Kohët e vështira, mbartin me vete gjithë forcën e shpirtit njerëzor dhe atij artistik. Shumë artistë në mbarë botën, nuk e kanë ndalur punën krijuese, përkundrazi. Motivi i ri, është beteja me armikun e padukshëm që kërcënon jetën… dhe mesazhi i tyre, vjen përmes artit./Konica.al
Në këtë formë, “One World”, është konceptuar si një shfaqje bamirësie e artistëve vizualë nga 100 vende të botës, të cilët mbështesin situatën e krijuar profesionalisht dhe personalisht.
Këta skulptorë profesionistë zakonisht veshin maska çdo ditë, për t’u mbrojtur nga pluhuri, gjatë punës së tyre të përditshme. Në këtë krizë pandemike, maska e tyre simbolizon mbështetjen dhe vendosmërinë, për të luftuar sëmundjen.
Kjo nismë vjen nga ISSA, (International Sculpture Symposium Alliance), që bashkon artin e skulpturës në të gjithë botën dhe ku bën pjesë edhe skulptori kosovar, Butrint Morina. Si pjesëmarrës në më shumë se 10 simpoziume ndërkombëtare të skulpturës, Morina ka takuar rreth 100 skulptorë, artistë nga vende të ndryshme të botës, me të cilët ka punuar.
Artistët, janë ata që kanë shfrytëzuar çdo mundësi për të qenë më afër njerëzve, për të përcjellë mesazhe sensibilizuese e për t’u dalë në ndihmë përmes iniciativave të ndryshme.
Në këtë formë, në stilin e Koncertit të Bamirësisë ‘One World’, artistët vizualë ndërkombëtarë nga 100 vende të botës, po tregojnë mbështetjen e tyre antipandemike me mbrojtjen e tyre profesionale dhe personale.
Tani që pandemia Covid-19 e ka përfshirë botën, duke mos kursyer pothuajse asnjë vend në 5 kontinente, artistë nga afro 100 vende qëndrojnë të bashkuar duke veshur mbrojtjen e tyre profesionale- personale, për të treguar mbështetjen e tyre në luftën kundër virusit.
Morina ka treguar për KultPlus, se përmes kësaj nisme po vihet në pah edhe më shumë, puna e përditshme e skulptorëve.
“Ne si skulptorë, në punën tonë të përditshme, jemi gjithmonë të maskuar, për t’u mbrojtur nga pluhuri që krijohet gjatë procesit të punës. Tash, për t’u mbrojtur nga virusi, të gjithë janë të detyruar, pavarësisht profesionit, të përdorin maskën. Të gjithë e kanë rastin ta përjetojnë, atë që skulptorët e përjetojnë çdo ditë.”
Pothuajse, të gjithë skulptorët pjesëmarrës në këtë nsimë, janë anëtarë të ISSA – shoqatë ndërkombëtare që promovon aktivitete të ndryshme, që kanë të bëjnë me skulpturën, kryesisht simpoziume. Skulptorët e paraqitur janë të gjithë artistë profesionistë, me ndikim, që së bashku, kanë krijuar mijëra skulptura monumentale në të gjithë botën. Jeta dhe të ardhurat e tyre profesionale, janë vënë në pritje për shkak të mbylljes së kufijve të fluturimeve ndërkombëtare.
Së fundmi, Morina ka treguar, se këto kohë skulptorët komunikojnë vetëm përmes rrjeteve sociale, ku vazhdimisht në grupe të ndryshme jepen njoftime për shtyrje dhe anulime të aktiviteteve që janë parashikuar të mbahen gjatë kësaj kohe.