MENU
klinika

... por ndërmjet yjeve të qiellit

Frederik Rreshpja, poeti që nuk lindi për të jetuar në tokë

10.06.2020 - 05:02

Para nesh ngrihet si një Himalajë madhështore vargu i lirikës së Frederik Rreshpes, mbase më i madhi lirik shqiptar në poezinë shqipe. Poezia e tij është brilante. Vargjet që të drithërojnë mbartin mbi vete realitetin tronditës të jetës së tij të vështirë, të papajtueshme asnjëherë me të rëndomtën.

Poeti Visar Zhiti shprehet për Reshpen: “… ky antikonformist galant”. Poezia e tij është një nga shprehjet më të thella të shpirtit poetik në shqip. Ungareti thoshte: “Poezia është poezi, vetëm nëse dikush duke e dëgjuar ndjehet menjëherë i goditur së brendshmi… Eksplorimi poetik është eksplorimi personal i një gjendjeje të vazhdueshme ferri… Vetëm në poezi mund të gjendet liria”.

Lirika e Reshpes të kujton Eseninin kur thoshte: “Që të jesh poet do të thotë që të plagosësh veten kurdoherë dhe me gjak të ndjenjave tuaja të ledhatosh në shpirt të tjerët”. Vargu i Reshpes është kënaqësi që kthehet në dhimbje, është lot që shndërrohet në këngë, ndjesi që bëhet figurë, figurë që kthehet në simbol. Tematika e poezive të tij është përgjithësisht e trishtë, por e realizuar bukur, përmes detajeve të gjetura dhe të dhëna me kursim.

Parafytyrat e lirikave të Reshpes janë “fotografi” marramendëse për të cilat edhe nëse nuk je profesionist i sferës, mund të kapësh lehtë detajin, finesën, shijen, imazhin. Poezia e tij është krejtësisht e “mbytur” në figuracion poetik, që ndonjëherë ngjan si tragjizëm i artit antik grek.

Kadare në veprën “Mëngjeset në Kafe Rostand- motive nga Parisi”, shkruan: “Frederik Reshpja, poet i shumë vargjeve brilante e befasuese…”. Edhe kur shkruan për dashurinë e humbur apo të braktisur, Reshpja nuk kalon në dramatizëm apo tragjizëm, përkundrazi poezia e tij merr ngjyra malli njerëzor. Poezia e tij del nga shpirti e i flet shpirtrave, ashtu siç thoshte Hegeli “vjen nga shpirti dhe ka destinim shpirtin”. Ai të kujton endacakun e Ungaretit.

Vetmia e tij ishte proverbiale. Ajo ishte e tillë siç thoshte Dymas: “Arti i madh ka nevojë o për vetminë, o për mizerjen, o për pasionin”. Reshpja i pati të tria. Dritëhijet më të holla dhe më të thella të shpirtit njerëzor, ai i transfiguron në art. Në një poezi të ndjerë deri në lodhje, përsërit disa herë si në një refren se është “i mallkuar me art”. Ndonjëherë pushoi edhe së marruri frymë prej tij.

Sa rrugëtonte midis yjesh, rilindte përmes vargjesh që e yjëzonin. Nuk mund të kishte në tokë vend për dy palë të tillë poetë, njëri duhej të ikte, natyrisht gjeniu i vargut, Frederik Reshpja. Donin ta shtypnin, ta deformonin, por në të vërtetë gdhendën tek ai tipare e fizionomi fisnike e trimërore. Ai qante për të tjerët, vetes i luste vdekjen.

Mund ta krahasojmë pa frikë me Bodlerin, Bllejkun, Rembonë. I zaptuar nga poezia, ajo e kapte për dore e s’dihet se ku e çonte.  Magma e krijimtarisë së tij është dhimbja. Ai nuk sajoi poezi, poezia materializohej përmes tij. Reshpja është një prej atyre poetëve që nuk kishte lindur për të jetuar në tokë, por ndërmjet yjeve të qiellit. Atij i shkon më së miri sentenca latine: “Primus inter paris”- I pari ndër të parët.

Reshpja, si thotë edhe Marian Shestani në boigrafinë kushtuar këtij të fundit, mbeti deri në fund të jetës në një ngrysje ekonomike e shpirtërore. Ai ishte modest në një kohë që kishte të drejtë ta mbyllte veprën e vet me fjalët e Horacit: “Exegi monumentum”- I ngrita vetes monumentin. Ndërsa ne na vjen ndër mend shprehja në latinisht e Krishtit: “Post fatam resurgam”- Pas vdekjes do të ringjallem. Reshpja pas vdekjes u kthye në legjendë.

Ndërroi jetë në moshën 66 vjeçare, i braktisur dhe në një varfëri të skajshme.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB