MENU
klinika

Festojnë titullin kampion

“Digjet” Liverpool, tifozët “mposhtin” pandeminë

26.06.2020 - 10:54

Një titull që mungonte prej 30 vitesh, ardhur në kohë pandemie. Liverpool dhe tifozët e tij kishin imagjinuar një triumf të ndryshëm me të cilin të shprehnin gjithë gëzimin e tyre duke festuar gjatë nëpër rrugë e sheshe.

Megjithatë, në një formë a tjetër, tifozët e kuq kanë festuar menjëherë sapo është mbyllur ndeshja në Londër. Ata u mblodhën te stadiumi “Anfield” dhe nisën festën me flakadanë e këngë duke harruar koronavirusin dhe distancimin social. Edhe njëherë tjetër, emocionet e futbollit treguan se mposhtin edhe pandeminë.

Jürgen Klopp nuk arriti t’i mbajë lotët gjatë një lidhjeje direkte me legjendën Kenny Dalglish, trajner-lojtar i sezonit 1989-1990, kur Liverpool shpallej kampion për herë të fundit para 30 viteve:

“Nuk kam fjalë. Është e jashtëzakonshme. Ndihem i mrekulluar. Asnjëherë nuk kam menduar se mund të ndjehem kështu. Shpallja kampion me këtë klub është absolutisht e jashtëzakonshme. Ky triumf është edhe për ty, Kenny, pasi duhej të prisje 30 vite. Titulli është për Gerrard, i cili duhej të priste një kohë të gjatë. Tani e fituam atë, një sukses i ndërtuar mbi shpirtin tuaj.”

Festa e tifozëve të kuq ka vijuar edhe gjatë ditës së premte, në bare, parqe e sheshe, ku kryefjalë në Liverpool ishte vetëm titulli kampion. Edhe në vende të ndryshme të botës tifozë të liverpool-it kanë festuar gjatë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN