MENU
klinika

Historia e rrallë e familjes Margilaj

“Vëllai im ishte gazetar e shoqja në radio, por i internuan…”

14.05.2020 - 19:59

          Publikohet historia e panjohur të familjes së madhe Margilaj nga shqiptarët e Trieshit të Malit të Zi, të cilët janë të njohur që nga periudha e perandorisë osmane, kur shkuan në ndihmë të Bushatllinjëve të Shkodrës në luftrat e tyre kundër ushtrive të Kurt Pashës. Konfliktet e familjes Margilaj pas vitit 1944 me regjimin titist dhe arratisja e dy vëllezërve, Prelocit e Gjokës të cilët erdhën në Shqipëri së bashku me familjet e tyre, duke u sistemuar fillimisht me punë në gazetën “Za Slobu”, (organ i emigrantave politikë jugosllavë në Shqipëri) dhe në Radio-Tirana si redaktore dhe spiker të gjuhës serbe, nga ku më pas u internuan për dhjetë vite në fshatrat e Myzeqesë, pasi kishin shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Dëshmia e rrallë e Vasel Margilajt për vëllanë e tij Prelocin, i cili pas mbarimit të dënimit bëri kërkesë dhe në vitin 1972 u riatdhesua në Malin e Zi, ku shërbeu si mësues për lëndën e historisë dhe në 2003-in arriti të botonte veprën voluminoze, “Shqiptarët flasin ilirisht”, e cila u vlersua shumë nga studjuesit dhe historianët, si një libër me vlera të jashtëzakonëshme për etno-gjenezën shqiptare.


“Aty nga fundi i qershorit të vitit 1856, forcat e ushtrisë malazeze u afruan dhe bënë rrethimin e Trieshit duke dashur që ta digjnin dhe atë ashtu siç dogjën dhe shkatërruan të gjitha shtëpitë e Kuçit ku therën dhe fëmijët në djep. Në datën 28 qershor, malazezët u afruan deri në qëndër të Trieshit pa hasur asnjë lloj rezistence dhe duke mos parë njeri aty, kujtuan se mos trieshasit ishin larguar nga frika e tyre në male. Por sapo komandanti i tyre u afrua tek dera e shtëpisë së Mark Gilës, që në atë kohë ishte në moshën 78 vjeçare, ai e mori në shenjë dhe e qëlloi me dy plumba në gojë, duke e lënë të vdekur në vënd komandantin malazez. Pas kësaj dolën të gjithë burrat e Trieshit nga pozicionet e tyre dhe filloi një luftë e rreptë prej të cilës mbetën të vrarë 72 oficerë e ushtarë malazezë, të cilët u varrosën aty përbri shtëpive të vllaznisë sonë të Margilajve, duke i vënë gjithsecilit na një gur te varri. Ato 72 gurë kanë qëndruar aty për gati 100 vjet dhe u hoqën prej andej në vitin 1945, kur udhëheqësi i Jugosllavisë, marshalli Josip Broz Tito, filloi të propagandonte idenë e Bashkim-Vëllazërimit. Ato u hoqën nga aty me qëllim që prezenca e atyre varreve të mos u kujtonte banorëve të atyre anëve konfliktet dhe sherret e vjetra midis shqiptarëve dhe malazezëve”. Kështu e kujtonte atë histori të largët të rrëfyer në disa breza, Vasel Margilaj, një nga pinjollët e fundit të familjes më të madhe shqiptare nga Trieshi i Malit të Zi, i cili na rrëfentë të gjithë historinë e të parëve të tij, që kanë luftuar gati 500 vjet kundër turqve dhe malazezëve, që nga Gegë Doshi, i biri i Dosh Lulashit, i cili është vrarë në qytetin e Shkodrës aty nga fillimi i shek XVII, duke luftuar kundër forcave të Kurt Pashës, e deri tek i fundit, Preloc Margilaj, studiuesi i famshëm i etno-gjenezës së shqiptarëve që është dhe vëllai i madh i Vaselit, i cili ndërroi jetë para katër muajve pasi kishte vuajtur afro 10 vjet i internuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës nëpër fushta e Myzeqesë. Po kush është fisi i Margilajve dhe cila është origjina e tyre? Cilët janë burrat e trungut të asaj familjeje që kanë bërë emër të madh në historinë e Shqipërisë duke luftuar kundër turqve dhe malazezëve? Cilat janë lidhjet e Margilajve me gjeneralin e famshëm, Sokol Baci, i cili organizoi dhe kryesoi mbledhjen në Koritë të Trieshit, ku bashkë me Dedë Gjon Lulin, Isa Boletinin, Mehmet Shpendin, Bajram Currin, etj., hartuan Memorandumin e njohur të Greçës, duke i kërkuar Stambollit, autonominë e Shqipërisë? Cili është Preloc Margilaj dhe përse u largua ai nga Trieshi duke u arratisur në Shqipëri në vitin 1951, dhe si u internua ai në kampet e punës së detyruar për 10 vjet nga regjimi komunist i Enver Hoxhës? Lidhur me këto e shumë ngjarje, dëshmi, fakte, dhe histori të tjera nga trungu i familjes së Margilajve, na njeh Vasel Margilaj që ka jetuar në Tuz të Malit të Zi, historian dhe studiues i njohur i asaj treve shqiptare nën Malin e Zi, që veç të tjerash ka hapur edhe të parën shkollë shqipe në Triesh, duke i vënë emrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Origjina e Margilajve

Lidhur me origjinën e familjes Margilaj dhe cilët kanë qënë të parët e asaj familjeje që kanë bërë emër në histori, Vasel Margilaj dëshmonte: “Po të gërmojmë thellë në histori për pemën gjenealogjike të familjes sonë Margilaj, do të ndeshemi aty nga viti 1100 dhe origjina e të parëve tanë është nga Trieshi. Për të parët e familjes sonë ekzistojnë dokumenta dhe të dhëna arkivore. Ndër ta njihet, Dosh Lulashi, i cili ka lindur në fillim të shekullit XVII dhe ka qënë një nga miqtë e ngushtë të Bushatllinjve, miqësi të cilën familja e tij e ka ruajtur me dhjetra vjet. Dosh Lulashi, ka jetuar deri në moshën 96 vjeçare dhe ka vdekur aty nga fundi i vitit 1700. Doshi kishte dy djem: Gegë Doshin, i cili u vra në Shkodër sepse ku kishte shkuar për të luftuar kundër ushtrisë së Kurt Pashës në ndihmë të Bushatllinjve dhe djalin tjetër, Gil Doshin, i cili vdiq në Edrene të Turqisë në vitin 1779, teksa kishte shkuar së bashku me dy djemtë e Mehmet Pashë Bushatlliut, për të shtypur një kryengritje të grekëve. Pas vdekjes së tij, miku i tij i ngushtë i quajtur Pjetër Vakacaci, që shërbente si truproja i tij, e varrosi trupin në Edrene. Ndrësa rrobat, armët, dhe kalin, i’a solli në Triesh. Atë ditë që familja po priste ngushëllime dhe po organizonte ceremoninë mortore të Gilës, afër mortit dhe armëve të tij, i’u afrua kali, i cili menjëherë u shemb përtokë i pajetë. Pas kësaj, Karamahmut Pasha i cili ishte dhe miku i familjes sonë, urdhëroi që kalit të Gilës t’i bëhej një ceremoni varrimi me të gjitha nderet që i bëheshin një ushtari të rënë në luftë. Dhe ashtu u bë, pasi kali u varroz me të njëjtat ceremoni ashtu si i zoti i tij Gila”.

Margilaj-t, prijës të shqiptarëve të Trieshit

Po si vijon më tej në rrjedhat e shekujve historia e të parëve të fisit Margilaj? Lidhur me këtë, Vaseli Margilaj na dëshmonte: “Përpara se të vritej, Gil Doshi (djali i Dosh Lulashit), i cili ka qenë udhëheqësi i malësorëve të Trieshit dhe komandant i Ushtrisë Turke në luftën për shtypjen e kryengritjes së grekëve në Edrene, ai ka qenë tepër i njohur edhe për luftën që ka bërë në vitin 1770 në Podgoricë, ku ai ishte komandant i malësorëve të Grudës, Hotit dhe Trieshit, kundër forcave të Ushtrisë Malazeze. Nga burime arkivore të cilat janë botuar në Historinë e Malit të Zi, bëhet e ditur se në atë luftë janë vrarë 12 ushtarë malazez dhe janë plagosur 60 të tjerë. Gil Doshi ka qenë tepër i njohur dhe për atë çka bëri për shpëtimin e jetës së probatinit të tij( byrazerit që kishin pirë gjak), kur kishte shkuar për t’u furnizuar me barut tek Veziri në Shkodër. Në atë kohë teksa Gil Doshi i hipur në kalë së bashku me shoqëruesin e tij, Pjetër Vuksanin, ishin duke kaluar afër Arrës së Madhe, ata panë një grumbull të madh njerëzish që ishin mbledhur diku më larg tyre. Duke u bërë kurioz, Gila pyeti disa dugaxhinj (dyqanxhinj) se përse ishin mbledhur ata njerëz aty, dhe ata pa e ditur se kush ishte ai, iu përgjigjën se aty do të varej probatini i Vojvodës (komandanti) të Trieshit, Gil Doshit. Si mori këtë përgjigje, Gila i tha shoqëruesin e tij, se diçka po ndodhte dhe ai duhej ta ndiqte me vrap nga pas. Gila i grahu kalit me shpejtësi dhe kur u afrua, aty hyri midis grumbullit të njerëzve dhe duke çarë rrethimin e xhandarëve turq, u afrua dhe morri shpatën e i preu litarin probatinit të tij, të cilit sapo do t’i hiqnin stolin nga këmbët. Pas kësaj, Gila i tha probatinit të cilin e kishin dënuar me vdekje pasi kishte vrarë dy ushtarë turq, që të ikte në shtëpi, pasi do të bisedonte ai me Vezirin. Pas kësaj, Gila shkon te Veziri, i cili ia pranoi kërkesën për ta falur probatimin e tij”, tregonte Vasel Margilaj, një nga gojdhënat mbi të parët e familjes së trungut të tij, ngjarje të cilat janë të njohura jo vetëm kujtesa e brezave, por dhe nga arkivat e Stambollit dhe Malit të Zi.

Vrasja e Preloc Margilajt

Sipas rrëfimeve të Vasel Margilajt, Mar Gila, i cili në moshën 78 vjeçare vrau Vojvodën e malazezëve në Triesh ku mbetën të vrarë dhe 71 ushtarë dhe oficerë të tjerë, kishte një djal që quhej Preloc Marku. Lidhur me Prelocin dhe pasardhësit e tij të fisit Margilaj, të cilët trashëguan rolin e Komandantit (Vojvodës) së Trieshit në luftë kundra turkut dhe shkjaut, Vesel Margilaj tregonte: “Djali i Mar Gilës quhej Preloc Marku dhe është gjyshi ynë, babai i Mark Tom Margilajt, që është babai ynë. Preloci i cili u lind në vitin 1874, trashëgoi vëndin e Komandantit të Trieshasve që e mbante trungu i familjes sonë dhe ai jetoi deri në vitin 1876, kur u vra nga malazezët që kishin sulmuar Kuçin dhe Fundnën. Tre ditë pas vrasjes së Preloc Markut, forcat malazeze e pushtuan të gjithë Trieshin, duke i detyruar të gjithë fshatarët e asaj krahine të shpërnguleshin që andej dhe të vendoseshin në Guci, Vuçiternë dhe në ultësirën perëndimore të Shqipërisë, ku pasardhësit e tyre banojnë edhe sot. Pas vdekjes së Preloc Margilajt, si i pari i fisit tone, mbeti djali i tij, Tom Preloci, i cili është gjyshi ynë. Toma jetoi disa kohë në Luginën e Cemit dhe aty u martua me vajzën e gjeneralit të famshëm, Sokol Bacit, Gjelinën. Toma jetoi deri në moshën 78 vjeçare dhe vdiq në Shkodër në vitin 1927, ku dhe i’u bë varrimi i tij. Toma kishte djalë Marka Tom Margilajn, që është babai im, i cili u lind në vitin 1893 në Triesh dhe pasi mbaroi shkollën fillore aty, për disa kohë deri nga viti 1917, ai punoi në Podgoricë, në dyqanet e Sokol Bacit. Babai ynë Toma, ka marrë pjesë në luftërat kundër turqëve që në moshën 17 vjeçare dhe pas Luftës së Parë Botërore, ai shkoi në Itali ku qëndroi tre vite dhe mori gradat e oficerit. Pas u kthye nga Italia, babai Marku erdhi në Triesh, ku dhe trashagoi vëndin e babait të tij Tomës, si komandanti i malësorëve të Treshit. Pak kohë pas pushtimit të Shqipërisë, aty nga viti 1941, babai ynë Toma u thirr disa herë në Tiranë nga Mehdi Bej Frashëri, Ernest Koliqi, Mul Delia etj., personalitete të asaj kohe, të cilët e njihnin dhe e respektonin Markun si të parin e Trieshit, por ai nuk pranoi asnjë post dhe ofiq zyrtar. Vitet e fundit të jetës, Marku i kaloi në Tuz ku dhe vdiq në vitin 1979”, tregonte Veseli për babain e tij Markun, i cili ishte pinjolli i fundit i familjes Margilaj, që trashëgoi vëndin e të parëve të tij, si udhëheqës e komandant i malësorëve trieshas në luftrat kundër turqëve dhe malazezëve.

Ardhja në Shqipëri dhe internimi në Lushnje

Si rrodhën ngjarjet më pas me burrat e familjes Margilaj dhe djemtë e Marka Tomës, Prelocin, Gjonin, Gjokën dhe Vaselin? Lidhur me këtë Vaseli ka dëshirë të flas më tepër për Prelocin, vëllain e madh, i cili u nda nga jeta para disa vitesh, vetëm pak ditë pasi kishte nxjerrë në qarkullim librin e tij me stdudime “Shqipëtarët flasin ilirisht”, i cili është vlersuar nga studjuesit e albanologjisë dhe historianët, si një nga monumentet e etnogjenezës së shqiptarëve. Po cila është e kaluara e Prelocit dhe pse u internua ai nga regjimi komunist i Enver Hoxhës? Lidhur me këtë, Vaseli kujtonte: ”Vëllai ynë i madh Preloci, u lind në Triepsh në vitin 1924 dhe pasi mbaroi shkollën fillore në Tuz, ai vazhdoi studimet në Institutin Tekno-Ushtarak të Kragujevacit, e më pas mbaroi semimaturën në Danillovgrad. Gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë (1939-1944), Preloci shkoi në Kosovë ku ndoqi mësimet në gjimnazin e Prishtinës dhe gjatë asaj kohe ai u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste. Në atë kohë ai u arrestua nga gjermanët dhe pasi u mbajt për disa kohë në kampin e internimit në Prishtinë, u dërgua në kampet e Gjermanisë, ku mundi të lirohet vetëm pas ndëryhrjes së aleatëve anglo-amerikanë. Pas lirimit nga kampet naziste, Preloci u kthye në Kosovë ku u emërua si zëvëndës-shef i Degës së Punëve të Brendëshme të Prizërenit. Duke parë gjendjen e vështirë në të cilën trajtoheshin shqiptërët atje, Preloci u largua nga Kosova dhe u kthye këtu në vendlindjen e tij, ku dhe u emërua mësues në shkollën fillore të Tuzit. Në atë kohë Preloci vazhdoi Institutin e Lartë Pedagogjik për Histori-Gjeografi dhe u diplomua në vitin 1948. Në vitin 1949, ai u emërua si Drejtor i Shkollës fillore të Tuzit dhe antar i Këshillit Arsimor pranë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Malit të Zi. Po atë vit, Preloci së bashku me bashkëshorten e tij, Angjelinën, u arratisën nga Mali i Zi, duke kërkuar azil politik në Shqipëri, gjë e cila e vështirësoi gjendjen time këtu në Tuz, nga ndjekjet dhe survejimet e vazhdueshme të shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-ja) që më shihnin si armik, pasi kisha dy vëllezërit Gjokën e Prelocin, të arratisur në Shqipëri. Pasi Tirana zyrtare i’a aprovoi azilin politik Prelocit dhe Angjelinës, ata u sistemuan edhe me punë. Preloci u caktua si redaktor në gazetën “Za Slovodu”, e cila ishte organ i emigrantëve jugosllav në Shqipëri, kurse Angjelina u caktua si spikere në Radio-Tirana për emisionin në gjuhën serbe. Gjatë asaj kohe Preloci u regjistrua dhe dha provimet në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, të cilin nuk arriti ta përfundoj, për arsye se ai u internua, pasi filloi të fliste kundër politikës që po ndiqej nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës. Pas kësaj, Prelocin së bashku me Angjelinën, i internuan në kampet e punës së detyruar në fushat e Myzeqesë, ku qëndruan për dhjetë vite duke punuar në punët më të rënda. Në vitin 1972, Prelocit dhe Angjelinës i’u mbaroi afati dhjetë vjeçar i internimit dhe duke parë kushtet e rënda ku ata jetuan në ato vite, në një zhgënjim të plotë, ata u detyruan dhe bënë kërkesën për t’u kthyer në vëndlindjen e tyre, në Malin e Zi. Nisur nga një politikë zbutjeje që kishte nisur në atë kohë në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, Prelocit i’u aprovua kërkesa për riatdhesim. Pas rikthimit në vëndlindje, Preloci jetoi në Podgoricë ku i’u kushtua vetëm studimeve mbi etnogjenezën e shqipëtarëve. Pas një pune disa vjeçare, ai arriti ta përfundonte atë studim vetëm vitin e kaluar dhe kur nuk kishin kaluar veçse disa ditë nga dalja e librit në qarkullim, i ndërroi jetë e shoqja, Angjelina. Vdekja e saj ishte një goditje për Prelocin, pasi ata ishin të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe kishin kaluar një jetë me peripeci të shumta. Nisur nga kjo, Preloci sikur nuk donte të jetonte më dhe ndërroi jetë vetëm pak ditë më pas”, rrëfen Vasel Margilaj, për vëllain Prelocin dhe gjithë trungun e familjes së tij me origjinë në Treshi, një nga më të njohurat e shqiptarëve të Malit të Zi.

Libri “Shqiptarët flasin ilirisht”, i Preloc Margilaj

Një libër voluminoz dhe tepër luksoz i titulluar “Shqiptarët flasin ilirisht”, i autorit Preloc Margilaj i cili është botuar fillimisht në Mal të Zi dhe i shpërndarë së fundmi në të gjitha qytetet e Shqipërisë, na nxiti që së bashku me Gjok Margilaj, të vëllanë e Prelocit, i cili ka jetuar prej vitesh në qytetin e Fierit, të marrim rrugën në drejtim të Tuzit, për të takuar të vëllanë tjetër të autorit të librit që u nda nga jeta para pak kohësh, me qëllim që të mësojmë diçka më shumë rreth historisë së kësaj familjeje, një nga më të vjetrat dhe më të dëgjuarat nga shqiptarët në Mal të Zi. Po kështu një nga qëllimet e udhëtimit tonë në Tuz, është edhe njohja e jetës së Prelocit, autorit të këtij libri, të cilin studiuesit e albanologjisë dhe historianët e mirënjohur Sherif Delvina dhe Hysni Myzyri, e vlerësojnë me superlative, duke e konsideruar si një ndër monumentet më të mëdha të etno-gjenezës së shqiptarëve. Vasel Margilaj, i cili jetonte ende aty në trojet e tij amtare, e gjetëm në shëtpinë e tij në Tuz, jo shumë larg qëndrës së qytetzës së vogël që popullohet nga afro 8 mijë shqiptarë autoktonë, të vendosur aty në thellësitë e shekujve. Në atë shtëpi ku të bie menjëherë në sy flamuri shqiptar i qëndisur, Vasel Margilaj jetonte i vetëm me zonjën e tij, pasi para pak kohësh, dy fatkeqësi të mëdha e kishin goditur atë familje, duke i shkëputur para kohe nga jeta, dy djemtë e tyre, Mirashin dhe Sokolin. Pas mikpritjes së njohur malësore që na ofroi ajo familje, e cila i ruante me fanatizëm të madh doket dhe zakonet e të parëve të tyre ashtu si të gjithë banorët e asaj krahine, pasi e mësuan qëllimin e vizitës sonë, Vasel Margilaj së bashku me djalin e tij, Noshin, i cili, është diplomuar në Universitetin e Prishtinës, dhe që jetonte aty pranë së bashku me gruan dhe tre fëmijët, na ftojnë që të vizitojmë malësinë e Trieshit.

Në Triesh, te trojet e të parve të fist Margilaj

Në këto vënde ndodhen rrënojat e trojeve të asaj familjeje të vjetër e me tradita të lashta patriotike, si dhe varret e të parëve. Teksa udhëtonim për në drejtim të Trieshit, i cili ndodhet disa km. larg Tuzit, dhe që kufizohet me Hotin, Grudën, Kelmendin, Rakonë, Kojën, dhe Fundnën, në të dy anët e rrugës që gjarpëron rrëzë Malit të Deçiçit, ku në vitin 1907, Ded Gjo Luli luftoi dhe ngriti flamurin shqiptar, Vaseli na tregonte disa shtëpi të braktisura. Ai nuk mundi ta fshihte dot brengën e tij për braktisjen e atyre fshatrave dhe ikjen e shqiptarëve nga trojet e tyre, të cilat i kanë larë me gjak ndër shekuj. Gjatë gjithë udhëtimit në të dy anët e rrugës për në Triesh, nuk të shihte syri asnjë njeri, pasi banorët e tyre kanë emigruar për në SHBA. Pas këtij udhëtimi prej afro një ore mbërritëm në Triesh, ku në shtëpitë e vjetra të saj nuk banonte më njeri. Vasel Margilaj me të vëllanë Gjokën, na tregonin rrënojat e themeleve të shtëpive të të parëve të tyre, të cilat datojnë që nga viti 1100 dhe në shekuj kanë jetuar vëllazëria e Margilaj-ve. Në këto themele bien në sy gurë të latuar si ato të kështjellave të moçme. Lidhur me atë se çfarë mund të kenë qënë ato mure të vjetra, një pjesë e të cilave është ndërtuar me aq kujdes, Vaseli nuk mund të na thoshte ndonjë gjë të saktë, pasi sipas tij “ajo është punë e specialistëve dhe arkeologëve”. Por ai thoshte, se: aty me qëllim ndër vite nuk janë bërë hulumtime dhe gërmime, pasi ndoshta nuk kanë qënë objekte interesi për arkeologët e Malit të Zi. Vetëm disa metra larg vëndbanimeve, Vaseli na tregonte se aty janë varrosur 72 oficerë e ushtarë malazezë, të cilët janë vrarë duke luftuar me Margilajt në Triesh në vitin 1856, pasi tentuan që ta digjnin dhe shkatërronin edhe atë si Kuçin, ku therën edhe fëmijët e djepit. Sipas Vaselit, ato 72 gurë kanë qëndruar aty për gati 100 vjet dhe u hoqën prej andej në vitin 1945, kur udhëheqësi i Jugosllavisë, marshalli Josip Broz Tito, filloi të propagandonte politikën e “Bashkim-Vëllazërimit”. Pas kësaj, Vaseli na çoi të shikonim shkollën e fshatit, ku është shkruar në shqip dhe serbisht “Gjergj Kastriot Skëndërbeu”. Lidhur me ndërtimin e kësaj shkolle aty nga fillimi i vitit 1950, ai na tregonte se i doli përpara udhëheqësit komunist të Malit të Zi, Bllazho Jovanoviç-it, duke i’a kërkuar me ngulm këtë gjë, në emër të të gjithë shqiptarëve të Trieshit. Pak më tej asaj shkolle, e cila fatkeqësisht ka mbetur e shkretë sepse asnjë nxënës nuk mëson më aty, Vaseli na shoqëroi për tek kisha e fshatit ku është meshuar për herë të parë në gjuhën shqipe, pikërisht atëherë kur u hap dhe shkolla, gjithnjë pas insistimit të tij tek një frat patriot, që ka shërbyer aty në ato vite. Duke vazhduar rrugën më tej, na u shfaq para syve një bukuri e rrallë përrallore e Luginës së Cemit, me kanionet që zbresin thikë mbi atë lumë dhe turistët e huaj me të drejtë e kanë quajtur “Kolorado-ja shqiptare”. Gjatë kthimit, Vaseli na tregonte edhe rrugën e gjatë malore, e cila përshkon nga sipër lumin e Cemit, përballë krahinës së Grudës, një rrugë e cila do t’u mundësonte për më shkurt lëvizjen e shqiptarëve të Malit të Zi drejt Kosovës. Ajo rrugë është hapur vetëm me nisiativën e Vaselit, i cili kishte shkuar tre herë në SHBA, ku mblodhi kontributet financiare të shqiparëve të Trieshit që jetonin e punonin aty si emigrantë, (afro 2 milionë dollar) dhe pas kthimit në Tuz, së bashku me dy djemtë, i’u futën punës duke sjellë makineri të rënda moderne dhe bënë të mundur ndërtimin e kësaj rruge në më pak se dy vjet./Memorie.al

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!