Një 69-vjeçar nga Shkodra ka ndërruar jetë nga koronavirusi në Spitalin Infektiv pasditen e sotme, duke eçuar numrin total të viktimave në 59.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se 69-vjeçari ishte shtruar prej 10 ditësh në Spitalin Infektiv, ku ishte në gjendje të rëndë.
Gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe pavarësisht terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 69-vjeçari, i cili vuante nga hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë.
69-vjeçari është personi i tretë që humb jetën nga koronavirusi ditën e sotme, ku gjatë orëve të paradites, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se 2 persona nuk arritën të fitonin luftën me virusin vdekjeprurës.
Njoftimi i plotë i Ministrisë:
Një pacient 69-vjeçar nga Shkodra ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej 10 ditësh në gjendje të rëndë. Gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe pavarësisht terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 69-vjeçari, i cili vuante nga hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë.
Që nga fillimi i epidemisë, 59 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19, ndërsa vijon të ketë raste të rënda që po trajtohen në shërbimin infektiv. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregojnë kujdes, të mbajnë maskën dhe të respektojnë distancën nga njëri-tjetri si dhe bizneset të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.