04.05.2020 - 19:53
Dy të tretat e të sëmurëve tek ne janë shëruar: treguesi më pozitiv për daljen e vendit tonë nga pandemia
- Efekti përkeqësues i vatrës në Krujë u ndal, ai e zgjati me rreth 10 ditë fazën e daljes nga sëmundja
- Regjistrohet numri më i ulët i humbjeve njerëzore në Europë që prej fillimit të pandemisë, si dhe numri më i vogël i të prekurve rishtas në ditë
- Islanda “de facto” vendi i parë që del nga pandemia
- Vendet e mëdha përtej Europës: Rusia, Brazili dhe Turqia, nuk paraqesin rrezik për t’u kthyer në epiqendra pandemie
(Buletin ditor i E-group-it ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë” për zhvillimet kryesore të sëmundjes së “Corona-virus-it” gjatë ditës së fundme: të dhëna të sintetizuara që njoftojnë prirje, dukuri dhe zhvillime të saj)
- Javë me tregues pozitivë për daljen e vendit tonë nga pandemia. Shtimi mesatar ditor i numrit të të sëmurëve rishtas ka qenë 1.2 për qind, nga 3.3 për qind javën e mëparshme. Përfundimisht, efekti përkeqësues i vatrës në Krujë u shua, ai e zgjati me rreth 10 ditë fazën e daljes së vendit nga pandemia. Kështu, raporti ndërmjet të shëruarve gjithsej me të prekurit gjithsej arriti në nivelin 67,6 për qind, më shumë se dy të tretat, nga 57,3 për qind një javë më parë. Ndërsa numri i të sëmurëve faktikë zbriti në 229, shkalla më e ulët deri më tani.
- Gjithë vendet e rajonit kanë regjistruar një trend pozitiv të treguesve më të rëndësishëm të gjendjes dhe kontrollit të pandemisë. Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, Greqia, Kosova dhe Bosnja-Hercegovina rikonfirmuan tregues karakteristikë të ecurisë së fazës së uljes, ndërsa Sllovenia, Bullgaria e Serbia gjenden në fazën e rrafshimit të kurbës, për të filluar më tej zbritjen. Raporti i të shëruarve ndaj të sëmurëve në tërësi në Mal të Zi arriti në 77 për qind, në Kroaci – 72.4 për qind, kurse në Maqedoninë e Veriut 65.3 për qind dhe në Kosovë 47 për qind. Vdekshmëria në vendet e Ballkanit është në nivelet më të ulëta. Shqipëria e Bullgaria, së bashku me Sllovakinë e Ukrainën, janë vendet me numrin më të vogël të humbjeve njerëzore për frymë të popullsisë në Europë.
- Europa në tërësi njohu dje ndër treguesit me pozitivë të gjendjes së pandemisë. Numri humbjeve njerërore në 24 orë zbriti në 1.193, një numër shumë më i ulët në krahasim me ditët e fundit. Rritja ditore e numrit të të infektuarve u dëshmua tek 1.6 për qind, një tjetër shifër rekord, ndërkohë që në të katër vendet e mëdha të kontinentit (Itali, Francë, Spanjë, Gjermani) ishte nën 0.66 për qind. Mbi 26 shtete të Europës janë tashmë në fazën zbritëse të kurbës së sëmundshmërisë, duke përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Italinë, Francën dhe Turqinë. Ndërsa Belgjika, Hollanda, Polonia e Rumania janë pranë fillimit të fazës së zbritjes. Islanda është vendi i parë që “de facto” ka dalë nga pandemia, me raportimin e djeshëm, që mbi 95 për qind e të infektuarve gjithsej tashmë janë shëruar tashmë. Ndërsa në Gjermani, Austri, Luksemburg dhe Zvicër ky raport ka arritur në mbi 80 për qind.
- Edhe treguesit në nivel botëror të pandemisë ditën e djeshme forcuan një prirje cilësore: numri i të sëmurëve ditorë njohu zbritje së bashku me numrin e të ndarëve nga jeta për shkak të “Corona-virus-it”, duke regjistruar shifrat më të ulëta. Të sëmurët rishtas janë shtuar me 2.36 për qind, ndërsa jetët e humbura ishin 3.481, numri më i ulët që nga fundi i marsit, pa shpërthyer pandemia. SHBA gjithashtu kanë regjistruar shtimin më të ulët të të sëmurëve, me 2.35 për qind, dhe numrin më të ulët të humbjeve gjatë kohëve të fundme, gjithsej 1154 veta.
- Vendet e mëdha jashtë Europës dhe SHBA, me përhapje të pandemisë me mbi 100 mijë të prekur: Rusia, Brazili dhe Turqia, me treguesit e djeshëm dhe të ditëve të fundme, kanë një ritëm që nuk paraqet rrezik për t’u kthyer në epiqendra pandemie. Turqia është tashmë në fazën ulëse, Brazili ka një rritje të moderuar (4-5 për qind në ditë), ndërsa Rusia vazhdon me shtimin ditor të të sëmurëve me 7-8 për qind, që janë përqindje të fazës së parë të ndaljes së shperthimit të pandemisë, por ende larg nivelit të frenimit të saj, për të kaluar me tej drejt fazës së rrafshimit të kurbës.
www.akad.gov.al