Miliona njerëz rreth Europës, u janë rikthyer asaj që i ngjan jetës së tyre të mëparshme, ndërsa shumë shtete kanë zbutur kufizimet që vunë nën zinxhirë, një botë të tërë. Mes sinjaleve shpresëdhënëse se armiku që uli në gjunjë njerëzimin, po e humb fuqinë e tij, vëmendja është zhvendosur nga shifrat e pamëshirshme tek rihapja e jetës sociale dhe ekonomike.
Rrugëtimi në tunelin e gjatë e të erret, po mbërrin drejt fundit, por ajo që të gjithë pyesin është: çfarë na pret në fund të këtij rrugëtimi? A do të gjejmë atje botën që njohim, po ne a do të jemi më si më parë?
Udhëheqësit po e përgatisin njerëzimin për ‘’Normaliteti i ri’’, ku pashmangshmërisht do të rifitojmë shumë prej lirive, por do të duhet të heqim dorë nga të tjera. Dhe jo të gjithë e pëlqejnë pamjen e këtij normaliteti të gjymtuar.
Bizneset në Italinë e goditur rëndë nga pandemia pyesin se si do të munden të mbijetojnë nëse kufizimet lehtësohen por nuk hiqen plotësisht më të shqetësuarit janë pronarët e bareve dhe restoranteve, të cilët mendojnë se në një biznes të mbështetur fort tek ndërveprimit social, mbijetesa do të jetë e vështirë.
“Kostot totale për hapjen e restorantit janë rreth 28 mijë euro në muaj. Nëse e hap, me rregullat e distancimit social xhiroja mund të arrijë deri në 10 mijë euro në rastin më të mirë. Do të humb më shumë se 14 mijë euro. Muajin tjetër do të detyrohem ta mbyll”, thotë Savino Tolentino, pronari i një restoranti.
Sallonet e bukurisë në Gjermani rihapën dyer të hënën por klientët nuk mund të shkojnë atje, pa plotësuar një formular. Disa ankohen se kanë fluks prenotimesh por nuk i përballojnë dot në kushtet e rregullave të distancimit social.
Lokalet e natës dhe diskotekat ku qindra vetë kërcejnë të ngjitur pas njëri-tjetrit duket se do ta kenë të vështire t’i përshtaten realitetit te ri, e në duhet të mësohemi me fundjava më të qeta.
Ibiza, ishulli që josh miliona turistë në vit me premtimin e festave të shfrenuara deri në të gdhirë duke se do të rimendojë të gjithë mënyrën e të bërit turizëm.
“Ne jemi gati ne Maj. Sezoni ka mbërritur, por nuk ka fluturime. Nuk ka anije dhe nuk ka lëvizje mes kufijve. Është shumë e vështirë”, thotë menaxheri Roberto de Lope.
Izolimi si pasojë e pandemisë e orientoi njerëzimin më shumë se kurrë drejt jetës virtuale, në atë që është quajtur si eksperimenti më i madh social në histori, puna bëhet tani nga shtëpia, shkolla, shfaqjet artistike e muzikore dhe gjithashtu takimet me miqtë janë online.
Ekspertët mendojnë se teknologjia do të jetë boshti i normalitetit të ri, duke riformësuar çdo biznes në vitet e ardhshme.
“6 teknologjitë, ajo e inteligjencës artificiale, portofolit të monedhës digjitale Blockchain, sensorëve, makinerive autonome, realitetit të shtuar, 5 G dhe rrjetit të konstelacionit satelitor do të kombinohen për të krijuar produkte dhe shërbime të reja të pabesueshme, për të revolucionuar veprimtarin e bizneseve e për t’i shërbyer klientëve në mënyra të reja”, thotë studiuesi Steve Brown.
Mënyra se si do të udhëtojmë do të pësojë gjithashtu metamorfozë nën regjimin e rregullave të distancimit. Rreth 90 përqind e fluturimeve ndërkombëtare u anuluan, si pjesë e masave për frenimi e pandemisë, duke e bërë industrinë ajrore një prej më të goditurave.
Por edhe pas rinisjes së fluturimeve shumë gjëra do të jenë ndryshe. Nëse më herët tendenca e kompanive ajrore ishte të rrisnin kapacitetin e pasagjerëve në bord, tani do të jenë të detyruar të kufizojnë numrin, më shumë gjasë duke lënë një në dy sedije të boshatisura.
Por në kushtet kur kompanitë do të kenë të vështirë të gjenerojnë fitime si më parë, a do të mbijetojnë fluturimet low cost?
“Kompanitë ajrore po luftojnë për të mbijetuar. Eliminimi i sedijeje të mesit do të rrisë kostot. Nëse kjo do të ndodhë epokës së fluturimit të përballueshëm do ti vijë fundit”, vlerëson Alexandre de Juniac, drejtor i Përgjithshëm i shoqatës së transportit ajror ndërkombëtar.
Në mesdhetarët, do ta kemi të vështirë të përshtatemi edhe me mungesën e kontakteve sociale, ndërsa puthjet apo shtrëngimi i duarve më miqtë do të mbetet një kujtim i së kaluarës, të paktën për disa kohë. I nisur disa shekuj më parë si simbol paqeje, një gjest për të provuar se nuk ke armë me kalimin e kohës, shtrëngimi i duarve u bë pjesë e ndërveprimit të përditshëm social, fetar, profesional apo sportiv.
Por tani nuk më ka rëndësi se sa miqësor është si gjest, ai përbën rrezik për transmetimin e mikroorganizmave infektues.
Por nëse shtrëngimi i duarve nuk do të jetë më i pranueshëm, çfarë mund ta zëvendësoje atë? Takimi i grushteve dhe bërrylave është alternativa më e praktikuar, por mund të mendohet mbase për ndonjë përkulje të stilit japonez, apo përshëndetje “alla Spok” në Star Treck.