Mentor Nazarko
Zhvillimet në Maqedoni meritojnë vëmendje, të paktën parë nga këndvështrimi i një vëzhguesi, ose nga këndvështrimi i asaj pjese të popullit jashtë kufijve shtetërorë të këtij shteti fqinj.
Janë 3 momente që duhen evidentuar, lidhur me këtë çështje.
Momenti i parë është marrëveshja e shpejtë që dy palët, dy partitë kryesore, LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev dhe partia tjetër e opozitës VMRO-DPMNE, arritën për të zhvilluar zgjedhjet në 15 korrik.
Është një marrëveshje e arritur me një lloj shpejtësie, të cilën e ka mbizotëruar ndjenja e pajtimit, ndjenja e maturisë politike, që në përgjithësi e ka karakterizuar klasën politike sllavo-maqedonase, pavarësisht se i është nënshtruar një presioni të madh ndërkombëtar për marrëveshjen me Greqinë, marrëveshjen me Bullgarinë apo për zhvillime të tjera, pavarësisht se ndaj paraardhësit të kryeministrit Zaev është vendosur një urdhër arresti, diçka e zakonshme në Ballkan, ku paraardhësi kërcënon apo fut në burg pasardhësin.
Në këtë pikë klasa politike sllavo-maqedonase tregoi sërish se na kapërcen në pikëpamjen e frymës së marrëveshjes, administrimit të krizave që vetë i prodhon dhe vetë i zgjidh, me burime të brendshme, pa ndërmjetësim ndërkombëtar.
Dhe kjo ndodh në një moment që Maqedonia është e qeverisur nga një e ashtuquajtur qeveri kujdestare, një realitet që u instalua për herë të parë nga një lloj bojkotimi, i ngjashëm me atë të Shqipërisë në vitin 2014, i zotit Zaev, asokohe në opozitë që e kërkoi kete gjë dhe tashmë ia ka ofruar ai opozitës, për të dhënë një lloj besimi për zgjedhjet që do të zhvillohen në 15 korrik.
Data 15 korrik ishte datë kompromisi, për shkak se opozita donte që të zhvilloheshin në shtator, duke tentuar të kapitalizonte krizën ekonomike që do të pllakosë Maqedoninë e Veriut, si gjithë vendet e tjera, për shkak të pasojave të pandemisë, për shkak të mbylljes së gjatë të bizneseve e kompanive.
Momenti i dytë lidhet me zhvilimet brenda komunitetit islamik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Është një zhvillim interesant, jo vetëm për Maqedoninë. Do ishte miopi, dritëshkurtësi që të konsiderohej ky zhvillim vetëm me karakter ngushtësisht maqedonas. Për më tepër, realitetet brenda këtyre komuniteteve, janë realitete të ngjashme. Brenda tyre dhe brenda partive, nuk ka transparencë, garë, demokraci.
Bëhet fjalë për një udhëheqës që e drejtonte si një sulltan, si një monark prej 40 vjetësh këtë komunitet dhe mandati i tij përfundoi ndoshta në mënyrë të vullnetshme, ndoshta për shkak të presionit të brendshëm, për shkak se ai vendosi që ai të martohej me një zonjë disa herë më të re, dhe ky është momenti që përcaktoi fundin e mandatit të tij, gati-gati monarkik.
Nuk do të komentojmë sferën private të këtij ndryshimi, megjithëse meriton vëmendje.
Por më ka më bërë përshtypje heshtja që ka karakterizuar këtë zhvillim. Gjithë partitë shqiptare, kanë preferuar ta injorojnë këtë zhvillim. Shoqëria civile po ashtu. Ky zhvillim duhej komentuar, në mos për sferën private, për mënyrën sesi administrohen këto komunitete, komunitetet fetare në përgjithësi në hapësirën shqiptare.
Ato administrohen në mënyrë autokratike, në mënyrë monarkike, pa transparencë, dhe ku për shkak të lidhjeve me faktorin ndërkombëtar, fetar, shpeshherë këto komunitete rezonojnë, bien në lidhje të shkurtër me vende me interesa të ndryshme, të kundërta me ato të kombit tonë.
Dhe ka dominuar shpesh ajo që është dilema e komuniteteve fetare të përmasave të vogla: Cili është më i rëndësishëm, kombi apo feja?
Për shkak të ndikimit të këtij faktori, të kësaj udhëheqësie, klasa politike shqiptare e Maqedonisë së Veriut, ka hequr dorë nga theksimi i autoktonisë apo përkatësisë të një pjese të kishave, në ato zona të vogla, në ato krahina ku ka shqiptarë me shumicë, siç është Dibra apo zona të tjera. Ka hequr dorë ose ka tentuar të monopolizojë përbërësin bektashije të Maqedonisë, duke tentuar ta homologojë atë, duke e vendosur në një hierarki institucionale.
E gjithë heshtja përballë këtyre zhvillimeve brenda këtij komuniteti ka lejuar që esenca kombëtare të bjerret në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që të dobësohet kjo esencë në gjithë territorin, të dobësohet pretendimi për autoktoninë e shqiptarëve dhe ky zhvillim duhet të marrë fund.
Partitë politike shqiptare kanë heshtur, i janë ruajtur si Djalli nga Temjani kësaj teme, edhe pse ky ishte “momenti i artë” për ta ndikuar shoqërinë. Fushata zgjedhore ishte një moment i mirë për të nxitur debatin për fenë.
Por ky ishte momenti që klasa politike shqiptare zgjodhi të heshtë, të mbyllë sytë, nuk foli, dhe për pasojë nuk u diskutua për ato që mund të ishin edhe masa institucionale ndaj këtyre zhvillimeve jashtë kontrollit, brenda komuniteteve të rëndësishme.
Po në rast se komuniteti shqiptar në Maqedoni është një komunitet i pasur, në pikëpamjen e burimeve, materialeve, pronësisë mbi toka, etj etj, dhe shteti ka të drejtë të kontrollojë ndërlidhjen e tyre me faktorë të jashtëm me vende të Gjirit që janë të rrymës së ashpër të Islamizmit, në rastin e Shqipërisë shteti nuk i ka kthyer pronat, dhe kjo e bën të domosdoshme ose detyruese ndërlidhjen me këto komunitete simotra, apo qendra pushteti islamike që vijnë nga vende të Gjirit apo vende të Islamizmit Radikal.
Momenti i tretë lidhet me idenë për një kryeministër shqiptar, ide që vjen nga BDI, partia më e madhe shqiptare atje, ide që ka trazuar opinion publik dhe meriton koment.
Në këndvështrimin e parë kjo ide tenton të galvanizojë vëmendjen e pjesës shqiptare të elektoratit, duke kërkuar të identifikohet me BDI-në.
BDI-ja merr përsipër një aspiratë, të heshtur, të fshehtë, një dëshirë të madhe të bashkëkombasve tanë për të parë një kryeministër shqiptar. Në një farë mënyre, është faktorizimi i kësaj partie, më e madhja historike e shqiptarëve.
Në këndvështrimin e dytë, BDI-ja vendos “gardhe” mes dy elektorateve.
Mirëpo, ky veprim, që mund të ngjajë si theksim i një ndjenje shqiptare, mund të shihet negativisht nga elektorati maqedonas, shoqëria civile, nga ajo pjesë e rinisë maqedonase që ka nisur të identifikohet me përkatësinë e lidhur me atë shtet. Mund të shihet negativisht sepse ekstremizon, konfliktualizon edhe më shumë skenën politike ose marrëdhëniet mes dy komuniteteve. Dhe kjo kontraston me prirjen e Zaev për të marrë vota tek shqiptarët. Zaev guxoi të merrte vota edhe në Kumanovë, që dihet që është më e lidhur me përkatësinë shqiptare, me komunitetin fetar islamik sesa komunitete të tjera të Maqedonisë.
Pra ndërkohë, që Zaev tenton, kapërcen ndarjen ndëretnike dhe tenton të marrë vota shqiptare, shqiptarët thonë “Jo, duam vetëm vota shqiptarësh”. Kjo është lëvizje që ka komponentë taktike për rritje pazari por mund të shihet negativisht edhe prej faktorëve të tretë, miqve të shqiptarëve, që duan që shqiptarët kudo në rajon të identifikohen si faktor pajtues, konstruktiv dhe jo si faktor përçarës në raport me komunitete të tjera.
Dhe shqiptarët nëse do donin të rrisnin përqindjen elektorale, mund të tentonin të bëheshin tërheqës për besimtarët ortodoksë.
Është bërë diçka por do të duhej të bëhej më shumë, që kjo pjesë të identifikohej më në fund me shqiptarë. Sot ka më shumë motive krenarie për të thënë “Jam shqiptar”, dhe e kanë bërë akademikë të shquar.
Do të duhet të vazhdohet me hapa të tilla që të tërhiqet kjo popullsi, që mendohet se është diku tek 300 mijë vetë, jo vetëm në bazën e interesave por edhe mbi bazën e motiveve të krenarisë kombëtare.
Shqipëria mund të luajë një rol në këtë drejtim dhe ky do të duhet të ishte hapi i duhur për të rritur fuqinë elektorale të faktorit shqiptar dhe jo kjo lëvizje që ngjan taktike, që ngjan se tingëllon fuqishëm, por rrit ndarjet, hendeqet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
lidhje e drejtpërdrejtë me Mentor Nazarkon në Konica.al: maqedonasit më të pjekur politikisht se ne; zhvillimet në Komunitetin mysliman atje; ideja e një Kryeministri shqiptar dhe paralele te tjera.. me Tiranën
Gepostet von Konica am Dienstag, 16. Juni 2020