Varësia nga turizmi dhe remitancat do të godasin fort ekonominë shqiptare këtë vit, gjatë të cilit sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Prodhimi i Brendshëm Bruto do të bjerë me 9.0%. Raporti i fundit i bankës parashikon ringritje të shpejtë, por me ndikim afatgjatë politik dhe shoqëror.
Shqipëria do të shënojë rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 9.0 për qind në vitin 2020 për shkak të ndikimit në ekonomi të pandemisë së koronavirusit. Ky parashikim bëhet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e fundit të parashikimit makroekonomik. Nga ana tjetër banka pret që rimëkëmbja të jetë e shpejtë gjatë vitit 2021 me një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 12.0 për qind.
Shkak sipas bankës për këtë rënie të madhe të PBB-së është varësia e Shqipërisë nga turizmi dhe të ardhurat e ulëta nga tregtia jashtme. Ndikim në ekonomi do të ketë gjithashtu pakësimi i mundshëm i remitancave.
“Rimëkëmbja do të varet nga relaksimi gradual i masave kufizuese për frenimin e virusit dhe kthimi në normalitet gjatë gjysmës së dytë të vitit,” thekson raporti ku nënvizon se parashikimet ndikohen nga pasiguria e paprecedentë.
Kryeekonomistja Beata Javorcik thotë se ndërsa bota del gradualisht nga kjo krizë, bashkëpunimi mbetet kyç për forcimin ekonomik.
“Kriza ka qenë një goditje e madhe dhe dalja prej saj mbetet po aq sfiduese. Kjo nuk është koha për t’u angazhuar të nacionalizëm dhe proteksionizëm ekonomik, por është koha për të ndërtuar një të ardhme të ndritur nëpërmjet zotimit për tregtinë e lirë, zbutje të ndikimit të ndryshimeve të klimës dhe bashkëpunim ekonomik,” thotë ajo.
Raporti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se kjo rënie e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të ketë ndikim modest në periudhën afatgjatë të veprimtarisë ekonomike, ndërsa rritja do të rikthehet gradualisht në tremujorin e tretë. Kjo goditje do të ketë ndikim afatgjatë politik dhe shoqëror.
“Nëse masat e distancimit fizik mbeten në fuqi për një periudhë më të gjatë nga sa është parashikuar, recensioni do të jetë më i thellë,” shton raporti.
Në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor është ndikuar kërkesa dhe oferta. Goditjet e jashtme do të vijnë si pasojë e rënies së çmimit të lëndëve të para, duke ndikuar kështu eksportet, çrregullime në zinxhirin global të vlerës, kolapsin e turizmit dhe pakësimin e remitancave.