MENU
klinika

Nga Project Syndicate

COVID-19 apo “déjà-vu”?

04.05.2020 - 17:54

Pandemia e COVID-19 po përshpejton tre tendencat themelore gjeopolitike: ngritjen e Azisë, rënien e Shteteve të Bashkuara dhe ngritjen e Gjermanisë brenda Evropës.

Të kombinuara, këto ndryshime mund të përcaktojnë botën e vitit 2030. Por, para kësaj, liderët politikë duhet të kapërcejnë krizën aktuale, dhe të mos përsërisin gabimet katastrofike të një shekulli më parë.

Sot, e ardhmja dhe e kaluara duket se po takohen.

Tani që COVID-19 e ka futur brutalisht pjesën më të madhe të botës në ekonominë dixhitale, shumë njerëz nuk do të dëshirojnë të kthehen në botën para-pandemisë. Virusi nuk nënkupton fundin e globalizmit, por ka të ngjarë të jetë një ogur i keq.

Për shembull, a do të duan akoma udhëheqësit të marrin pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe të përzihen në një turmë homologësh, apo do duan të respektojnë normat e distancës sociale?

Por mbi të gjitha, pandemia është duke konfirmuar ngjitjen e Azisë, jo vetëm Kinës, dhe rënien e Perëndimit, dhe veçanërisht SHBA-së.

Deri tani fuqia më e fortë ushtarake në botë, Amerika ishte e papërgatitur për tu përballur me virusin. Sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit nuk mund të përballonte shkallën e pandemisë, ndërsa radhët e gjata të njerëzve prisnin me durim për të marrë fletë ushqimesh dukej sikur na rikthenin imazhet e Depresionit të Madh.

Dhe udhëheqësit politikë të Amerikës, thjesht i bënë gjërat më keq, duke dëmtuar më tej imazhin ndërkombëtar të vendit në këtë proces.

Vërtetë, Amerika mund të rimarrë një pjesë të dinjitetit dhe humanitetit të saj duke mos e shpallur fitues Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por kjo do të kërkojë që demokratët të bashkohen për Joe Biden.

Biden ka një shans të vërtetë për të fituar. Votuesit e SHBA-së mund të fajësojnë republikanët për përgjigjen e tyre të gabuar ndaj shkatërrimit ekonomik pandemik. Por edhe nëse Trump është mposhtur, Amerika nuk do të rimarrë pozicionin qendror global që më parë mbajti për tre të katërtat e një shekulli.

Rënia e Amerikës, megjithatë, nuk do të thotë që Kina do të jetë lidere globale. COVID-19 ka ekspozuar po ashtu të metat e Kinës, përfshirë mungesën e transparencës së qeverisë së saj.

E gjithë kjo tregon që bota mund të jetë jopolare, më shumë sesa bipolare.

Për më tepër, as Rusia dhe as Bashkimi Evropian nuk mund të pretendojnë të mbushin boshllëkun. Si Irani dhe Turqia, Rusia mund të dalë më e dobët nga kriza.

Po për Evropën? Pas një përgjigje fillestare shumë të pasigurt ndaj pandemisë, BE-ja duket se po e rimerr veten në një farë mënyre falë një treshe udhëheqësesh femra: Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, dhe Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde.

Por kjo krizë ka demonstruar kryesisht forcën e Gjermanisë sesa rezistencën e Evropës.

Pavarësisht se është vendi më i populluar i Evropës, Gjermania ka regjistruar të paktën katër herë më pak vdekje sesa anëtarët e tjerë të BE-së, ndërsa Merkel tani gëzon vlerësime më të larta besimi se çdo lidere tjetër evropiane. Ajo ka dëshmuar se një politikane mund të ndjekë instinktet, siç bëri në hapjen e kufijve të Gjermanisë për migrantët në 2015, dhe ende shihet pesë vjet më vonë si mbrojtja më e mirë kundër frikës dhe pasigurisë.

Historia po përshpejtohet si rezultat i COVID-19, por duhet të shohim të kaluarën për të nxjerrë mësimet e duhura. Dhe viti i rëndësishëm në këtë drejtim është 1920.

moisi174_ApicGetty Images_spanishfluepidemic

Një shekull më parë, pas pasojave të menjëhershme të Luftës së Parë Botërore dhe pandemisë shkatërruese të gripit spanjoll, udhëheqësit politikë u treguan të paaftë për të gjetur përgjigjet e duhura për sfidat e mëdha me të cilat u përballën. Si rezultat, bota ra së pari në Depresionin e Madh dhe më pas shkoi në Luftën e Dytë Botërore.

Drejtuesit e sotëm përballen me sfida të ndryshme por po aq të frikshme.

Në veçanti, ata duhet të arrijnë një ekuilibër delikat jo vetëm midis mbrojtjes së jetës së qytetarëve të tyre dhe rifillimit të ekonomisë, por edhe midis lirisë dhe sigurisë.

Në vitet 1920 dhe 1930, pacifizmi lindi nga një luftë e tmerrshme që kontribuoi në fitoren e fashizmit dhe konfliktit edhe më të tmerrshëm global.

Sot, nuk duhet të lejojmë që lakmia ekonomike të na çojë në një rrugë po aq katastrofike.

Dominique Moisi është një këshilltar special në Institutin Montaigne në Paris. Ai është autori i La Géopolitique des Séries ou le triomphe de la peur.

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gjithçka që duhet të bëjë Evropa

Të kthejmë krizën në mundësi!