MENU
klinika

Nga ajri, toka dhe deti

Greqia: Datat kur do të hapen kufijtë për BE dhe Shqipërinë

13.06.2020 - 07:28

Fluturimet ndërkombëtare nga Italia, Spanja dhe Hollanda për në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës do të lejohen nga 15 qershori, si pjesë e planit të Greqisë për të rihapur kufijtë e vet, tha të premten Ministri i Turizmit të Greqisë, Haris Theoharis.

Njoftimi ishte pjesë e një skeme më të gjerë për fazën tjetër të rihapjes së Greqisë e cila parashikon rifillimin e të gjitha fluturimeve ndërkombëtare për në aeroportin e Selanikut nga 15 qershori, përveç fluturimeve nga Italia, Spanja, Hollanda, Britania, Turqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Fluturimet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës do të lejohen vetëm për “udhëtime të domosdoshme”.

Theoharis tha se tragetet e huaja janë të ndaluara të ndalen në portet greke ndërsa anijet e luksit lejohen me vetëm ekuipazh në bord.

Sa i përket mbërritjeve në tokë, ato do të lejohen nga Bullgaria që nga 15 qershori, por do të mbeten të ndaluara për Turqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (me përjashtim të udhëtimeve për biznes shumë të nevojshme). Këto kufizime do të hiqen më 1 korrik për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndërsa situata me Turqinë do të rishikohet në 30 qershor.

Nga 1 korriku, të gjitha hyrjet ndërkombëtare do të lejohen në të gjitha aeroportet greke dhe tragetet e huaj do të lejohen të zbarkojnë në portet greke.

Pasagjerët që mbërrijnë në aeroportet e Athinës dhe Selanikut midis 15 dhe 30 qershorit nga aeroportet që nuk janë në një listën e vendeve të hartuara nga Agjensia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit, ku niveli i infeksionit të koronavirusit vlerësohet të jetë i ulët, do t’i nënshtrohen testeve dhe do të karantinohen për një ditë në pritje të rezultateve, dhe për gjithsej 14 ditë nëse rezultatet janë pozitive.

Për fluturimet nga Italia, Spanja dhe Hollanda, testet do të bëhen për të gjithë pasagjerët.

Pasagjerët që hyjnë në Greqi nga 1 korriku nga të gjitha destinacionet do t’i nënshtrohen testeve dhe do të përballen me një karantinë 14-ditore nëse rezultatet janë pozitive. Të gjithë pasagjerët do të jenë të detyruar të plotësojnë një formular elektronik me të dhënat e kontaktit që kanë në Greqi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja çfarë shkruajnë mediat e huaja

Fama e moderatores Viola Spiro i kalon kufinjtë