MENU
klinika

Çfarë ndryshon nesër sipas urdhrit të kryeministrit?

Sot të lirë vetëm pensionistët dhe prindërit me fëmijë nën 14-vjeç

10.05.2020 - 09:08

Dita e sotme, ashtu si edhe javën e kaluar do të jetë vetëm për pensionistët dhe prindërit me fëmijë nën 14 vjeç, të cilët do të kenë mundësi të lëvizin, por me fasha të caktuara orari.

Pensionistët do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm deri në orën 10:00 paradite, ndërsa më pas janë të detyruar të karantinohen në shtëpi.

Prindërit dhe fëmijët nën 14 vjeç do të kenë mundësi të lëvizin nga ora 11:00 paradite deri në 17:30 pasdite, ndërsa do të duhet të presin orën 05:00 të të hënës për të lëvizur përsëri.

Asnjë biznes nuk është i hapur ditën e sotme, duke patur një mbyllje totale, ndërsa duke filluar nga dita e nesërme do të fillojnë lehtësimet edhe për disa biznese të tjera.

Siç është njoftuar nga Kryeministri Rama, duke filluar nga nesër do të mund të rifillojnë aktivitetin e tyre parukeritë, berberët, klinikat dentare dhe dyqanet në qendrat tregtare, por duke ruajtur distancimin social dhe me vetëm 1 klient apo pacient në radhë.

Gjithashtu është planifikuar që brenda qarqeve automjetet do të lëvizin pa autorizim, nga ora 05:00 deri në 17:30.

Nga nesër ndryshon edhe mënyra e karantinimit të të riatdhesuarve, pasi të gjithë ata që do të kthehen në shtëpi do të vetëkarantinohen në banesat e tyre.

Vetëm 6 rrethe kanë mbetur në zonën e kuqe sepse kanë rrezikshëmri përhapje të virusit, me Tiranën, Fierin, Durrësin, Shkodrën, Kurbinin dhe Krujën që do të duhet të jenë të paktën edhe këtë javë nën izolim, ndërsa pjesa tjetër e Shqipërisë mund të lëvizë lirshëm deri në orën 21:00 të mbrëmjes.