Shtëpia e Bardhë ndaloi këshilltarin kryesor të shëndetësisë dr. Anthony Fauci të dëshmojë javën e ardhshme në një komision të Kongresit që po shqyrton mënyrën sesi administrata Trump i është përgjigjur pandemisë së koronavirusit.
Një nënkomitet i Dhomës së Përfaqësuesve, që drejtohet nga demokratët, ka kërkuar dëshminë e doktor Faucit në 6 maj. Demokratët e kanë kritikuar ashpër reagimin që ka mbajtur Presidenti Donald Trump gjatë shpërthimit të pandemisë që deri tani iu ka marrë jetën mbi 65 mijë amerikanëve.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se do të ishte “joproduktive” që personat e përfshirë në reagimin ndaj koronavirusit të dëshmonin.
“Jemi të angazhuar të punojmë me Kongresin për të ofruar dëshminë në kohën e duhur”, shtoi zëdhënësi.
Megjithatë, javën e ardhshme doktor Fauci do të dalë në një seancë dëgjimore për të dëshmuar në Senat, i cili kontrollohet nga republikanët, raporton Washington Post.