MENU
klinika

Ja çështjet që ndajnë ende palët!

Drafti për reformën zgjedhore mbyllet sot

16.06.2020 - 08:00

Në një kohë kur dje pritej që 4 anëtarët e Këshillit Politik të mbyllnin të gjitha diskutimet mbi reformën zgjedhore, sot pritet të ketë një takim të fundit për të çuar në Kuvend draftin konsensual të arritur mbrëmjen e 5 qershorit mes mazhoranca dhe opozitës jashtë parlamentare me shpresën se ai do të marrë edhe votën e opozitës së re. Ditën e djeshme Këshilli Politik zhvilloi një mbledhje mbi 2 orë, ku u diskutuan amendamentet në projektligjin e Kodit Zgjedhor të hartuara nga ekspertët, ndërkohë që bashkëkryetari dhe njëkohësisht përfaqësuesi i Partisë Socialiste në reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri ka dhënë një prononcim për mediat pas përfundimit të takimit.

Në fjalën e tij, Gjiknuri theksoi se shpreson që dita e sotme të jetë dhe takimi i fundit i Këshillit Politik, në të cilin sipas tij, do të adresohen përfundimisht të gjitha pikat në Kodin Zgjedhor dhe drafti t’i dërgohet Kuvendit për votim. Madje, zoti Gjiknuri, zbuloi se në takimin e djeshëm ishin finalizuar përmes dakordësisë nenet për financimin e partive dhe çështja tjetër që ka të bëjë me shtrirjen e identifikimit biometrik në të gjithë territorin e vendit. “U dakordësuan të gjitha proceset që lidhen me identifikimin elektronik, kompetencat e zv/komisionerit për këtë proces, çështjet e financimit të zgjedhjeve.

U dakordësuam për dispozitat që kishin përgatitur ekspertët, angazhimi që ka marrë qeveria për të dyfishuar fondin publik për fushatën zgjedhore, si dhe rënia dakord e pranimit të raportit 1 me 3, financim publik me financim privat. Nesër do vazhdojmë mbledhjen tjetër në orën 17:00 dhe është në interes të PD-së dhe të gjitha palëve që ta mbyllim ligjin zgjedhor përfundimisht”, deklaroi ai.

Ja çështjet që ndajnë ende palët

Por pavarësisht vullnetit të 4 anëtarëve të Këshillit Politik për të përfunduar sa më parë draftin e arritur mes mazhorancës dhe opozitës joparlamentare për reformën zgjedhore, bashkëkryetari socialist i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri bëri me dije se ka ende disa çështje që ndajnë palët, duke shtuar se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duan pak kohë që të sheshojnë idetë me ekspertët e partive respektive.

Sipas tij, pikat për t’u diskutuar në këtë mbledhje kanë të bëjnë me KQZ dhe çështje të tjera në lidhje me fushatën zgjedhore. “Ka akoma çështje siç është pjesa e KQZ-së dhe disa elementë që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore që PD kërkon kohë më shumë. Draftet janë, por ka akoma disa pika për tu diskutuar. Ata thonë se kërkojnë më shumë kohë që të konsultohen me ekspertët e tyre. Shpresojmë që ata do vijnë nesër me dispozitat përfundimtare”, nënvizoi deputeti i PS, Damian Gjiknuri.

Finalizohen nenet për financimin e partive

Por finalizimin e neneve për financimin e partive e pohoi dje edhe përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi. Ky i fundit duke folur për mediat pas takimit të djeshëm, zbuloi se dy ishin çështjet për të cilat u diskutua, sikundër janë identifikimi biometrik dhe financimi i partive. Sipas Bylykbashit, identifikimi biometrik do të mbrojë votat false, ndërsa theksoi se kanë rënë dakord për reduktim drastik të financimit privat.

“Sot diskutuam për të gjetur të gjitha garancitë dhe drafti përfundimtar do të sigurojë që në zgjedhjet e ardhshme identifikimi biometrik i zgjedhësve do të jetë në të gjithë qendrat e votimit. Kjo do të thotë që kutitë e votimit do të jenë të mbrojtura nga mbushja me vota fallco. Çështja e dytë është financimi i partive politike. Objektivi jonë është që të gjejmë një zgjidhje të plotë jo vetëm për fushatën, por edhe financimin në periudhë jo fushate. Në këtë kod kemi rënë dakord që të ketë reduktim drastik të financimit privat dhe reduktim të shpenzimeve ku shpenzimi do të jetë vetëm 3-fishi i financimit publik. Pra arritëm edhe këtë moment të rëndësishëm duke ulur varësinë e partive nga financimet private që shpesh herë janë të dyshimta”, deklaroi Bylykbashi.