MENU
klinika

Ndërron jetë te Infektivi

Arjan Pushi, mjeku i parë viktimë e COVID 19, e konfirmon ministria e Shëndetësisë

30.06.2020 - 14:01

Sapo është konfirmuar një lajm i hidhur nga ministria e Shëndetësisë e cila bën me dije se ka ndërruar jetë mjeku Arjan Pushi.

Një lajm i tillë u hodh që dje në media mirëpo ministria e përgënjeshtroi.

Sot, bëhet me dije se pavarësisht përpjekjeve të stafit, profesor Arjan Pushi, ndërroi jetë. Kjo humbje e çon në 63 numrin e viktimave nga COVID në vendin tonë.

NJOFTIMI I MINISTRISË:

“Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të profesorit të Fakultetit të Mjekësisë Arjan Pushi, i cili, referuar shërbimit infektiv, ndërroi jetë pak momente më parë në spitalin Infektiv, i prekur nga COVID19, pavarësisht përpjekjes maksimale të stafit mjekësor.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve dhe miqve të profesor Arjan Pushit”.

Sakaq, edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë një postim në rrjetet sociale ku vlerëson kontributin e profesorit në mjekësinë shqiptare.

“Ndarja nga jeta e Profesor Arjan Pushit është një dhimbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, pedagogët e Universitetit të Mjekësisë ku ka shërbyer për shumë vite.
Kontributi i çmuar i Profesor Arjan Pushit për mjekësinë shqiptare, do të mbetet i pashlyeshëm ndër breza.
Megjithë përpjekjet e kolegëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv, prof. Arjani nuk ia doli dot, në betejën me virusin e rrezikshëm.
U prehsh në paqe Profesor Pushi!
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve. Ju jemi pranë në këto momente të vështira!”, shkruan Manastirliu.