MENU
klinika

Reforma Zgjedhore/ ‘Tre netë ngujimi në ambasadën amerikane’

DW: Konsensusi i partive politike, çfarë u sakrifikua për të arritur marrëveshjen?

06.06.2020 - 12:50

Bashkimi Europian e vlerëson arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore, si një hap më pranë të ardhmes europiane për Shqipërinë.

Më në fund u arrit. Dy vjet pas ndërprerjesh dhe rifillimesh të tryezave politike për reformën zgjedhore, pas ecejakesh të faktorit ndërkombëtar dhe 3 netësh rradhazi ngujimi në ambasadën amerikane në Tiranë, partitë politike nënshkruan mbrëmë (5.05.2020) marrëveshjen e shumëpritur, që synon garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, si një kusht kryesor i BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi, në një deklaratë të përbashkët përshëndetën arritjen e konsesnsusit si një “adresim të një kushti kryesor për të filluar negociatat e pranimit në BE, gjë që e çon Shqipërinë një hap më pranë të ardhmes së saj në BE”. Në Mars të këtij viti, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, BE hapi dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, ndonëse nuk caktoi ndonjë datë. “Ky është një sinjal i mirë për progresin e ardhshëm në reformat e nevojshme në rrugën e Shqipërisë drejt BE” theksohet në deklaratën e përbashkët Borrel & Varhelyi.

SHBA: Marrëveshja mes palëve “një moment historik”

“Liderët e Shqipërisë lanë mënjanë momarrëveshjet mes tyre dhe punuan për të arritur një rezultat të prekshëm për popullin shqiptar” theksohet në një deklaratë të ambasadës amerikanëe në Tiranë. Vullneti i popullit shqiptar në proceset zgjedhore post-komuniste është deformuar nga parregullsi, blerja e votës, manipulimi i rezultatit. Në raportet përfundimtare të misioneve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR-it, që ka vëzhguar dhe monitoruar këto procese, zgjedhjet nuk janë vlerësuar “të lira dhe të ndershme” por ” më të mira se ato të mëparshmet”.

Sakrifikimi i depolitizimit për të arritur marrëveshjen

Administrata zgjedhore thellësisht e politizuar ka qënë një nga shkaqet kryesore të parregullsive kronike të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Marrëveshja e tanishme mes palëve nuk i depolitizon komisionet zgjedhore. Palët ranë dakort që formula e përbërjes së tyre në zgjedhjet parlamentare 2021 të mos ndryshojë dhe të vijojë me përfaqësues të partive politike në garë.

Depolitizimi i administratës zgjedhore është një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR-it, që kjo reformë merr përsipër të plotësojë. Depolitizimi i komisioneve zgjedhore ka qënë pika ku PD nuk ka qënë dakord, deri në momentin e fundit, me arsyetimin që angazhimi i nëpunësve të administratës publike si komisionerë, si propozoi maxhoranca socialiste, nuk përbënte depolitizim, pasi sipas saj kjo administratë është e politizuar. “Sakrifikuam rekomandimin e rëndësishme të ODIHR-it, vetëm që PD të hyjë në garë politike. Kjo është gjëja më e rëndësishme që u arrit,” u shpreh Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i maxhorancës socialiste në Këshillin Politik, për Reformën Zgjedhore.

Albanien Damian Gjiknuri (DW/Ani Ruci)Damian Gjiknuri përfaqësues nga Partia Socialiste për refor​mën
Por për PD dhe opozitën jashtë parlamentit, propozimi i maxhorancës socialiste synonte”kapjen e komisioneve zgjedhore,”prandaj ajo e refuzoi. Oerd Bylykbashi, përfaqësues i PD në këtë Këshill, u shpreh pas arritjes së konsensusit se “maxhoranca socialiste nuk i kapi dot dhe u tërhoq.” Sipas marrëveshjes, depolitizimi i komisioneve zgjedhore do të bëhet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Për zgjedhjet parlamentare 2021 do të riformatohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ).

Ku fokusohet marrëveshja?

Ajo fokusohet në identifikimin biometrik të votuesve. Palët marrin përsipër të mbështesin zbatimin e tij, për 100 përqind të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, të mbështetura nga ekspertë ndërkombëtarë, në kushtet kur kjo është e mundur nga pikëpamja teknike. Ndonëse përbërja e komisioneve zgjedhore do të mbetet me përfaqësues të partive politike në garë, marrëveshja, krahas riformatimit të KQZ përmban elemente depolitizimi në administrimin e zgjedhjeve dhe teknika që sigurojnë më shumë transparencë dhe pavarësi të administratës zgjedhore, në plotësim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Sipas marrëveshjes mes palëve, Kolegji Zgjedhor do të përbëhet nga gjykatës që kanë kaluar procesin e vetingut. Ankimimet do të shqyrtohen nga ky kolegj dhe jo nga Gjykata Kushtetuese, si propozoi PD. Depolitizimi i administratës zgjedhore do të bëhet për zgjedhjet e ardhshme, parlamentare e lokale të vitit 2025.

Marrëveshja nuk përfshin ndryshimin e sistemit zgjedhor proporcional rajonal nga me lista të mbyllura në atë me lista të hapura pasi për trajtimin e kësaj ꞔështjeje nuk pati konsensus.. Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, që këmbëngul për ndryshimin e sistemit si instrument për qarkullimin e elitave politike, deklaroi se “ka marrë garanci nga SHBA dhe BE që bisedimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor do të vijojnë.”

A garanton marrëveshja zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Për presidentin Meta marrëveshja e sapo arritur “nuk është e mjaftueshme” për të garantuar zgjedhjet. Kurse kryetari i PD dhe i opozitës jashtë parlamentare, Lulzim Basha, e cilësoi marrëveshjen ” një hap përpara për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Kryeministri Edi Rama, në reagimin e tij pas arritjes së marrëveshjes shprehu keqardhje që komisionet zgjedhore mbetën po njëlloj, me përfaqësues politikë. “Rëndësi ka që Lulzim Basha e PD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur. Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave” u shpreh Rama në Twitter. DW

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin