Sistem zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal e me lista të hapura si dhe moslejim të koalicioneve para-zgjedhore, janë dy kërkesat e opozitës brenda parlametit për të votuar Reformën Zgjedhore. Edmond Stojku kryetar i grupit parlamentar Demokraci dhe Drejtësi, është i pari në listën e 29 deputetëve firmëtar, të ndryshimeve kushtetuese.
“Listat e hapura do të sjellin preferencën e publikut për kandidatin dhe përzgjedhjen e një figure politike, intelektuale, akademike, humane sociale më të mirën e mundshme pikërisht atë që do zgjedhësi që do votuesi i cili do ta përfaqësoj në zonën e tij dhe do të jetë përgjegjës për atë zonë për 4 vite”, tha Stojku.
Një tjetër deputet i opozitës parlamentare Andi Përmeti thotë se ai e ka hedhur firmën vetëm për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
“Një tjetër dokument që ka dalë në media që flet jo vetëm për heqjen e koalicioneve dhe pragjeve dhe gjëra të tjera nuk ka asnjë firmë deputeti. Nuk e di kush e ka firmosur dhe marrë përsipër. Kjo nuk është dorëzuar me firma depytetësh. Unë nuk e kam firmosur këtë akt kam firmosur bashkë me 29 deputetë të tjerë vetëm aktin për ndryshimin dhe hapjen e listave për ti bërë nga të mbyllura në lista të hapura që janë pikërisht nenet 86 dhe 84 të kushtetutës”, thotë Përmeti.
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga dërgimi për tu diskutuar e më pas votuar në parlament i kodit të ri zgjedhor, ka nisur llogaritja e votave të cilat shumica socialiste nuk i ka. Miratimi kodit kërkon 84 vota, por socialistët kanë vetëm 77 e kështu i duhen edhe 7 vota.
Për momentin sinjalet e para për një votë pro nga opozita i kanë dhënë deputetët, Suzana Topi dhe Lefter Maliqi. Shumicës së qeverisë Rama do t’i duhen edhe 5 deputetë për ketë kaluar Zgjedhoren.