trajtoj?

Mjeku:  Trajtimi i zhurmave në veshë do të varet nga shkaku themelor dhe mund të përfshijë medikamente të ndryshme. Në shumë raste, tinitus mund të zhduket edhe vetë pa mjekim, por e rëndësishme është që pacienti të mësojë ta përballojë atë. Në disa raste mund të përshkruhen edhe medikamente, por për shumicën e individëve nuk ka një zgjidhje të qartë. Medikamentet shpesh mund të përdoren për të trajtuar efektet psikologjike të ankthit, ose depresionit që mund të shoqërojnë tringëllimën e veshëve.
Rekomandohet lënia e duhanit, shmangia e kripës në ushqime dhe e kafeinës (sa më pak kafe, çokollata, coca-cola). Alkooli, nikotina dhe produktet e duhanit mund të zvogëlojnë rrjedhjen e gjakut në strukturat e veshit (dhe jo vetëm), duke ndihmuar kështu në dëmtimin e dëgjimit. Në disa raste mund të jetë i dobishëm përdorimi i zinkut dhe i vitaminës B-kompleks. Gjithashtu duhet të theksoj se në raste të caktuara zhurmat në veshë mund të parandalohen duke shmangur dëmtimet e dëgjimit. Kujdes duhet treguar kur përdoren tamponët me pambuk për pastrimin e veshëve. Normalisht ato nuk rekomandohen pasi shtyjnë dyllin e veshëve në drejtim të membranës dhe favorizojnë krijimin e zhurmave. Nëse punoni në vende që ka zhurma të pashmangshme, duhet të përdorni kufje mbrojtëse për veshët. Rregullat e sigurisë në punë përfshijnë edhe mbrojtjen e dëgjimit. Edhe personat që praktikojnë gjuetinë rekomandohen të përdorin kufje mbrojtëse për veshët dhe jo t’i mbushin veshët me pambuk. Për të rinjtë që dëgjojnë vazhdimisht muzikë me kufje në veshë, rekomandohet të mbahet volume i zërit në një nivel të arsyeshëm. Është gjithashtu e këshillueshme ruajtja e një peshe trupore të shëndetshme. Pesha e tepërt mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut (hypertension arterial ), i cili në vetvete mund të çojë në rritje të ndjeshmërisë ndaj zhurmave, por edhe tringëllima në veshë. Prandaj është e rëndësishme të mbani një dietë të shëndetshme dhe të ushtroheni fizikisht rregullisht, gjithmonë në përshtatje me kushtet individuale shëndetësore. Në presionin e lartë të gjakut ndikon edhe sasia e madhe e kripës e përdorur gjatë ushqyerjes. Prandaj janë të përshtatshme dietat me sa më pak kripë (ndoshta edhe pa kripë fare). Edhe nga pikëpamja psikologjike, mundohuni të impononi veten që të mos fiksoheni tek zhurmat në veshë. Sa më shumë të përqendroheni tek zhurma, aq më e fortë do të perceptohet ajo. Mundohuni të kryeni aktivitete të tjera ndërkohë që perceptoni zhurmat, si për shembull të zhyteni në lexime interesante, apo të shihni filma që ju tërheqin, pse jo edhe të ushtroni sporte të ndryshme për të larguar vëmendjen nga problemi juaj.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.