The Recording Academy – akademia amerikane e muzikantëve, producentëve dhe profesionistëve të muzikës që njeh arritjet në këtë industri dhe ndan çmimet Grammy, më prestigjiozet e fushës – njoftoi së fundmi ndryshimet kryesore që do të aplikohen në Grammy Awards dhe do të hyjnë në fuqi menjëherë në ceremoninë e vitit të ardhshëm.
Harvey Mason Jr., CEO i The Recording Academy, foli në lidhje me ndryshimet për Billboard.
Në kategorinë “Best New Artist” Akademia hoqi rregullin se një artist i ri nuk mund të ketë publikuar më shumë se 30 këngë përpara fillimit të periudhës kur mund të pranohet në nominimet e Grammy. Mason tha se 30 këngët janë problem për artistët rap dhe hip-hop sepse kanë tendencën të publikojnë më shumë këngë se të tjerët. Ndaj ky rregull do të hiqet dhe profesionistët do t’i gjykojnë këngëtarët vetëm në arritjet profesionale të tyre.
Çmimi “Best urban contemporary album” do të ndryshojë në “Best progressive R&B album” sepse disa njerëz mendojnë se termi “urban” është i vjetëruar. Ky është ndryshimi më i madh i Grammy. Javën e kaluar, Republic Records ndaloi përdorimin e këtij termi. Kategoria e albumeve bashkëkohore daton në vitit 2002 dhe Beyonce dhe The Weeknd janë të vetmit që janë shpallur fitues më shumë se një herë. Ky çmim jepej zakonisht për artistët afro-amerikanë. Tyler, the Creator, fituesi i albumit më të mirë rap në Grammy 2020, e kritikoi këtë çmim. “Nuk më pëlqen fjala ‘urbane’. Është si të më thuash atë fjalën me N. Pse të mos jemi thjesht te kategoria pop?” u tha ai gazetarëve në janar.
Çmimi “Best rap/sung performance” do të ndryshojë në “Best melodic rap performance”. Ky çmim ka qëllim të vlerësojë performancat që kanë elemente rap dhe melodi interesante dhe Mason tha se ky ndryshim “vë theksin te melodia” dhe e bën më gjithpërfshirës çmimin.
Çmimi “Best latin urban” do të kalojë në kategorinë e çmimeve “Best latin pop album”. Ndryshimi erdhi nga vetë komuniteti i artistëve latinë, që thanë se reggaeton është më afër muzikës pop.
Gjithashtu, si një përpjekje për të nxitur qarkullimin e njerëzve të rinj, anëtarët e komiteteve të vlerësimit dhe nominimit do të ndryshojë vazhdimisht. Ata do të marrin një vit pushim çdo tre vite.
Rregulloja e Grammy ishte e disponueshme vetëm për anëtarët dhe njerëzit e brendshëm, ndërsa tani, për herë të parë, si një përpjekje për të rritur transparencën, rregulloja do të publikohet në Grammy.com.
Mason shtoi se Grammy do të funksionojë me fleksibilitet. “Shpejtësia me të cilën industria e muzikës ndryshon dhe zhvillohet na detyron që t’i shohim gjërat çdo vit nëse është e nevojshme.”