MENU
klinika

"Thaçi duhet të japë dorëheqjen e të shkojë në Hagë"

Analistët për VOA: Bisedimet Kosovë-Serbi në pikëpyetje!?

25.06.2020 - 07:06

Analistë perëndimorë thonë se cilatdo qofshin arsyet, bërja publike e akuzave ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, vetëm pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, nuk ishte rastësore. Analisti amerikan, Daniel Serwer i Universitetit Johns Hopkins dhe profesori i Universitetit të Gracit në Austri, Florian Bieber, thonë se kjo situatë krijon paqartësi për të ardhmen.

Zoti Serwer, drejtor i Programit për Menaxhimin e Konflikteve në Fakultetin për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, thotë se njoftimi i zyrës së Prokurorit të Posaçëm, ishte i papritur.

“Ishte një lëvizje dramatike. Prokurorët nuk shpallin normalisht akuza para se ato të jenë konfirmuar. Kjo është e pazakontë”.

Zoti Serwer thotë për Zërin e Amerikës, se kjo ka implikime serioze për Kosovën.

“Është një vend i ri, me institucione ende të brishta dhe që papritur përballet me një sfidë të jashtëzakonshme”.

Prof. Bieber, Drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit i tha Zërit të Amerikës, se njoftimi para vizitës nuk ishte i rastësishëm.

“Një gjë është e qartë: që Zyra e Prokurorit të Posaçëm ishte e shqetësuar se ajo vizitë, apo aktivitetet e lidhura me vizitën, mund të vinin në rrezik efektivitetin e akuzave ndaj Presidentit Thaçi”.

Prokurori i Specializuar tha se e gjykoi të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të zotit Thaçi dhe Veseli për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës së Posaçme.

Zoti Serwer thotë se kjo nuk ishte një gjë e paditur. Zoti Bieber bie dakord. Ai thotë se ishte gjithmonë e pritshme që zyra e Prokurorit të Posaçëm do të merrej me raste serioze dhe me zyrtarë të lartë.

“Nuk është befasi dhe të gjithë e prisnin që Hashim Thaçi do të ishte të paktën një nga kandidatët kryesorë mbi të cilin do të ngriheshin akuzat dhe që ai do të ishte i interesuar të parandalonte ngritjen e këtyre akuzave”.

Prof. Bieber nuk mendon se administrata amerikane ka lidhje me kohën e daljes së njoftimit, duke pasur parasysh se zoti Thaçi ishte partneri kryesor në bisedime dhe i administratës amerikane.

Ndërsa zoti Serwer thotë se e ka të vështirë ta imagjinojë që Shtëpia e Bardhë nuk ishte në dijeni.

Vendimi i Prokurorit të Posaçëm për të bërë publike akuzat ndaj Presidentit Thaçit ende pa u konfirmuar nga gjykatësi është diçka e pazakontë dhe ka vënë në pikëpytje serioze atë që pritej të ishte rifillimi i bisedimeve të ndërprera mes Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

Zëdhënësi thotë gjithashtu se “Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur nëse zoti Thaçi duhet të japë dorëheqjen, zoti Serwer, thotë se nëse akuzat konfirmohe, ai duhet ta bëjë një gjë të tillë.

“Mendoj se nëse gjykatësi që po i shqyrton këto akt-akuza i konfirmon ato dhe thotë se ai duhet të paraqitet në gjykatë, atëherë mendoj se si Veseli, apo Thaçi apo kushdo tjetër mbi të cilin ngrihen akuzat, duhet të japin dorëheqjen dhe të shkojnë në Hagë dhe të mbrojnë veten.”

Prof. Bieber thotë se presioni do të jetë i madh për të që të japë dorëhqjen.

“Partnerët perëndimorë do të këmbëngulin që ai të japë dorëheqjen.”

Kryeministri Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe para një zhvillimi të tillë ishte në një pozicion të brishtë politik me një epërsi prej vetëm një vote në parlament. Me njoftimin e akuzave ndaj zoti Thaçi, një figurë qendrore e politikës së Kosovës, pozicioni i tij përsa i takon çdo lloj negociatash në lidhje me të ardhmen e Kosovës, dobësohet edhe më shumë.

Megjithatë zoti Serwer thotë se edhe më parë nuk pritej që nga takimi i kësaj fundjave të kishte ndonjë arritje të madhe. I dërguari i posaçëm Grenell, e kishte bërë të qartë që takimi pritej të përqendrohej tek çështjet ekonomike dhe çështje me interes të përbashkët.

Profesor Bieber, thotë se me një shumicë që ka deficit legjitimiteti, çdo marrëveshje bëhet edhe më e vështirë.

Përveç kësaj…

“Për të pasur një marrëveshje, duhet të kesh një konsensus dhe një strategji të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”.

Ndërsa mbeten ende shumë pikëpyetje për njoftimin e akuzave, diçka është e qartë: ecuria e mëtejshme e bisedimeve ndodhet në një udhëkryq të vështirë./VOA

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë