Lulzim Basha do të mbledhë sot kryesinë e Partisë Demokratike për të diskutuar mbi zgjedhjet. Në një postim në Facebook ai lajmëron se kryesia e PD-së se do të marrë një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, në ushtrimin më të madh demokratik që ndonjë parti politike ka bërë ndonjëherë në Shqipëri.
“Me mbështetjen dhe ndihmën e vyer të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), pranë Partisë Republikane të SHBA dhe të Partisë Konservatore Britanike e Fondacionit Uestminster për Demokracinë kemi garantuar parimet dhe rregullat për përfshirjen e drejtpërdrejtë të anëtarësisë në propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Një ditë përpara këtij vendimi të rëndësishëm, pata kënaqësinë të falenderoj gjatë një videokonference z. David Jones, Drejtuesin e Panelit Parlamentar për
Vlerësimin e Kandidatëve në Partinë Konservatore Britanike dhe z. Thibault Muzergues, Drejtor i Programit për Europën në Institutin Ndërkombëtar Republikan për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë në këtë rrugëtim sfidues”, thotë Basha.
Sipas tij, modeli që do të miratohet sot në kryesinë e Partisë Demokratike, do të kontribojë për demokratizimin e jetës politike dhe duhet të jetë shembull edhe për partitë e tjera në vend.
“Ky është një hap i rëndësishëm për demokracinë tonë. Natyrisht gara e vërtetë për demokratët dhe opozitën nis pas këtij procesi, për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri që punon për njerëzit, dhe jo për vete”, tha Basha.
Ditën e djeshme dy forcat më të kryesore politike PS dhe PD filluan të organizohen për zgjedhjet e ardhshme politike.