Analisti Fatos Lubonja i ftuar në News 24, duke komentuar foton e sotme midis Presidenti Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, e konsideron një lloj teatri banal shqiptar.
Sipas tij, ky teatër ka dëmtuar shumë politikën në Shqipëri.
Duke u ndalur tek marrëveshja për reformën zgjedhore, Lubonja thotë se ajo nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se me të ka fituar më shumë Rama.
Lubonja: Ajo që lë si me thënë një lloj ndjesie, se unë, nuk kemi qenë aty, kemi parë disa foto është një lloj tjetërsimi që i bën njeriut politik, pushteti. Jo se politika nuk duhet ta njohë moralin, principet, por shpesh herë sidomos në vende si ky i yni, këto të lënë përshtypjen sikur këta njerëz kanë harruar të jenë njerëz, janë makina pushteti. Po të kesh parasysh se çfarë i kanë thënë njëri-tjetrit, nuk do të flisnin më. Ndërsa politika të fut gjithmonë në këtë teatër. Është një lloj teatri. Por jo vetëm kjo, por kanë humbur disa ndjesi, si urrejtja.
Që urren një njeri, apo neveri, që të lind nga sjelljet e tij, nga mashtrimet, gënjeshtrat. Këto sikur janë zhdukur. Edhe këta bëjnë teatër në skenë. Edhe kur bërtasin, duket sikur është Teatri për publikun, jo se kanë problem me ndërgjegjen e tyre. Ky teatër ka dëmtuar shumë politikën në Shqipëri.
Unë jam i tezës së asaj që thotë Rusoi, se “kush e ndan politikën nga morali, nuk kupton asgjë nga të dyja”. Politika është për shërbim, të mbash fjalën që ke dhënë. Thua do ta restauroj Teatrin në 2013 dhe pastaj mezi pret natën e fundit të pandemisë shkon dhe e shemb. Ndërsa këta janë për teatër, kanë kohë që e luajnë.
E dyta është fakti që këtu nuk ka drejtësi. Se po të kishim drejtësi, disa njerëz si këta nuk do të takoheshin. Këta duhet të ishin në burg. Kur shkon drejtësia do ishte në rolin e të dënuarit. Dhe kjo është një ndjenjë teatri kotësie që jo vetëm i përçohet qytetarëve, por edhe i formaton të sillen edhe ata kështu, pra papërgjegjshmëri, pa ndjenjë drejtësie, pa ndjenjë ndaj të keqes. Mendimi im është që, ka një rivalitet, pasi hipokrizi është kjo që bëjnë.
A do ndikojë në politikë? Padyshim do ndikojë siç ka ndikuar kjo lloj sjellje, për të rritur një forcë të re që kërkon të lindi por gjithmonë ngelin në shpërngej, që thonë këta janë bashkë, janë një palë. Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër, unë nuk them që ka vetëm anë negative, se në fund fare nuk do bëjmë luftë civile. Kur ke parasysh se çfarë ndodhi në Teatër dhe çfarë bëri, duhet drejtësia të veprojë. Se nuk do zihen me grushta. Teatër shqiptar, banal.
Marrëveshje për reformën zgjedhore
Lubonja: Me atë marrëveshje u arrit rregullimi i status-quosë. Më shumë ka fituar Rama nga kjo marrëveshje se sa opozita. Pra me këtë marrëveshje indirekt bien akuzat e opozitës për vjedhje votash, ato se krimi është futur në qeveri dhe votime, duket sikur të gjitha këto u harruan edhe nga mendimi apo iluzioni që ka opozita se me këto që kanë ndodhur me Ramën së fundi, edhe prishja e teatrit mundet që të fitojë zgjedhjet, dhe s’ka nevojë të bëjnë protesta.
Ky është diskretituar aq sa nuk do ta votojnë më shqiptarët. Ka edhe ndoshta këtë besim. Për vete kam dyshime shumë lidhur me këtë, jo se mendoj se shqiptarët janë budallenj dhe votojnë njëlloj, por sepse Edi Rama i ka kontrolluar të gjitha institucionet dhe opozitës i ngelet biometrikja dhe komisionarët që i kishte herët tjetër. A mjaftojnë kaq? Unë besoj se jo! Besoj se ka ndikuar shumë edhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve që duan të urtë këta, mirëpo politika është konflikt dhe konflikti ndonjëherë nuk është i keq.
Edhe Rama meriton konflikt të egër me ato që ka bërë. Konflikt si në Amerikë ku u vra ai zezaku. Të thuash që Rama e ka ndjerë se shqiptarët duhet të kenë më shumë dinjitet ndaj ndërkombëtarëve, nuk e besoj sepse vazhdimisht i ka përdorur ata. Kur nuk ka argumente thotë miqtë tanë ndërkombëtarë. Kemi 30 vjet dhe bëjmë analiza, na injoron fare sikur nuk e duam ne Shqipërinë. Një ndryshim kaq i shpejtë nuk tregon reflektim. Është retorikë sepse i kanë shkuar llafet dhe opinionet se deri këtu është qesharak, edhe vetja e tij, partia e tij është qesharake se nuk paraqet asnjë lloj dinjiteti.
Pastaj, me ironi mund të them se ndoshta nuk ka më nevojë sepse do kapi edhe institucionet e tjera dhe reforma do t’i bëjë si shoku Enver, një parti e vetme. E shikoni si thotë për Teatrin. Kam vendosur 25 vjet përpara. Kush je ti që vendos për të shembur Tiranën? Ka arkitektë Tirana?
Nëse mendon se je vetëm ti dhe të tjerët janë në shërbimin tënd, dhe kur nuk janë, janë o shpifës o budallenj, atëherë çfarë nevoje ka për reforma. Ai mendon se mund ta ndërtojë Shqipërinë sipas kokës së tij. Në fund fare, edhe shoku Enver i bëri reforma vetë pasi u nda nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik, reforma për shkatërrimin e Shqipërisë. Unë mendoj që me atë marrëveshje, në kushtet ku ndodhemi nuk mjaftojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.