Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka dhënë dje sinjal për krijimin e një lëvizje të re politike. Pasi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e largoi nga partia, Topalli është kthyer në armiken e tij më të madhe dhe sulmet e saj nuk kanë munguar. Shpesh herë, është folur për krijimin e një partie të re nga zonja Topalli, ndërsa ditën e djeshme janë shtuar edhe më tepër dyshimet nga vetë Topalli.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Topalli ka hedhur dyshime se mund të shkojë drejt krijimit të një partie politike, pasi që është shprehur se është koha për të ndryshuar dhe ka ardhur koha për një lëvizje. Pasi ka bërë një kritikë të situatës aktuale politike, Topalli ka mbyllur reagimin e saj me idenë e lëvizjeve për ndryshim. “Koha është për të vepruar. Koha është për një lëvizje për ndryshim. Boll është boll”, është shprehur znj. Topalli. Më një gjuhë të ashpër ndaj politikës, Topalli ka kritikuar të gjithë palët politike, duke u shprehur se e gjithë kasta politike është e korruptuar dhe ka theksuar se ata janë të gjithë bashkë, duke nxjerrë kështu në pah mundësinë e krijimit të një lëvizje të re.
Sakaq Topalli ka deklaruar se politikanët kanë krijuar ligje për justifikuar pasuritë e tyre të cilat sikurse thekson Topalli i kanë ngritur në kurriz të popullit.
“Të gjitha pasuritë e paligjshme të 3 dekadave, të funksionarëve dhe krimit amnistohen! Ata kanë bërë ligj për të glorifikuar pasuritë e tyre të paligjshme! Kasta politike e korruptuar dhe krimi kanë bërë marrëveshje edhe për të amnistuar pasuritë e veta të paligjshme, të vendosura deri në 2017. Ky është një ndër skandalet më të urryera e brutale që kam dëgjuar në këto tre dekada.
Asnjë qeveri në botë nuk do guxonte jo të bënte një ligj të tillë, por as t’i kalonte nëpër mend po të mos kishte garancinë e kryetarit të “opozitës”. Për të gjithë ata që ende nuk dinë të kuptojnë logjikën e marrëveshjes së fundit, një ndër arsyet e keni këtu. Sa herë kemi thëne se janë të gjithë bashkë. Sa herë kemi thënë se kjo është qeveria më e keqe e këtyre 3 dekadave. Sa herë kemi thënë që kjo qeveri kontrollon çdo gjë, përfshirë opozitën”, është shprehur znj. Topalli.
Topalli kundër politikës
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka përmendur se janë 3 ose 4 persona në politikë, të cilët janë të zhytur në korrupsion dhe kanë kryer veprimtari të paligjshme. Ajo nuk ka përmendur emra, por ka thënë se këta persona mbajnë peng gjithë vendin. Sipas Topallit këta politikanë kanë një ortakëri me njëri-tjetrin dhe kësisoj kanë zhytur vendin në depresion dhe kanë lënë të rinjtë pa perspektiva. “Ata (3-4 veta) të zhytur në korrupsion e paligjshmëri, mbajnë peng një vend. Ata kanë një ortakëri të frikshme që ka zhytur vendin në depresion duke mbyllur çdo perspektivë për të rinjtë, dhe tani po ligjërojnë vjedhjet e tyre të paimagjinueshme. Njerëzit janë të varfër dhe ekstremisht të varfër sepse janë të vjedhur. Detyra e të rinjve është: Të sfidojnë korrupsionin”, ka shkruar Topalli.
Topalli godet Bashën
Kjo nuk është hera e parë që znj. Topalli u ka dhënë shuplakë politikanëve dhe ka kritikuar ashpër Bashën, duke thënë se ka kapur partinë dhe nuk lejon liri brenda partisë. “Këta kanë zhdukur praktikisht forcat politike përkatëse duke ruajtur vetëm germat e emrave të partive. Nuk ka më garë në këto parti, nuk ka më demokraci, nuk ka më votë brenda tyre, nuk ka as diskutime, as marrje mendimesh, kritika jo e jo. Për të mos u kthyer mbrapsht, mjafton të kujtojmë marrëveshjen e fundit. Mbledhja e kryesisë së PD u bë pasi u firmos marrëveshja mes Ramës e Bashës”, ka deklaruar Topalli.