MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Basha po luan përsëri me PD

22.06.2020 - 20:06

Nga Artur Ajazi

Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi, janë dy spinetat e Lulzim Bashës, për të penguar jo vetëm zgjedhoren, jo vetëm për të krijuar gjoja “tension dhe zvarritje” edhe pse faktori ndërkombëtar ka non-stop nën monitorim procesin, por për të qenë “lojtarët” e rradhës për lojën e turpshme me atë parti. Duke mos e patur fare problem faktin se, zgjedhjet do ti humbasin edhe në 2021, dy negociatorët e procesit zgjedhor, po mundohen ti japin “oksigjen” intinerarit paraelektoral të Lulzimit në ferma, dyqane dhe biznese të cilat po punojnë në një situatë krejt normale. Ata duan ta nxjerrin kryetarin si “autorin e procesit zgjedhor” dhe Ramën si “shkakun e dështimit” të tij.

Pas kësaj Lulzim Basha edhe pse do ti humbasë zgjedhjet, do të “shfajësohet” dhe do të kërkojë “mosnjohjen e tyre”, dhe do të kërkojë të bëhet “hop” kryetar partie edhe për 4 vjet të tjera. Spineta Kaso ka akuzuar maxhorancën se “është tërhequr nga marrëveshja e firmosur më 5 qershor në prani edhe të ndërkombëtarëve”, por ndërkohë që këshilli po shkon drejt fundit për amendimin e Kodit Zgjedhor, opozita e re në Parlament e ndarë në disa kampe, paralajmëron se “nuk do të votojë draftin”.

Por Kaso nuk e sheh këtë si një problem real, pasi rëndësi ka vetëm Lulzimi. Aktualisht ish-opozita nuk ka dhënë propozime dhe zgjidhje konkrete se si duhet të formatohet KQZ-ja në përputhje të plotë me angazhimet e marra nga palët në dokumentin e dakordësisë së datës 5 qershor. Nga ana e saj shumica qeverisëse, është në pritje të reflektimit të ish-opozitës, duke shpresuar se kjo javë të sjellë zhbllokim të procesit, ç’ka do të sillte përfundimin e paketës së plotë në një kohë të shkurtër.

Por spinetat e Lulzimit, nuk ka ditë të mos nxjerrin “yçkla”, propozime, drafte, dhe lloj-lloj shkaqesh për t’ju shmangur detyrimit ligjor që kanë ndaj shqiptarëve, e veçanarisht ndaj atyre mbështetësve që akoma besojnë tek Lulzimi. Partia Demokratike, ka vite që është futur në një trajektore të rrezikshme, për të mbrojtur me çdo kusht postin e Lulzim Bashës, paçka se do të rrijë në opozitë edhe për 3-4 mandate të tjera qeverisëse nga Edi Rama.

Loja (jo vetëm me listat) që po trazojnë dy spinetat e Lulzimit për llogari të karriges së kryetarit, me zgjedhoren, këshillin, tryezat e përbashkëta, vonesat e “pretekstet” e nxjerra si dhe shfajësimet se gjoja “kryeministri ligjin po e zëvëndëson me bandat dhe paratë e pista”, është poshtërsia dhe shërbimi i fundit që po i bëjnë një partie në shbërje e sipër. Ajo ç’ka po luhet me PD sot, është pasojë e “lugës së çorbës së prishur” së gëlltitur me kohë nga spinetat dhe zarët e ndryshkur, për të cilët “I Madhi” ka kopsitur me kohë dosje me të cilat i mban lidhur ata, si “kali pas tagjisë”.

Për Lulzimin rëndësi nuk kanë listat, emrat e dala nga baza apo nga zyra e “udhëheqësit”, humbja apo fitorja, pasi jetike është llogaria tjetër, jetike është sa ai fiton nga marrëveshja. Kurse sa për PD, ajo mbetet për Lulzimin, një lodër në bulevard, biznese, fusha me domate, etj, e nevojshme deri ditën kur Lulzimi të rizgjidhet sërish kryetar partie “me shumicën votash” pas humbjes së madhe në 2021.