MENU
klinika

Kosovë

Liberalizimi i vizave, kushtet e reja që duhet të plotësohen

09.06.2020 - 07:39

Për Qeverinë e re të Kosovës, kushtet për liberalizimin e vizave nuk janë përmbushur. Ajo ka konsideruar se duhet ndërmarrë veprime veçmas në fushën e drejtësisë, me qëllim që të ndodhë heqja e izolimit për kosovarët. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti e ka shprehur këtë në Programin qeverisës, të miratuar javën e shkuar.

Në pikën 7.2 të këtij dokumenti, mes të tjerash, theksohet se, në veçanti, do të punohet për “rritjen e efektivitetit të gjyqësorit, si parakusht themelor për integrimin evropian dhe veçanërisht për liberalizimin e vizave, duke rritur kapacitetet e gjyqësorit për trajtimin e lëndëve dhe duke respektuar pavarësinë e tij”, raporton KOHA.

Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar se Kosova ka përmbushur 2 kriteret e fundit për liberalizimin e vizave: Krijimi i një regjistri të hetimeve, vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskimeve lidhur me rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Komisioni kishte miratuar edhe rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën, pasi që ishte vlerësuar se Kosova ka zbatuar të gjitha obligimet e dala nga Udhërrëfyesi për liberalizim të vizave. Nga Zyra e kryeministrit, por edhe nga vetë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, gazeta ka kërkuar informacione në lidhje me kushtet e papërmbushura për liberalizimin e vizave, për të cilat flet Programi. Këto institucione janë pyetur se kush dhe kur i ka komunikuar kushtet e reja. Përgjigjja ka munguar gjatë ditës.

Në Program, Qeveria ka shprehur synimin se përmbyllja e suksesshme e procesit të liberalizimit të vizave të ndodhë gjatë kryesimit të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE) nga Gjermania. Synimet janë shprehur në pjesën e dokumentit që flet për integrimin në BE.