MENU
klinika

Gati formularët për aplikim

Skema e financimit në bujqësi, si ndahen 744 milionë lekë?

16.05.2020 - 13:36

Përfitojnë 4 mijë fermrë, nga subvencionimi për shtimin e sipërfaqeve me bimë mjekësore deri tek të imtat e bletaria. Aplikimet nga fermerët do të bëhen online përmes portalit e-albania

Shtimi i sipërfaqeve me bimë mjekësore dhe aromatike, certifikimi i produkteve bujqësore e blegtorale, shtimi i të imtave dhe zgjojeve të bletëve do të finacnohen nga Ministria e Bujqësisë përmes skemës kombëtare. Fondi i vënë në dispozicion të fermerëve është 744 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth 4 mijë fermerë në të gjithë vendin. Për të përfituar financime fermerëve u mjafton të aplikojnë on-line në portalin qeveritar e-albania. Aplikimi do të hapet në fund të muajit maj.

Skema e financimit

Fondi i parashikuar në skemën kombëtare për vitin 2020 është 744 milionë lekë. Kriteret, kategoritë përfituese dhe masa e financimit në bujqësi janë miratuar që në muajin shkurt. Sipas vendimit, fondi do të përdoret për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale, të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara e subvencionimit të çmimit të plastmasës; shtimit të sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike; certifikimit të produkteve bujqësore dhe fermave organike; mbështetjes së diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale. Në këtë nismë parashikohet që të mbështeten fermat me të imta me jo më pak se 70 krerë, në rreth 1200 lekë për krerë dhe për gjedhët 10 mijë lekë për krerë, si dhe do të mbështetet bletaria me 1 mijë lekë për zgjua për ferma jo më pak se 50 zgjoje. Për bimët aromatike financimi fillon nga 200 mijë lekë për hektar për individë dhe grup fermerësh dhe deri në 4 milionë lekë për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Për fermat organike mbështetja do të jetë nga 100-200 mijë lekë, ndërsa për rikonstruksionin e ambienteve për turizëm rural, me 6-10 dhoma, financimi arrin deri në 5 milionë lekë për subjekt. Ndërkohë 12 milionë lekë nga ky fond do të përdoren për pagesat e palikuiduara për projektet fituese të vitit që lamë pas, si dhe interesat e kontratave.

Aplikimi

Në fund të muajit maj pritet të hapen aplikimet e fermerëve për financime në bujqësi për vitin 2020. Aplikimet nga fermerët do të bëhen online, përmes portalit e-albania me zero dokumente. Sipas vendimit që qeverisë, përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të jenë fermerët, personat fizikë, personat juridikë. Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2020, do të përdoret shuma deri në 10174 000 lekë, e cila do të shkojë për pagesën e vlerës së palikuiduar, për subjektet e shpallura fituese nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural. Ndërsa vlera deri në 1755000 lekë detyrime, për pagesat e normës së interesave bankarë për kontratat e lidhura.

Masa e financimit dhe kriteret

a) Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500000 lekë për subjekt.
b) Mbarështim i bletarisë me 1000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por jo më shumë se 150000 lekë për subjekt.
c) Zëvendësimi i plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive 300000 lekë/ha dhe 100 000 lekë/ha, por jo më shumë se 500000 lekë për subjekt. Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0,2 ha. Përfitues janë subjektet që nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
ç) Mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200000 lekë/ha, por jo më shumë se 1000000 lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, jo më shumë se 4000000 lekë. Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0,2 ha, për grup fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0,2 ha, kur nuk është në bllok.

d) Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100000 lekë, në vitin e dytë, 150000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.
dh) Implementimi dhe certifikimi Global GAP në masën 50 (pesëdhjetë)% të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175000 lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha.
e) Mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5000000 lekë për subjekt. Përfitues janë subjektet që nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
Analiza e Bankës së Shqipërisë

Nëse ekonomia bie me 6,9%, papunësia arrin në 18,6%

Pasojat e pandemisë COVID-19 në Shqipëri do të ndihen në tkurrjen e ekonomisë e, për rrjedhojë, edhe në rritjen e papunësisë, cila mund të arrijë deri në 18,6%. Banka e Shqipërisë ka kryer një vlerësim që synon të krijojë projeksione mbi efektet e mundshme të krizës në ekonomi. Sipas vlerësimit të ekspertëve të bankës, njëri prej skenarëve është se një rënie e kërkesës agregate në masën 10% do të shoqërohej me rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivelin 6,9%, që është edhe projeksioni bazë për performancën e ekonomisë shqiptare, i publikuar më herët këtë muaj nga Banka Botërore. Skenari mbështetet në supozimin se rënia prej 10% do të prekë njëkohësisht tre komponentët kryesorë të kërkesës agregate, konsumin, investimet dhe eksportet neto. Sipas këtij skenari, shkalla e papunësisë në ekonomi do të arrinte në 18,6%, nga 11,2% që ishte në fund të vitit të kaluar. Brenda të njëjtës situatë hipotetike, ndikimi i rënies me 10% të konsumit privat do të gjenerojë një humbje prej 4,0% në produktin e brendshëm bruto, i përqendruar në sektorët e “Bujqësisë”, “Industrisë përpunuese” dhe “Pasurive të paluajtshme”. Po ashtu, një rënie hipotetike me 10% e investimeve, do të gjeneronte një humbje prej 1,1% në PBB, të përqendruar kryesisht në sektorin e “Ndërtimit”. Ndërkohë, rënia hipotetike me 10% e eksporteve do të kishte një ndikim negativ prej rreth 1,8% në PBB, me një shpërndarje relativisht më të gjerë në ekonomi.

Shoqata e Agjencive Turistike i drejton qeverisë pesë kërkesa për rimëkëmbjen e turizmit

Shoqata e Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjentëve Turistikë i ka bërë disa kërkesa qeverisë shqiptare për të filluar rimëkëmbjen e sektorit të turizmit. Në letrën drejtuar qeverisë, shoqata shprehet se këto masa janë mënyra e vetme për ta rikthyer sektorin në punë, pas dy goditjeve të rënda, si tërmeti i 26 nëntorit dhe kriza e Covid-19. Kërkesat bazohen në katër pika kryesore. E para, kërkohet më shumë mbështetje financiare për operatorët turistikë, ku propozohet rimbursimi për ardhjen e turistëve të huaj, rimbursimi i TVSH-së për bizneset e sektorit dhe zgjerimi i paketës së ndihmës për punonjësit në disa degë të tjera.

Në pikën e dytë kërkohet më shumë përpjekje nga qeveria për turizmin dalës, si lidhja e marrëveshjeve me shtetet e BE-së për të hequr masat e karantinimit të detyrueshëm. Në pikën e tretë, ku përfshihet turizmi hyrës, kërkohet hapja sa më e shpejtë e kufijve dhe lejimi i kroçerave në brigjet shqiptare. Në pikën e katërt shoqatat kërkojnë fokus të veçantë te vizitat në muze dhe sitet kulturore, për të ulur çmimin e tarifave dhe bonuse për turoperatorët. Në pikën e pestë dhe ndër më të rëndësishmet Shoqata thekson nevojën e plotësimit të kuadrit ligjor, duke i bërë thirrje qeverisë për të vazhduar me përfundimin e Ligjit të Turizmit, që bën të mundur edhe përfshirjen e mekanizmave financiarë mbrojtës për situata të tilla emergjente./Gazeta Fjala/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Civici: Si po përballohet kjo situatë emergjence?

ANALIZA/ “Filozofia’ e masave ekonomike ‘antikoronavirus”

Civici: Si nismë sociale është e mirëpritur

Paga minimale 300 mijë lekë/ “Mund të rëndojë ekonominë”