MENU
klinika

Nga Fitim Salihu

Guerilët e Prishtinës

11.06.2020 - 20:03

Nga: Fitim Salihu

Sot shënohet 21 vjetori i çlirimit të Prishtinës. Sot Prishtina feston e lirë. Por, në vitet ’90 të jesh i lirë dukej e pamundshme. Janë ta pafundme kujtimet e qytetarëve të Prishtinës, sikurse edhe të qyteteve të tjera të Kosovës, se si një polic zbrazte kafenetë tek Santeja, se si dy policë e zbraznin krejt pazarin ose se si tre policë largonin tre mijë shikues nga ndeshjet futbollistike që luheshin nëpër livadhe. Terrori shtetëror dhe dhuna sistematike e Milosheviqit kishin bërë që qytetarët të jetonin me frikën e përditshme.

Por, sot kur shënojmë përvjetorin e çlirimit të Prishtinës, do të shkruaj, si në një kartolinë urimi, për ata që ëndërruan të pamundshmen, për ata që besuan tek liria atëherë kur shihej budallallëk të besohej. Prishtina e ka pasur gueriljen e vet urbane që në vitet ’90, e cila ka vepruar më pas rrugëve të Prishtinës edhe gjatë luftës. Ndonëse pak flitet për të, historitë e tyre njerëzore, të rrëfyra me modesti, kanë qenë vërtetë të mrekullueshme sa herë që kam takuar ndonjërin prej tyre. Ta shfrytëzojmë ditën e çlirimit të Prishtinës që të flasim për ushtarët e saj të padukshëm.

Në marsin e vitit 1993, një grup veprimtarësh e themeluan Lëvzjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Me kalimin e kohës radhëve të saj iu shtuan edhe djem e vajza të reja. Valon Murati ishte gjimnazist nga Prishtina. Me tre shokë të tij kishin vendosur që në vend të katër byrekëve t’i blinin dy sosh, ta hanin nga gjysmë byreku dhe me paratë e kursyera nga dy byrekët e pablerë një ditë ta blinin një revole. Ne, adoleshentët e pasluftës, kursenim para për të blerë videolojëra me luftë, adoleshentët e ’90-ave kursenin para për të blerë revole për luftë.

Kështu, në moshën 18-vjeçare, Valoni u anëtarësua në LKÇK. Rrëfimet e tij për kohën kur shpërndanin “Çlirimin” – gazetën e LKÇK-së – nëpër banesat e Bregut të Diellit janë mbresëlënëse pikërisht sepse nuk gjen në to doza patetizmi e heroizmi, por rrëfehen me shumë humor. Djem të rinj, me revole në brez, nën hundën e policëve serbë, shpërndanin “Çlirimin” derë më derë dhe e tregojnë duke qeshur se si në fillim djersiteshin nga frika por nuk e jepnin veten deri sa e kuptonin se edhe të tjerët kishin pasur frikë.

Shumë herë këta djem akoma sot kritikojnë mënyrën se si i kemi përshkruar heronjtë. Agim Kuleta, një tjetër anëtar i LKÇK-së, krejt vonë e ka shkruar një ese të bukur se si, duke i glorifikuar heronjtë dhe duke mos ua rrëfyer aspektet e tyre njerëzore, ne u kemi bërë dëm atyre. Duke i paraqitur heronjtë si mbinatyrorë, ne i kemi shkëputur nga vdekatarët e zakonshëm dhe brezat e rinj.

Por, natyrisht, për shumëkë që lexonte “Çlirimin” vepra e tyre ishte heroike. Dritan Gjonbalaj ka qenë asokohe kamarier në një kafene në Sante, kurse Valon Murati ka punuar në marketin e familjes aty pranë. Dritani, pa e ditur se Valoni ishte anëtar, i tregonte se si një organizatë e quajtur LKÇK kishte superaftësi sepse, ndonëse ai e priste tek dera “Çlirimin” çdo natë, ata ia dorëzonin vetëm kur ky futej në tualet. Derisa vetë u anëtarësua në LKÇK, për Dritanin kjo nuk ishte një rastësi, por një shenjë për superaftësitë e këtyre djemve.

Në vitin 1996 kjo organizatë kaloi në një stad tjetër. U themelua njësiti gueril “Rexhep Mala” i cili do të operonte në kryeqytet. Komandant u caktua 25 vjeçari Agron Rrahmani. Agim Kuleta u caktua zëvendës i tij, gjersa Fatmir Humolli, Liburn Aliu dhe Dylber Beka anëtarë të gueriljes. Pak muaj më vonë, Avni Klinaku, kryetari i LKÇK-së filloi kontaktet me grupin e Adem Jasharit për bashkërendimin dhe bashkimin e LKÇK-së dhe UÇK-së.

Por, ky bashkërendim u godit kur në janar 1997 u arrestua kryetari Klinaku dhe shumë anëtarë të organizatës – Liburn Aliu, Shukrie Rexha, Dylber Beka, Majlinda Sinani, etj. Të tjerët ia dolën të iknin në Shqipëri. Atje, nën drejtimin e Agron Rrahmanit, i nisën stërvitjet e para ushtarake. Me kalimin e kohës, filluan të ktheheshin në Kosovë që të koordinoheshin me UÇK-në dhe ta fillonin luftën.

Valon Murati u kthye në Kosovë në shkurt 1998. Në Prishtinë do të futej si ilegal në prill 1998 së bashku me Agim Kuletën. Sot e tregojnë me humor reagimin e familjarëve të tyre. Kur ishin futur në shtëpinë e Agimit, motrës së tij i kishte rënë të fikët nga habia. Episodet interesante të tyre të treguara me humor s’kanë fund: Valonin e kapin dhembjet e dhëmbit mu në luftë. Ilegal e i armatosur siç ishte, shokët e dërgojnë tek dentisti në lagjen Dardania.

Edhe Dritan Gjonbalaj kishte kaluar në front. Akoma sot vazhdon me humor të dëshmojë se si gjatë granatimeve serbe në istikamet e UÇK-së “nuk e dinte nëse më shumë po lëviz nga lëkundjet e dheut apo nga drithërimat e zemrës.” Sa herë e kam dëgjuar këtë episod të Dritanit, por edhe rrëfimet e tjera simpatike të këtyre djemve, më kujtohet një thënie që kush e di tash se ku e kam lexuar: “trim nuk është ai që nuk ka frikë, por ai që e mposht frikën dhe tregohet më i fortë se frika”.

Më 7 maj 1998, Bahri Fazliu – i cili pas arrestimeve të vitit 1997 kishte shërbyer si udhëheqës i organizatës – vritet duke luftuar me forcat jugosllave. Ai ishte edhe poet dhe një nga poezitë e tij thotë: “Eh revole, revole. Mikja dhe armikja ime. Të urrej shumë sepse dua njerëzimin, paqen, dashurinë, lirinë. Të dua shumë sepse dua njerëzimin paqen, dashurinë, lirinë.” Përshkrimi më i bukur i një rinie, i një brezi, që nuk zgjodhi luftën, por lufta e zgjodhi atë.

Më 12 maj vritet duke luftuar në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë edhe Agron Rrahmani, komandanti i njësitit gueril “Rexhep Mala”. Një ditë më herët, ishte vrarë një nga motorët e logjistikës së UÇK-së, Ilir Konushevci. Më 11 maj u arrit marrëveshja finale LKÇK-UÇK. Kjo marrëveshje u bekua me gjakun e tre dëshmorëve dhe kësisoj edhe njësiti gueril i përbashkët u pagëzua me nistoret e tyre – BIA (Bahri-Ilir-Agron). BIA do ta vazhdonte luftën në zemër të Prishtinës, në “gojë të ujkut”, gjer në ditën e çlirimit.

Valoni emërohet përgjegjës për moral dhe politikë i Zonës Operative të Llapit, Agimi zëvendës i tij, kurse Fatmiri u bë një nga eprorët e Zonës Operative të Llapit. Shokët e tjerë të LKÇK-së vazhdonin ta drejtonin BIA-n. Edhe kujtimet e “netëve të Ferrit të Dantes” të pranverës 1999 i tregojnë më shumë me humor se me protagonizëm. Vetë Valoni, një urrejtës i pakompromis i duhanit, detyrohet që me ushtarët e BIA-s të futej ilegalisht në Prishtinë në maj 1999 për të gjetur vend ku të blinte duhan sepse ushtarët po kërkonin duhan.

Më 11 qershor 1999 Prishtina çlirohet. Sikur sot 21 vjet më parë. Ata që kishin vepruar ilegalisht në qytetin e tyre që nga vitit 1993 dhe atë që tani e një vit po luftonin ilegalisht rrugëve të këtij qyteti po futeshin si çlirimtarë e triumfatorë në qytetin e tyre. Agim Kuleta ishte njëri prej tyre. “Një herë në jetë përjetohen emocione të tilla dhe nuk e ka secila gjeneratë atë fat”, thotë ai. Sot Agimi është kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës, qytetit ku veproi e luftoi si ilegal. Valoni ka qenë ministër i Diasporës, kurse sot është kryetar i Lëvizjes për Bashkim (siç quhet LKÇK-ja pas vitit 2008), Dritani drejton Autoritetin e Aviacionit Civil të Shqipërisë (më herët e ka drejtuar atë të Kosovës), Avni Klinaku ka qenë deputet, Fatmir Humolli dhe Liburn Aliu janë angazhuar në Vetëvendosje, kurse të tjerët ose janë angazhuar në LB dhe parti të tjera ose i janë kthyer jetës, profesionit dhe biznesit.

Por, është një gjë që i bashkon të gjithë ata: modestia dhe humori në rrëfimin e historisë së tyre. Ashtu ishte edhe kur bisedova për të rifreskuar këto ngjarje për këtë kolumne. Ashtu është sa herë i takoj. Siç shkruan Agim Kuleta tek eseja mbi heronjtë: “Në radhë të parë heroi është njeri. Për më tepër, ai është njeri i zakonshëm. Ai di të vuajë, të zhgënjehet, të mallëngjehet, të dashurojë, të gëzohet, të qeshë e të qajë. Por ai nuk di kurrë të ndalet. Ai nuk është figurë mitike e nuk përbën mbinjeri. Ai qëllon të jetë historian, student, këngëtar, tregtar e bujk. Ai bën pjesë në grupin e të vdekshmëve. Vepra e tyre JO.”

E shkrova këtë kolumne edhe si një kritikë për mënyrën se si i kemi alienuar heronjtë nga të rinjtë duke iu veshur atribute supermenësh, sikundërqë i kemi tëhuajsuar nga rrëfimet e luftës pikërisht sepse u mungon modestia dhe njerëzorja. Prandaj, i falënderoj ish-anëtarët e LKÇK-së dhe BIA-s që më ndihmuan për këtë kolumne duke evokuar kujtimet e të kaluarës me modesti e kujtime njerëzore.

Prishtinë, ti që strehove ilegalët dhe i mbajte me bukë në bazat e tyre ilegale, urime për ditën e çlirimit!

Urime edhe për djemtë e vajzat që të bënë roje kur ti jetojë në frikë dhe që s’të lanë asnjëherë vetëm!

"Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake"

Nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi