Bota moderne, është formësuar nga besimi se njerëzit mund t’ia hedhin vdekjes, dhe ta mposhtin atë. Dhe ky është një qëndrim i ri revolucionar. Për pjesën më të madhe të historisë, njerëzit i janë nënshtruar me hidhërim vdekjes. Deri në epokën e vonë moderne, shumica e feve dhe ideologjive e shihnin vdekjen jo vetëm si fatin tonë të pashmangshëm, por edhe si burimin kryesor të kuptimit në jetë.
Ngjarjet më të rëndësishme të ekzistencës njerëzore, ndodhin pasi ju nxjerrni frymën tuaj të fundit. Vetëm atëherë, do të mësoni sekretet e vërteta të jetës. Vetëm atëherë do të fitoni shpëtimin e përjetshëm, ose do të vuani një mallkim të përjetshëm.
Në një botë pa vdekje – dhe për këtë arsye pa Parajsë, Ferr ose Rimishërim – fetë si Krishterimi, Islami dhe Hinduizmi nuk do të kishin kuptim. Për pjesën më të madhe të historisë, mendjet më të mira njerëzore janë zënë duke u marrë me dhënien kuptim të vdekjes, dhe duke mos u përpjekur që ta mposhtin atë.
Epi i Gilgameshit, miti i Orfeut dhe Eurisit, Bibla, Kurani, Vedat, dhe libra dhe histori të tjera të panumërta të shenjta, që u flasin me durim njerëzve të pikëlluar, se ne vdesim pasi këtë e ka caktuar Zoti, Kozmosi, ose Nëna Natyrë , dhe se do të bënim mirë ta pranonim këtë fat me përulësi dhe dinjitet.
Ndoshta një ditë Zoti do ta zhdukë vdekjen përmes një gjesti madhështor metafizik, siç është ardhja e dytë e Krishtit. Por, orkestrimi i katalizmave të tillë ishte qartazi mbi nivelin e njerëzve të bërë prej mishi dhe gjaku. Pastaj ndodhi revolucioni shkencor.
Për shkencëtarët, vdekja nuk është një vullnet hyjnor, por thjesht një problem teknik. Njerëzit vdesin jo sepse Zoti ka thënë kështu, por për shkak të një problemi teknik. Në një moment, zemra jonë ndalon së pompuari gjakun. Kanceri na shkatërron mëlçinë.
Viruset shumohen në mushkëri. Dhe cili është përgjegjës për të gjitha këto probleme teknike? Probleme të tjera teknike. Zemra e ndalon pompimin e gjakut, kur në muskulin e saj mbërrin një sasi e pamjaftueshme oksigjeni. Qelizat kanceroze përhapen në mëlçi, për shkak të disa mutacioneve gjenetike. Viruset pushtojnë mushkërinë, pasi dikush teshtit në autobus.
Pra nuk ka asgjë metafizike. Dhe shkenca beson se çdo problem teknik e ka një zgjidhje teknike. Ne nuk kemi nevojë që të presim ardhjen e dytë të Krishtit për të mposhtur vdekjen. Dhe këtë gjë mund ta realizojnë disa shkencëtarë në një laborator.
Ndërsa vdekja tradicionale ishte “specialiteti” i priftërinjve dhe teologëve e veshur me të zeza, tani me të merren njerëzit me rroba të bardha në laboratorë. Nëse zemra pëson aritmi, ne mund ta stimulojmë atë me një pacemaker, apo edhe të transplantojmë një zemër të re.
Nëse shfaqet një tumor, ne mund ta vrasim atë përmes rrezetimit. Nëse viruset shumohen në mushkëri, ne mund t’i zhdukim ato me ndonjë ilaç të ri. Është e vërtetë, për momentin nuk mund t’i zgjidhim dot të gjitha problemet teknike. Por ne po punojmë për ta arritur këtë gjë.
Mendjet më të mira njerëzore, nuk po e kalojnë më kohën e tyre duke u përpjekur që t’i japin kuptim vdekjes. Përkundrazi, ato janë shumë të zëna me zgjatjen e jetës së njeriut. Ata po shqyrtojnë sistemin mikrobiologjik, fiziologjik dhe gjenetik, që është përgjegjës për sëmundjen dhe pleqërinë, dhe po zhvillojnë mjekime të reja dhe trajtime revolucionare.
Në betejën e tyre për të zgjatur jetën, njerëzit kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshëm. Gjatë 2 shekujve të fundit, jetëgjatësia mesatare është rritur nga nën 40 vjeç në 72-vjeç në të gjithë botën, dhe në më shumë se 80 vende të zhvilluara. Fëmijët në veçanti, kanë më shumë sukses në shpëtimin nga “kthetrat” vdekjes.
Deri në shekullin XX-të, të paktën një e treta e fëmijëve nuk e arrinin kurrë moshën madhore. Të rinjtë prekeshin vazhdimisht nga sëmundjet tipike të kësaj moshe si dizanteria, fruthi dhe lija. Në Anglinë e shekullit XVII-të, rreth 150 nga çdo 1000 të porsalindur, vdisnin gjatë vitit të tyre të parë, dhe vetëm rreth 700 prej tyre arrinin moshën 15-vjeçare.
Sot vetëm 5 nga 1.000 foshnja në Angli vdesin gjatë vitit të tyre të pare të jetës, dhe 993 prej tyre arrijnë të festojnë ditëlindjen e tyre të 15-të. Në tërësi në botë, vdekshmëria e fëmijëve është ulur në më pak se 5 për qind. Njerëzit kanë qenë kaq shumë të suksesshëm në përpjekjen e tyre për të mbrojtur dhe zgjatur jetën e tyre, saqë botëkuptimi ynë mbi jetën ka ndryshuar shumë.
Ndërsa fetë tradicionale e konsideronin jetën e përtejshme si burimin kryesor të kuptimit, nga shekulli XVIII ideologji si liberalizmi, socializmi dhe feminizmi e humbën të gjithë interesin për jetën e përtejme. Çfarë ndodh saktësisht me një komunist pasi ai ose ajo vdes? Po me një kapitalist? Apo një feminist? Është e kotë ta kërkosh përgjigjen në shkrimet e Karl Marksit, Adam Smithit apo Simon de Bovuasë.
Ideologjia e vetme moderne, që i jep ende vdekjes një rol qendror është nacionalizmi. Në momentet e tij më poetike dhe të dëshpëruara, nacionalizmi premton se kushdo që vdes për kombin, do të jetojë përgjithmonë në kujtesën e tij kolektive. Megjithatë, ky premtim është aq i mjegullt, saqë shumica e nacionalistëve nuk e dinë realisht se çfarë të bëjnë me të.
Si “jetohet” në fakt në kujtesën kolektive? Nëse ke vdekur, si mund të dish nëse njerëzit po të kujtojnë apo jo? Edhe shumë fe tradicionale kanë ndryshuar qasje. Në vend se të vazhdojnë të premtojnë Parajsën në jetën e përtejme, ato kanë filluar ta vënë shumë më tepër theksin tek ato që mund të bëjnë për ju në këtë jetë.
A do të ndryshojë pandemia aktuale qëndrimet e njerëzve ndaj vdekjes? Me siguri që jo. Përkundrazi, Covid-19 do të na nxisë ndoshta të dyfishojmë përpjekjet tona për të mbrojtur jetën e njerëzve. Reagimi dominues kulturor ndaj Covid-19 nuk është dorëheqja, por një përzierje e zemërimit dhe shpresës.
Kur shpërthente një epidemi në një shoqëri paramoderne, sikurse ishte Evropa mesjetare, njerëzit natyrshëm që kishin shumë frikë për jetën e tyre. Ata u dërrmuan shpirtërisht nga vdekja e të afërmve të tyre, por reagimi kryesor kulturor ishte ai i dorëheqjes. Psikologët mund ta quajnë atë “pafuqia e mësuar”.
Njerëzit i thanë vetes se ky ishte vullneti i Zotit – ose ndoshta ndëshkimi hyjnor për mëkatet e njerëzimit. “Zoti e di më mire këtë punë. Ne njerëzit e ligj e meritojmë këtë ndëshkim. Dhe do ta shihni, se në fund çdo gjë do të dalë për mirë. Mos u shqetësoni, njerëzit e mirë do ta marrin shpërblimin e tyre në Parajsë. Mos e harxhoni kohën duke kërkuar një ilaç. Kjo sëmundje u dërgua nga Zoti për të na ndëshkuar. Ata që mendojnë se njerëzit mund ta kapërcejnë këtë epidemi me zgjuarsinë e tyre, janë thjesht duke shtuar mëkatin e vanitetit mes krimeve të tyre të tjera. E kush jemi ne për të prishur planet e Zotit?”.
Qëndrimet e sotme janë tërësisht të kundërta. Sa herë që ndonjë fatkeqësi vret shumë njerëz – një aksident me tren, një zjarr i madh, apo edhe një uragan – ne kemi prirjen ta shohim atë më shumë si një dështim të jashtëzakonshëm të njeriut, sesa si një ndëshkim hyjnor, apo një katastrofë natyrore të pashmangshme.
Nëse kompania hekurudhore do të kishte investuar më shumë për sigurinë, nëse bashkia do të kishte adoptuar rregulla më të mira anti-zjarr për godinat, dhe nëse qeveria do të kishte dërguar më shpejt ndihmë – ata njerëz mund të ishin shpëtuar. Në shekullin XXI, vdekja masive është shndërruar në një arsye automatike për padi dhe hetime.
Kjo është qasja jonë edhe ndaj epidemive. Ndërsa disa predikues fetarë nxituan ta përshkruajnë AIDS-in si një ndëshkim të Zotit për homoseksualët, shoqëria moderne i shpërfilli dhe i mënjanoi pikëpamje të tilla. Dhe sot ne shohim e përhapjen e AIDS, Ebolës dhe epidemive të tjera të fundit si dështime organizative.
Ne supozojmë se njerëzimi zotëron njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të frenuar epidemi të tilla, dhe nëse një sëmundje infektive del në një moment jashtë kontrollit, kjo ndodh për shkak të paaftësisë njerëzore, dhe jo zemërimit hyjnor. Dhe Covid-19 nuk bën përjashtim nga ky rregull.
Kriza nuk ka mbaruar, por loja e hedhjes së fajit tashmë ka filluar. Vende të ndryshme po akuzojnë njëra-tjetrën. Politikanët rivalë, i hedhin përgjegjësinë palës tjetrën si një granatë dore pa siguresë. Por krahas zemërimit, ka edhe shumë shpresë. Heronjtë tanë nuk janë priftërinjtë që varrosin të vdekurit, dhe që e shpjegojnë fatkeqësinë.
Heronjtë tanë janë mjekët që shpëtojnë jetë. Dhe superheronjtë tanë janë shkencëtarët nëpër laboratorë. Ashtu siç e dinë dashamirësit e filmave, Spider-Man dhe Wonder Woman në fund do t’ja dalin të mposhtin djemtë e këqij dhe do të shpëtojnë botën, edhe ne jemi plotësisht të sigurtë që brenda disa muajve, mbase 1 viti, njerëzit në laboratorë do të zbulojnë trajtime efektive për Covid -19, dhe madje do të kenë zhvilluar dhe një vaksinë kundër këtij virusi.
Atëherë do t’ja tregojmë këtij koronavirusi të keq, se kush është organizmi dominues në këtë planet! Pyetja që bën kushdo nga Shtëpia e Bardhë, Wall Street, deri në ballkonet e pallatave në Itali është:”Kur do të jetë gati vaksina?”. Pra thuhet “kur”, dhe jo “nëse”. Cili do të jetë leksioni kryesor për njerëzimin, kur vaksina të jetë gati dhe pandemia të jetë zhdukur?
Sipas të gjitha gjasave, ai do të jetë që ne duhet të bëjmë edhe më shumë përpjekje për të mbrojtur jetën e njeriut. Duhet të ndërtojmë më shumë spitale, të kemi më shumë mjekë dhe infermierë. Ne kemi nevojë të kemi në dispozicion më shumë ventilatorë, më shumë pajisje mbrojtëse, më shumë tamponë për testime.
Ne kemi nevojë të investojmë më shumë para në hulumtimin e patogjenëve të panjohur, dhe zhvillimin e trajtimeve të reja. Dhe nuk duhet të kapemi sërish gafil. Disa mund të argumentojnë se ky është leksioni i gabuar, dhe se kjo krizë duhet të na mësojë të jemi të përulur.
Se nuk duhet të jemi aq të sigurt në aftësinë tonë për të nënshtruar forcat e natyrës. Shumë prej këtyre sot sillen me mentalitetin e Mesjetës. Ata predikojnë përulësi, ndërsa janë 100 për qind të sigurt se i dinë të gjitha përgjigjet e duhura. Disa fanatikë nuk mund të ndihmojnë dot as veten e tyre.
Një pastor që udhëheq studimin e përjavshëm të Biblës për kabinetin e Donald Trumpit, ka argumentuar se kjo epidemi është edhe një ndëshkim hyjnor për homoseksualitetin. Por edhe fetë tradicionale besojnë më shumë shkencën sesa shkrimet e shenjta. Kisha Katolike i udhëzon besimtarët të qëndrojnë larg kishave.
Izraeli ka mbyllur sinagogat e tij. Republika Islamike e Iranit, po i dekurajon njerëzit që të vizitojnë xhamitë. Tempujt dhe sektet e të gjitha llojeve, kanë pezulluar ceremonitë e tyre publike. Dhe të gjitha këto, pasi shkencëtarët kanë bërë llogaritjet e tyre, dhe kanë rekomanduar mbylljen e këtyre vendeve të shenjta.
Sigurisht, jo të gjithë ata që na paralajmërojnë mbi arrogancën njerëzore, ëndërrojnë që të sillen si mesjetarë. Edhe shkencëtarët do të binin dakord, që ne duhet të jemi realistë në pritshmëritë tona, se nuk duhet të kemi një besim të verbër në fuqinë e mjekëve për të na mbrojtur nga të gjitha fatkeqësitë e jetës.
Ndërsa njerëzimi në tërësi po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm, individët duhet të përballen ende me brishtësinë e tyre. Ndoshta për 1 ose 2 shekuj shkenca do të zgjasë jetën e njerëzve në një kohë të pacaktuar, por ende nuk kemi mbërritur aty. Me përjashtimin e mundshëm të një grushti miliarderësh, të gjithë ne të tjerët do të vdesim një ditë, dhe të gjithë do të humbasim të dashurit tanë.
Për shekuj me radhë, njerëzit e kanë përdorur fenë si një mekanizëm mbrojtës, duke besuar se ata do të ekzistonin përgjithmonë në jetën e përtejme. Tani njerëzit po e përdorin shpesh shkencën si një mekanizëm mbrojtës, duke besuar se mjekët do të arrijnë gjithmonë t’i shpëtojnë ata.
Ne kemi nevojë për një qasje të ekuilibruar. Ne duhet t’i besojmë shkencës që lufton epidemitë, por sërish duhet të përballemi me barrën e trajtimit të vdekshmërisë dhe përkohshmërisë tonë individuale. Kriza aktuale, mund t’i bëjë individët më të vetëdijshëm mbi natyrën e përkohshme të jetës njerëzore.
Gjithsesi, civilizimi ynë modern në tërësi do të eci me shumë mundësi në drejtimin e kundërt. Kur të përfundojë kriza aktuale, unë nuk pres që të shohim ndonjë rritje të konsiderueshme të buxheteve për deparmentet e filozofisë nëpër universitete. Por vë bast se do të shohim një rritje masive të buxheteve për shkollat e mjekësisë dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.
Dhe mbase kjo është më e mira që mund të presim. Qeveritë nuk janë shumë të afta në filozofi. Ajo nuk është fusha e tyre. Ato duhet të përqëndrohen realisht në ndërtimin e sistemeve më të mira të kujdesit shëndetësor. Nga ana tjetër, u takon individëve të bëjnë një filozofi më të mirë. Mjekët nuk mund të zgjidhin për ne enigmën e ekzistencës njerëzore. Por ata mund të na blejnë ca më shumë kohë për të jetuar. Dhe ajo se çfarë bëjmë me këtë kohë shtesë varet nga ne. / The Guardian