Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luiggi Soreca ka shpërndarë një mesazh, referuar opinionit të shefes së ONM, Genoveva Ruiz Calavera.
“Zbatimi i reformës në drejtësi duhet të vazhdojë me më shumë vendosmëri se kurrë”, shkruante Calavera dhe i thënie edhe nga ambasadori Soreca.
Shefja e ONM-së në shkrimin e saj ditën e sotme trajtori edhe çështjen e Luan Dacit, që tashmë po hetohet nga SPAK. “ Hetimi aktual në rastin e njërit prej anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, dhe pezullimi i mëpasshëm nga detyra, nuk duhet të jetë një justifikim për të sulmuar reformën gjyqësore, përkundrazi, duhet të shihet si prova më konkrete që sistemi ka filluar të funksionojë në mënyrë efektive”, shkruante Calavera.
Me poshte shkrimi i plote i Shefes se ONM-se:
Në fazën aktuale, vendimtare për përparimin e vendit në udhën e integrimit europian, kjo reformë nuk duhet të minohet nga sulme të ndryshme. Kjo nuk është koha për ta shmangur reformën dhe arritjet e saj të shumta deri më tani, siç është krijimi i të gjitha institucioneve të reja gjyqësore, të cilat funksionojnë mirë tashmë prej kohësh.
Procesi i vetingut ka vazhduar gjithashtu të përparojë në mënyrë të qëndrueshme, edhe përkundër ndikimit të pandemisë COVID-19 në seancat shqyrtuese. Emërimi së fundi i tre anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë i ka mundësuar gjykatës të arrijë kuorumin e nevojshëm për të rifilluar funksionet e saj kryesore. Organet e reja të specializuara në fushën e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar kanë nisur të funksionojnë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur këtë muaj edhe tre prokurorë të tjerë të Zyrës së Prokurorisë Speciale, duke plotësuar 12 nga 15 pozicionet ekzistuese. Këto rezultate të rëndësishme duhet të pranohen, të ruhen dhe të zhvillohen.
Hetimi aktual në rastin e njërit prej anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, dhe pezullimi i mëpasshëm nga detyra, nuk duhet të jetë një justifikim për të sulmuar reformën gjyqësore, përkundrazi, duhet të shihet si prova më konkrete që sistemi ka filluar të funksionojë në mënyrë efektive.
Lidhur me këtë rast, vëzhguesit ndërkombëtarë në kuadër të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit e kanë mbikëqyrur në mënyrë të plotë përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të vetingut, duke respektuar plotësisht detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore, bazuar në informacionet e vëna në dispozicion të tyre brenda afateve të parashikuara me ligj. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u tregoi personave që paraqesin akuza që mund të kishin natyrë penale, se ato duhet t’u drejtohen autoriteteve gjyqësore kompetente në Shqipëri. Dhe kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur në këtë rast.
Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar të këtij hetimi dhe përcjelljen në Gjykatë, është pikërisht në këto raste të vështira që një sistem i pavarur drejtësie vihet në provë për të treguar se askush nuk është mbi ligjin, madje as anëtarët e organeve të vetingut. Kjo është merita e vërtetë dhe vlera e shtuar e një gjyqësori që funksionon në një shoqëri demokratike të bazuar në sundimin e ligjit, çka konfirmon se qytetarët tashmë kanë strukturat e duhura në mënyrë që pretendimet për korrupsion ose sjellje të pahijshme të mund të hetohen siç duhet.
Muajt e ardhshëm do të jenë thelbësorë në kontekstin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE dhe zbatimi i vazhdueshëm i reformës gjyqësore do të jetë kyç. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me kryerjen e punës teknike, por ka të bëjë edhe me angazhimin politik. Kjo është arsyeja pse të gjithë aktorët në Shqipëri duhet të vazhdojnë të garantojnë kushtet e nevojshme politike që reforma të shpaloset pa probleme. Nuk ka asnjë arsye për të vënë në pikëpyetje bazat e procesit të reformës, sado e vështirë të jetë dhe, po, në disa raste edhe sfiduese.
Arritjet e qarta dhe konkrete në zbatimin e reformës në drejtësi duhet të vazhdojnë tani me më shumë vendosmëri dhe angazhim se kurrë. Këto janë periudha vendimtare për çuarjen përpara të aspiratave evropiane të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. BE-ja është e përkushtuar fort për ta mbështetur këtë proces në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga reforma dhe të krenohen me arritjet e saj, ndërsa vendi përparon në rrugën e tij të integrimit evropian.