Rrezikojnë të degradohen për disa, simbol historik për disa të tjerë… Zhvendosja e statujave të Louxor-it në sheshin Tahrir përçan kryeqytetin egjiptian. /Konica.al
Në Kajro, sheshi emblematik Tahrir njihet për bllokimet e tmerrshme të trafikut, revolucionin e tij… dhe së shpejti, për sfinksat e tij. Katër statuja të spostuara së fundmi, nga vendndodhja e tyre e hershme në Luxor, po presin të përurohen zyrtarisht. Mirëpo, ky transferim duket se, jo të gjithëve u ka pëlqyer.
Rreth 3,500 vjet të lashtë, sfinksat me kokë dashi dhe trup luani, prej kohësh kanë zbukuruar tempullin Karnak, kushtuar perëndisë Amon, një nga hyjnitë kryesore të panteonit egjiptian. Vendosja e tyre në fillim të muajit maj, në sheshin Tahrir, epiqendra e revoltës popullore të 2011-ës, ishte një pikëllim për disa qytetarë të Louxor-it. “Unë jam kundër transferimit të statujave. Kjo më trishton”, – shprehet Ahmed Idriss, deputet i Louxor-it.
“Louxor është një muze në qiell të hapur, që do të ishte më mirë të përmirësohej, sepse vlera e monumenteve lidhet me vendndodhjen e tyre historike”, – shtoi ai. Të katër pjesët e gurëve ranorë u instaluan rreth një obelisku prej graniti rozë tremijëvjeçar, që mban një përfaqësi të mbretit Ramses II, faraon i dinastisë XIX (91301-1236 p.e.s.). Kjo e fundit, ishte zhvendosur disa muaj më parë, nga stili arkeologjik i Tanis, në deltën e Nilit.
“Ndotja e konsiderueshme në sheshin Tahrir, do të degradojë objektet (antike), që rrezikojnë të humbasin vlerën e tyre historike”, – paralajmëron egjiptologia, Monica Hanna. Duke u mbështetur në Konventën e Venecias (1964) për restaurimin dhe ruajtjen monumenteve, avokatët e Qendrës Egjiptiane për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale (ECSR) një OJQ vendase, ka filluar procedurat ligjore, duke denoncuar vënien në rrezik “të objekteve të paçmueshme”./Konica.al
Tahrir strehon ndërtesa të rëndësishme, duke përfshirë Muzeun Egjiptian, shumë i popullarizuar nga turistët, ku mijëra objekte të lashta dhe “Mogamma”, një ndërtesë e madhe në stilin sovjetik, e cila siguron shërbime administrative. Pikërisht këtu, demonstruesit e revoltës që hoqën Hosni Mubarak, pas 30-vjet qeverisjeje, ishin mbledhur në janar-shkurt 2011. Në dhjetor, Z. Sissi njoftoi se transferimi i statujave në shesh, do ta pajiste me një “prekje qytetërimi”.
Gjithsesi, “Tahrir” që do të thotë “Çlirim”, nuk i mungon historia në sytë e arkitektit Ayman Badr: “Sheshi nuk ka nevojë të dekorohet me elemente historike(…). Vlera historike qëndron në kujtesën e tij”, – shprehet ai. […]
Nuk dihet ende data e përurimit zyrtar, të këtij transformimi simbolik. Tani për tani, sfinksat dhe obelisku po presin të paketuar. Trashëgimia e lashtë e Egjiptit, përbën një burim të rëndësishëm atraksioni dhe ushqen ekonominë e turizmit, jetike për vendin. Si gjithandej nëpër botë, ky sektor, që përfaqëson 5 për qind të PBB-së egjiptiane, ka ndaluar nga fillimi i pandemisë së re të koronavirusit. Nga ana tjetër, egjiptologu Ali Abu Deshish, ndan mendimin: “Nuk ka kuptim, që obeliskët egjiptianë gjenden në sheshe në të katër anët e botës dhe të mos ketë asnjë në Tahrir”. /Konica.al
(Le Figaro)