MENU
klinika

Nga Adrian Civici/ Rreziku i rritjes së çmimit të grurit

Ndikimi në Shqipëri i bllokimit të eksportit të grurit nga Rusia

06.05.2020 - 11:03

A rrezikojmë prekjen e çmimit të bukës në javët dhe muajt në vazhdim? Në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme nuk pritet ndonjë ndikim i madh në këto dy aspekte. Duket se sinjalet e dhëna nga Rusia janë dëgjuar siç duhet në Shqipëri

Nga Adrian Civici ekskluzivisht për Fjala.al

Rusia, një nga eksportuesit më të mëdhenj të drithrave në botë, vendosi të ndërpresë eksportin e grurit dhe disa drithrave të tjera – përveç vendeve të Bashkimit ekonomik euroaziatik – deri në datën 1 korrik 2020, me gjithë rritjen e çmimit në tregun botëror dhe përfitimet nga eksportet si rezultat i forcimit të dollarit amerikan dhe dobësimit të rublës ruse. Sipas Ministrisë ruse të Bujqësisë, një masë e tillë synon të “stabilizojë çmimet e drithërave dhe të garantojë nevojat e brendshme të vendit” duke pasur parasysh dhe situatën e krizës së Covid-19 dhe goditjeve që mund të shkaktojë ajo. Hera e fundit kur Rusia ka bllokuar eksportin e drithërave ka zgjatur gati 11 muaj: 15 gusht 2010 – 30 qershor 2011. Në fund të marsit 2020 qeveria ruse shpalli masat kufizuese nëpërmjet aprovimit të “kuotave të eksportit” të drithrave deri në 7 milionë tonë, kuotë që u arrit në 26 prill 2020. Mbas kësaj date, eksportet e drithrave bllokohen deri në 1 korrik, në pritje të një vendimi të dytë. Duke iu referuar rritjes së çmimeve në tregjet botërore dhe dobësimit të rublës kundrejt USD, eksporti i drithërave u bë mjaft fitimprurës për Rusinë dhe të ardhurat valutore të saj, por nga ana tjetër, kjo ishte edhe një arsye fortë për pezullimin e përkohshëm të eksporteve “për të mbrojtur tregun vendas nga rritja e çmimit të bukës dhe ngushtimi i ofertës në treg”, sidomos në një kohë kaq të pasigurt, pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Një vendim i tillë u kritikua menjëherë nga FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin), OBT (Organizata Botërore e Tregtisë) dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare të cilat i tremben faktit se “këto kufizime për eksportin e drithërave mund të shkaktojnë mungesa të rënda e kriza ushqimore, sidomos në vendet e varfëra … siç paralajmëron OKB-ja, kriza e grurit apo drithrave të tjera, mund të marrë ndoshta “përmasa biblike” në rrethanat e një pandemie… Ekziston rreziku i rritjes së çmimit të grurit, që edhe përpara këtij vendimi ishte mjaft i lartë”. Çmimi i grurit të fortë, i përdorur për prodhimin e miellit dhe bukës, nga 200 euro/ton pritet të shkojë deri në 260 – 270 euro/ton. Arsyet e përgjithshme të kësaj rritjeje lidhen me rritjen e kërkesës globale për grurë, shqetësimet për ndryshimet klimaterike dhe efektet negative të tyre në prodhimin e grurit, sidomos thatësira e gjatë në Evropë – meteorologët paralajmërojnë se vera e vitit 2020 mund të jetë nga verat më të nxehta të dekadave të fundit – dhe, mbi të gjitha, efektet e rënda që po shkakton kriza e koronavirusit. Të korrat e ardhshme të grurit duken të rrezikuara në shumë vende të botës, sidomos në vendet e mëdha eksportuese që furnizojnë tregun botëror me sasitë më të mëdha të këtij produkti jetik.

Po Shqipëria, si dhe sa e rrezikuar është të ndikohet apo të preket nga kjo situatë? A rrezikojmë prekjen e çmimit të bukës në javët dhe muajt në vazhdim? Në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme nuk pritet ndonjë ndikim i konsiderueshëm në këto dy aspekte. Duket se sinjalet e dhëna nga Rusia janë dëgjuar siç duhet në Shqipëri. Shifrat tregojnë se gjatë muajit mars 2020 regjistrohet shifra më e lartë e importeve të drithërave, veçanërisht grurit. 1,5 miliardë lekë importe në mars 2020, me një rritje prej 147% krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje 69% krahasuar me muajin mars 2019. Konkretisht, u importuan 43000 ton, ndërkohë që një vit më parë ishin importuar vetëm 21000 ton. Megjithatë, Rusia (bashkë me Serbinë) mbetet furnizuesja kryesore e tregut shqiptar të importit të drithit duke zënë rreth 50% të tij. Krahasuar me muajin mars 2019, importet nga Rusia janë rritur me 154%, bashkë me Serbinë, zënë rreth 70% të tregut tonë të importeve.

Kjo situatë ka bërë që kompanitë shqiptare të importit të drithërave dhe përpunimit të tyre, veçanërisht grurit të kenë siguruar tashmë 1,5 – 2 muaj importe stok, çka nënkupton që për një periudhë të paktën 2 – 3 mujore, nuk pritet që çmimi i miellit dhe bukës të ndikohet në tregun e brendshëm, natyrisht duke përjashtuar mundësinë e spekulimeve dhe “manovrimeve”. Nga ana tjetër, rreth 35-40% e drithit që përdoret në vendin tonë për prodhimin e bukës mbulohet nga importi, ndërsa pjesa tjetër nga prodhimi vendas. Mbetet për t’u parë se si do jenë të korrat e këtij viti – kur procesi i prodhimit është ndikuar dhe nga kriza e pandemisë – për të dhënë një gjykim për shkallën e prekjes së çmimeve të bukës nga bllokimi i eksporteve ruse.

Është momenti që Shqipëria ta rrishikojë rigorozisht politikën e saj rurale në lidhje me prodhimin, përpunimin e grurit dhe rezervat shtetërore dhe kompanive importuese e përpunuese, në mënyrë që të rrisë shkallën e autonomisë dhe sovranitetit për këtë produkt jetik e strategjik.

Mbas tregut të naftës, në javët dhe muajt e ardhshëm, është tregu i drithërave ai që pritet të përballet me tensione të reja, të lidhura ngushtë edhe me pandeminë Covid-19. Dhe kjo për tri arsye kryesore: nën efektin e paqartësive dhe dëmeve nga kriza aktuale dhe ridaljes në skenë të nocionit të “sovranitetit ushqimor”, shumë vende po përpiqen të garantojnë tregjet e brendshme nëpërmjet politikave proteksioniste, duke dobësuar ndjeshëm respektimin e rregullave të tregtisë së lirë dhe kërkesave të OBT-së. Ukraina, eksportuese e madhe e grurit ka deklaruar se “po monitoron me kujdes eksportet e grurit dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të marrë masa për frenimin e tyre për të parandaluar rrritjen e çmimit të bukës, sidomos nëse situata e krizës pandemike do të vazhdojë të komplikohet”. Vietnami, një nga vendet kryesore të eksportit të orizit në botë, deklaroi se po shihte mundësinë e bllokimit të eksporteve të orizit, nëse situata pandemike përkeqësohej. Vendet eksportuese të naftës – që janë shumë të varura nga importi i grurit – të prekura rëndë nga rënia e paimagjinueshme e çmimit të naftës, po kalojnë periudha paniku rëniesh të ardhurash dhe deficitesh të larta buxhetore, panik që po e reflektojnë dhe te krijimi me urgjencë i stoqeve të mëdha të grurit, duke ndikuar akoma më shumë në rritjen e çmimit të tij; së treti, vështirësitë e mëdha dhe bllokimi i transportit ndërkombëtar po i bën akoma më të komplikuara praktikat dhe procedurat e importit.

Situata mund të qetësohet disi nëse tregjet amerikane dhe evropiane do të kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë për t’i orientuar drejt tyre blerësit e grurit, natyrisht me çmime joshëse. Stoqet amerikane të grurit janë nga më të mëdhatë në botë dhe “hedhja e tyre në treg” me një vendim politik mund ta qetësojë ndjeshëm situatën, ndërkohë që edhe tregu evropian duket më disponibël për të mbushur boshllëkun e Rusisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN